Konturimi i fytyrës duket diçka shumë e vështirë, por në fakt nuk është. Mjaftojnë pak minuta dhe disa teknika të thjeshta që të mund të realizoni një kontur si profesioniste. Po iu tregojmë disa prej teknikave që do t` ju ndihmojnë të realizoni look-un e dëshiruar.

Për t`i bërë mollëzat të duken edhe më të theksuara bëni një vijë me pudër konturimi, duke filluar nga veshi në drejtim të mollëzës. Kini kujdes që vija e konturit të mos jetë shumë lart në mënyrë që mollëza të mund të theksohet dhe jo të na japë efektin e kundërt.

Theksoni nofullën, duke lyer furçën përsëri me pudër, hiqni tepricat dhe kalojeni në vijën e nofullës. Përhapeni me lëvizje rrethore drejt mjekrës.

Një pamje natyrale e konturit kërkon përzierje dhe përhapje të mirë të produktit në fytyrë. Që konturi të duket sa më natyral përhapeni pudrën poshtë mjekrës dhe vazhdoni drejt qafës.

Është e rëndësishme të bëni të njëjtën gjë edhe me ballin. Konturoni ballin duke vazhduar drejt vijës së flokëve, gjithmonë duke pasur parasysh ta përhapni mirë produktin me anë të furçës.

Duke përdorur një furçë më të vogël konturoni hundën. Bëni nga një vijë në të dyja anët e hundës dhe përhapeni mirë deri te maja e saj. Më pas shkoni përsëri lart drejt vetullave deri sa të arrini efektin e dëshiruar, në varësi të formës së hundës tuaj.

Mos harroni që në fund t`i shtoni konturit tuaj dhe pak “blush” te mollëzat. Kjo do ta bëjë pamjen të duket më natyrale.

Herët e para mund të hasni pak vështirësi derisa të mësoheni me strukturën e fytyrës tuaj, por më vonë do t`ia merrni dorën si profesioniste të verteta.