Vallë, a keni parafytyruar ndonjëherë të ndërmerrni një udhëtim në vitet '40-'50, të lundroni në të shkuarën dhe të kërkoni dëshpërimisht ekzistencën e një makine kohe për të realizuar këtë andërr? Nëse ende po imagjinoni se si mund të realizohet, përgjigja është #andrrantren. Për realistët, 30 prilli është dita e fundit e muajit, por për andërrimtarët veçse Dita Ndërkombëtare e Jazz-it, lehtësisht mund të konsiderohet si një arratisje e ëmbël në kohë, një braktisje me vetëdije e realitetit për të gjetur një oaz të gëzueshëm, të mbushur me muzikë të vërtetë, atmosferë të hareshme e miqësi të bukura.



Dita nisi në vendtakimin jo vetëm simbolik të ish-stacionit të trenit, në Avulloren 02, ku zonjëza, e cila peshon një sënduk histori, një përjetësi kujtime e shumë rrëfime të pandara, gëzonte stoike admirimin e udhëtarëve të etur për të shkuarën. Rrugëtimi për në të shkuarën ndërmerrej mes fustanëve floral e polka dot, berretave të trashëguara, flokëve të stiluar sipas filmave bardh e zi, buzëve korale e këpucëve të rehatshme për të kërcyer deri në rikthimin në epokën moderne.

Kurrë më parë nuk kisha hasur aq shumë njerëz të vendosur për të kthyer pas historinë mes swing-ut, lëvizjeve moskokëçarëse, ritmeve të jazz-it e shoqërisë së rumit.



Udhëtimi me tren deri në qytetin e andrrave rikthehu jo vetëm funksionin e parë të tij si mjeti më i zakontë i transportit në vitet '40, por njëkohësisht shërbeu si ura lidhëse mes njërëzve, mes dy epokave e mes memories kolektive. Sa e sa miqësi janë lidhur për të mos u ndarë më kurrë në rradhët e vagonëve? Sa e sa familje prisnin oraret në stacione për t'u ribashkuar? Sa të tjerë janë harruar e përhumbur në xhamat e veshur me pluhurin e kohës, por të pastra mjaftueshëm sa rrezet e diellit të ngrohin shpirtin e të ndriçojnë mendjen? Shumë të tjerë të magjepsur në biseda kanë zbritur stacione të tëra më larg, por koha është një rrethanë e parëndësishme, kur zemrat janë plot. Sa shikime janë shkëmbyer në zemrën e asaj zonje bujare e sa dashuri kanë lindur mes ecejakeve lart e poshtë?



Shpirti i çaf-çufit vallëzonte me ritmet e jazz-it duke bashkuar të njohur e të panjohur e duke mos lënë askënd në qoshkën e tij të vetmisë. Shpirti i festës e dëshira e qindra vetëve për të prekur pluhurin magjik të së shkuarës, ku emocionet ishin të vërteta e gjërat e vogla ishin të vetmet, të cilat kishin vlerë. Herë pas herë, më kaplonte ndjesia se isha pjesë e ndonjë filmi luajtur nga Greta Garbo a Clark Gable, por aktorët kryesor ishin udhëtarët guximtar, të cilët mundën të ndryshonin ritmin e akrepave të orës me harenë e muzikës. Tingujt e trompave nuk ndaleshin gjatë gjithë udhëtimit e bashkë me ta kërcimi i udhëtarëve.



Vallëzimi në tren bëri të ndryshonte tërësisht edhe ritmi i tij. Ndihej lehtësisht se #andrrantren fluturonte mes reve, mbante zemrat peshë, bashkonte qindra vetë drejt një realiteti ku gjithçka ishte e vërtetë, muzika, entuziasmi dhe këmbëngulja se e shkuara mbarte magjinë.
Udhëtimi drejt Shkodrës nuk kishte qenë kurrë më i bukur. Treni zotëroi fuqinë të bashkonte udhëtarët, të shkurtonte largësitë e të vendoste një formë komunikimi mes miqve të vjetër e të rinj për në destinacionin final, Andrrën.


Në Shkodër fekste dielli e bashkë me të kumbonin trumpetat e saksofonët, të cilët ndiqeshin nga kalvari më i hareshëm ndonjëherë. Lexohej lehtësisht se njerëzit kishin harruar kohën, fluturonin nën ritmet e muzikës, shijonin rrugicat e ngushta të qytetit të Shkodrës, i mbeteshin sytë tek trëndafilat e magjepsur e shtëpitë ftuese e vendasit bashkoheshin në vallëzim e të mikprisnin në andërr. Diçka e pazakontë ndihet në ato shtigjetë vjetra, ku bëhet shkëmbimi i ndjesive të bukura, energjisë së mirë e copëzave të zemrës, që lë e merr prej aty.Pak nga pak, udhëtarët pushtuan gjithë qytetin, i cili hapi dyert e së shkuarës. Kafja e Madhe, simboli historik i bisedave mes miqëve, mbrëmjeve të gjata e jetës sociale shkodrane u kthye në vendtakimin e gjithë andrrimtarëve, të cilët zbuluan një mënyrë magjike për të rrëmbyer vitet ’40 nëpërmjet muzikës dhe emocioneve në kohën e internetit.


Veçantia e maratonës ishte se festa nuk mbaronte kurrë. Koncerti madhështor i mbajtur në Teatrin Migjeni ishte kulminacioni i ditë-natës. Së pari, tributi i veçantë i muzikës shkodrane në 70 vjetorin jubilar të ndërtimit të Teatrit Migjeni dhe konvertimi nën ritmet e ëmbla jazz më kthyhen në meloditë me të cilat u shoqërova qysh në vegjëli krahë gjyshes. Pjesëmarrja e jashtëzakonshme e Ray Gellato dhe The Good Fellas, të cilët nisën performancën me këngët e famshme "That's amore", që robëroi dashurinë e publikut qysh prej fillimit. Teatri Migjeni ndjeu kërcimin e pandalshëm për orë të tëra nën ritmet jazz e blues dhe ajri u elektrizua.

Me pakfjalë, më poshtë renditen disa arsye pse askush nuk duhet të mungojë 30 prillin e ardhshëm në këtë andërr.

Fillimisht, treni i ëndrrës bëri të fluturonim në një botë të gëzueshme, të mbushur me muzikë e njerëz entuziast duke harruar kështu çikërrimat, që na vështirësojnë përditshmërinë.


Së dyti, për adhuruesit e muzikës jazz kjo festë nuk është e vetmja që i bashkon, por është një mënyrë jetese. Hemingway  Fun Club është zemra e jazz-it në kryeqytet dhe rruga për kthimin në të shkuarën e praruar.

Së treti, nëse shpirti yt i përket vlerave të së shkuarës, adhuron muzikën, artin e letërsinë dhe ndihesh si një shpirt i harruar qysh prej Brezit të Humbur, në sajë të kësaj atmosfere do gjesh aromën e shtëpisë.

Koha është një koncept i parëndësishëm për artin e vërtetë njësoj si vera, vetëm sa bëhet më e këndshme.

Maratona e swing-ut, e cila finalizoi edicionin e saj të katërt lindi prej idesë së tre vëllezërve, të cilët histroria familjare i lidh me hekurudhën, muzikën, Teatrin Migjeni, rrugët e bukura të Shkodrës dhe dashurinë për njërëzit e gjithçka të bukur.

VINI RE, VINI RE: "Shënojeni 30 prillin e ardhshëm e vraponi në shinat e andrrës".

Blog: Njëtufërrezeshnëpër RE