E lan fytyrën ҫdo ditë? Përdor vazhdimisht SPF? Kabineti mjekësor në shtëpi i ka të gjitha produktet cilësore, kremrat dhe locionet? Edhe nëse je e fiksuar me kujdesin ndaj lëkurës, mund të harrosh diҫka shumë të rëndësishme. Në fakt ka diҫka që dermatologët e këshillojnë ҫdo vit për të mos e harruar - të paktën një herë në vit, në mënyrë që të kesh lëkurë të shëndetshme. Kërkon vetëm 5 minuta, por rezultatet mund të të ndryshojnë jetën. Për ҫfarë bëhet fjalë?

Sipas Dr. Robyn Notterman, të paktën një herë në vit, duhet të bësh një kontroll për nishanet. Kjo për arsye se gjatë vizitës dermatologjike, bëhet një skanim vizual për të parë dhe identifikuar nëse ndonjë prej nishaneve të zakonshëm në trup mund të ketë ndryshuar ngjyrë. Janë kontrolle që të ndihmojnë shumë për të parandaluar kancerin e lëkurës.

Një në pesë amerikanë preken nga kanceri i lëkurës gjatë jetës së tyre (sipas American Academy of Dermatology). Një prej mënyrave më të thjeshta për t’i paraprirë kancerit të lëkurës është kontrolli i shpeshtë i nishaneve. Nishanet janë të njohura si burim i shfaqjes së kancerit të lëkurës, ndaj gjatë kontrollit dermatologët mund të vërejnë nëse në lëkurë janë shfaqur të rinj apo një pjesë e tyre kanë ndryshuar ngjyrë. Vizitat te dermatologu dhe kontrolli i nishaneve janë një mënyrë mjaft e mirë parandalimi dhe edukimi shëndetësor të cilin duhet ta bëjmë të gjithë.