Janë shumë veprat e letërsisë (kryevepra klasike apo bestsellers), të ekranizuara me sukses. Nga “Harry Potter” apo “Anna Karenina”, te “Panairi i Kotësive”, drama e epokës viktoriane “Krenari dhe Drejtësi” e Jane Austen-it, deri tek “50 hijet e Greit”, që pritet të shfaqet sallat e kinemave në shkurt të vitit të ardhshëm; këto janë librat që kanë kanë marrë jetë edhe në ekranin e madh. Lista është e gjatë, padyshim. Ne kemi zgjedhur 5 prej tyre.
“Harry Potter”- Bazuar në sagën e famshme të shkrimtares J. K. Rowling, seria prej shtatë vëllimesh të shitur në miliona kopje është ekranizuar që prej vitit 2001 në 9 filma me shifra rekord arkëtimesh. Efektet speciale që bënë magjistarin Potter të praktikojë magji nëpër Hogwarts, lanë pa mend shumë “Potterheads”, ashtu si ngritën një valë kritikash nga ana tjetër.
“Anna Karenina”- Romani voluminoz i Leon Tolstoit u kthye në skenar filmi për herë të fundit në vitin 2012 nën drejtimin e Joe Wright-it dhe fitoi një çmim Oscar për Kostumografinë. Libri trajton jetën e familjes Karenin dhe aventurat e aristokrates së bukur Anna me Kontin Vronski, lidhje që i kushton Anna Kareninës pozicion në familje, shoqëri dhe e shpie drejt vdekjes. Roli i protagonistes në film iu besua aktores britanike Kiera Knightley. Filmi është ndërtuar më shumë mbi performimin, sesa mbi aktrimin. A është ajo që keni imagjinuar teksa lexonit romanin? Këshilla më e mirë: “Mbani librin, hiqni filmin!”
“Getsbi i Madh” (The Great Gatsby)- Vështirë se mund të ketë libër/film ku shkrihet kaq shumë dekadencë, romancë, shkëlqim dhe festa madhështore deri në agim, pëveçse “tek Getsbi”. Filmi i vitit 2013 (i dyti ekranizim për këtë roman) përshtatur prej novelës së Epokës së Jazz-it, “Getsbi i Madh” i Francis Scott Fitzgerald, botuar në vitin 1925, ishte një sukses i vërtetë; ndryshe nga libri, i cili nga kritika e kohës u cilësua si “një histori absurde” dhe “libër i një sezoni”. Ekranizimi i kryeveprës së Fitzgerald-it me Leonardo DiCaprion në rolin e Xhei Getsbit, lançuar së pari në Maj 2013 në kinematë amerikane, fitoi dy çmime Oscar dhe u nominua në më shumë se 50 kategori.
“Një shëtitje e paharrueshme” (A walk to remember)- Dramë romantike e bazuar në novelën bestseller me të njëjtin titull të Nicolas Sparks. Ndryshimi i madh mes tyre është koha kur vendosen ngjarjet: historia e dashurisë mes Mandy-t dhe Shane-it në novelë përfshin vitet ’50, ndërsa filmi zhvillohet në vitin 1998.
“Kazino Royale” (Casino Royale)- Me gjasa pak vetë e dinë se historia e agjentit të famshëm të Shërbimeve Sekrete 007, e ka bazën tek novela e shkrimtarit anglez Ian Fleming. E shkruar në kohë rekord prej dy muajsh në Xhamajkë, dhe e publikuar më 13 Prill 1953, ajo u bë mbështetje për filmin e 21-të të spiunit James Bond. Ndryshimi i vetëm është se kreu i Shërbimeve Sekrete, M, në roman është një burrë.