Kanë kaluar 19 vjet nga Lumturimi i humanistes shqiptare Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, e njohur në të gjithë botën si Nënë Tereza. Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, njeriu me shtat të vogël, por me zemër të madhe, ua kushtoi gjithë jetën e saj atyre që kishin nevojë për shpirtin e saj të madh. Nënë Tereza e Kalkutës u lumturua më 19 tetor të vitit 2003 nga Papa Gjon Pali i Dytë, si simbol i ndihmës dhe respektit për “më të varfërit e të varfërve”, të cilëve ajo u kushtoi krejt jetën.

Letrat sekrete të saj janë mbledhur nga Brian Kolodiejchuk, prifti që i ka propozuar Vatikanit shenjtërimin e Nënë Terezës. Ndoshta edhe për shkak të turbullirave që ka pasur Nëna e Kalkutës, deri vonë, Kisha ka pasur dilema për shenjtërimin e saj. Kolodiejchuk është shprehur se turbullira e saj shpirtërore, në fakt, e ka ndihmuar atë: “Tani ne kemi këtë botëkuptim të ri, një dritare të re për botën e saj të brendshme dhe për mua, kjo është gjëja më heroike”,- ka thënë Kolodiejchuk.

Siç e tregojnë edhe letrat e saj, Nënë Tereza vdiq e mbushur me dyshime. Madje, ajo i kishte ndërprerë edhe lutjet. Kisha vendosi që t’i ruante letrat e saj, edhe pse njëra prej dëshirave të humanistes ishte që ato të shkatërroheshin. Ndoshta tani ne e dimë pse…

Në një intervistë të rrallë në vitin 1986, Nënë Tereza tha për CBS News se kishte dëgjuar një thirrje, e cila ishte bazuar tek besimi i padiskutuar: “Ata janë të gjithë fëmijët e Zotit, të dashur dhe të krijuar nga e njëjta zemër e Zotit”,- u shpreh ajo. Mirëpo, më vonë, doli se Nënë Tereza ishte aq në dyshim për besimin e saj, saqë u frikësua se mos ishte hipokrite, ka raportuar korrespondenti i CBS News, Mark Phillips. Në një libër që përmbledh letrat që ajo shkroi për miqtë, dyshimet e saj janë të dukshme. Pasi filloi punë në lagjet e varfra të Kalkutës, shpirti u largua nga Nënë Tereza: “Ku është besimi im?” - shkruante ajo. “Edhe në thellësitë më të thella, nuk ka asgjë, por boshllëk dhe errësirë... Nëse do të kishte Zot, i lutem të më falë”. Tetë vite më vonë, ajo iu kthye sërish rishikimit të besimit të saj të humbur: “Kaq shumë mall i thellë për Zotin... Bosh, pa besim, pa dashuri, pa zell”,- është shprehur ajo, derisa fama e saj u rrit, besimi refuzoi të kthehej. Buzëqeshja e saj, siç thoshte vetë ajo, ishte një maskë: “Për çfarë po punoj unë?”, pyet ajo në njërën nga letrat. “Nëse nuk do të kishte Zot, nuk do të kishte as shpirt. Nëse nuk do të kishte as shpirt, atëherë, as ti Jezus, nuk je i vërtetë”.

Mësimet dhe porositë e Nënë Terezës janë një testament i ri për njerëzimin. Me rastin e ditës së lindjes, këtu janë disa nga shprehjet më frymëzuese dhe më prekëse të saj.

1. Folu butësisht njerëzve! Tregoje mirësinë në fytyrë, në sy, në buzëqeshjen tënde, në ngrohtësinë e buzëqeshjes tënde, gjithnjë të kesh buzëqeshje gazmore! Jep jo vetëm kujdesin, por edhe zemrën!

2. Ne s’mund të bëjmë dot gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe.

3. Nuk ka rëndësi sa shumë jemi të angazhuar të bëjmë, por sa shumë dashuri vendosim në të.

4. Nëse vërtet duam të dashurojmë, duhet të mësojmë si të falim.

5. Të varfrit na japin më shumë seç u japim ne atyre. Ata janë njerëz kaq të fortë, duke jetuar ditë për ditë pa ushqim. Dhe ata kurrë nuk mallkojnë, as nuk ankohen. Ne nuk duhet t'u japim atyre simpatinë, por duhet të mësojmë nga ata.

6. Varfëria më e tmerrshme është vetmia dhe ndjenja e të qenit i padëshiruar.

7. Nëse luksi na rrethon, ne humbim shpirtin. Ne do jemi të aftë të duam të varfrit nëse njohim varfërinë dhe jemi vetë të varfër.

8. Në qoftë se je i përulur, asgjë nuk të prek, as lëvdim, as turp, sepse ti e di mirë kush je.

9. Zoti do gjejë një person tjetër më fisnik, më të devotshëm, më të përkushtuar ndaj tij dhe shoqëria do vazhdojë.

10. Nëse i gjykon njerëzit, nuk ke kohë t’i duash ata.

*Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 dhe vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkutë, (Indi), ishte humaniste e njohur shqiptare, fituese e çmimit Nobel për Paqen, kurse më 19 tetor të vitit 2003 u shpall 'E Lume' nga Papa Shën Gjon Pali II.