Një pjesë e madhe e njerëzve vuajnë nga morthi gjatë muajve të ftohtë. Për të gjithë ju që nuk e dini, morthi shfaqet kryesisht në gishtat e duarve dhe të këmbëve, por edhe në veshë, hundë dhe faqe duke shkaktuar enjtje, dhimbje, skuqje dhe kruarje. Nga morthi vuajnë njerëzit që kanë qarkullim të dobët të gjakut dhe ai favorizohet nga temperaturat e ulëta dhe lagështia e ajrit.

Kurimi i kësaj patologjie nuk është aspak i thjeshtë, prandaj nëse edhe ju vuani prej saj, është mirë ta parandaloni duke u kujdesur që duart dhe zonat që preken nga morthi të qëndrojnë të ngrohta. Po ashtu, nuk rekomandohet kalimi i menjëhershëm nga i ngrohti në të ftohtë ose e anasjellta, pasi bën që enët e gjakut nën lëkurë të zgjerohen më shpejtë dhe gjaku të ngelet në indet përreth duke shkaktuar morthin. Ka disa mënyra natyrale për ta luftuar atë, si për shembull: masazhimi me vajëra bimorë, lëngu i limonit, i selinosë dhe ai i qepës ose fetat e patates, të cilat sugjerohet të vendosen në duar.

Ekzistojnë edhe kremëra për luftimin e morthit, por efekti i tyre mund të jetë shumë i ngadaltë, prandaj, më mirë ta parandaloni sesa ta kuroni.