Met Gala më në fund do të rikthehet pas një viti pushim, por do të zhvillohet më 13 shtator, jo në maj siç është tradita. Pas ngjarjes së anuluar të vitit 2020, kodi i veshjes do të lidhet me trendet e lindura gjatë këtij viti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Unë mendoj se theksi mbi krijimtarinë e vetëdijshme u konsolidua me të vërtetë gjatë pandemisë dhe lëvizjeve të drejtësisë shoqërore", tha për Vogue, Andrew Bolton, kuratori i Wendy Yu dhe përgjegjës i Institutit të Kostumeve. "Dhe unë kam qenë vërtet i mahnitur nga përgjigjet e stilistëve amerikanë ndaj klimës sociale dhe politike, veçanërisht rreth çështjeve të përfshirjes së trupit dhe ndryshimeve gjinore. Unë vërtet besoj se moda amerikane po kalon një Rilindje.”

Met Gala do të zhvillohet si një ekspozitë me dy pjesë, që do të prezantohet gjatë vitit 2021 dhe 2022, në zona të ndryshme të Muzeut Metropolitan të Arteve. Pjesa e parë, "Në Amerikë: Një leksik i modës", do të hapet në Qendrën e Kostumeve Anna Wintour, më 18 shtator dhe do të mbetet e hapur kur "Në Amerikë: Një Antologji e Modës" të mbahet më 5 maj, 2022. Të dyja shfaqjet do të zgjasin deri më 5 shtator, 2022.

Ekspozita e parë është ndërtuar brenda një "shtëpie imagjinare", ku secila dhomë përfaqëson një "cilësi emotive" dhe është e zënë nga një paraardhës i modës dhe pasardhësit e tij.

“Për shembull, në kopsht, i cili shpreh gëzim, ideja është që të kemi një fustan me print lulesh Mainbocher, bashkë me veshjen Oscar de la Renta që Taylor Swift veshi në Grammy", -shpjegoi Bolton.

Pjesa e dytë e ekspozitës do të përqendrohet në pjesë të papërfunduara në historinë amerikane të modës "në kontekstin e racës, gjinisë dhe rëndësisë".

Met Gala, e cila gjeneron pjesën më të madhe të fondeve të Institutit të Kostumeve, do të jetë një festë më e vogël që përkon me mbylljen e Javës së Modës në New York.