Titulli: Të padukshmet

Titulli në origjinal: The secrets we kept

Autori: Lara Prescott

Përktheu: Gjergj Kaftani

Zhanri: Roman

Data e botimit: prill, 2021

Numri i faqeve: 398

Çmimi: 1400 lekë

Libri me një fjali       

Një histori e mahnitshme lirie, dashurie, spiunazhi, pasioni, që çau Perden e Hekurt në ato kohëra kur Lufta e Ftohtë prodhonte vetëm propagandë e tmerr.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Ky roman është rrëfimi i një historie vërtet të jashtëzakonshme, në një epokë kur lufta mes perëndimit dhe lindjes kish arritur kulmin. Shumë prej nesh e kanë lexuar “Doktor Zhivagon” e shkrimtarit rus Boris Pasternak, por pak e dinë historinë e botimit të këtij romani. Autorja Lara Prescott, që ka marrë emrin pikërisht nga protagonistja e “Doktor Zhivagos” vendos të na rrëfejë komplotin e fshehtë të CIA-s për botimin e këtij romani jashtë ish-BS dhe dërgimin e tij mu në zemër të Moskës.

Aty ndërthuret e rrëfehet edhe historia e paligjshme e dashurisë mes Pasternakut dhe Olga Vsjevollodovnës, e cila përfundoi edhe në Gulag për këtë shkak.

Në kulmin e Luftës së Ftohtë, dy vajza, në dukje më se të zakonshme, daktilografiste në CIA, zgjidhen mes shumë të tjerash dhe u besohet misioni më i lartë i jetës së tyre: të nxjerrin dorëshkrimin e romanit “Doktor Zhivago” nga Bashkimi Sovjetik, ku askush nuk guxon ta botojë, dhe të bëjnë të mundur që vepra madhore e Pasternakut të përhapet në të gjithë botën. Selli Forrester, joshëse dhe e sofistikuar, është një spiune eksperte që dhuntinë për mashtrim e ka përsosur përmes forcës së saj tërheqëse dhe hireve të mrekullueshme për t’u nxjerrë në shesh sekrete nga më të mëdhatë burrave të fuqishëm. Ndërsa Irina është krejt rishtare në këtë punë, por nën kujdesin e Sellit, mëson shumë shpejt si të fshihet e të bëhet e padukshme dhe të arrijë të nxjerrë jashtë vendit dokumente të rezervuara.

Sekretare që shndërrohen në spiune, mes dashurisë dhe detyrës, mes sakrificave – frymëzuar nga historia e vërtetë e komplotit të CIA-s për të depërtuar në zemrat dhe mendjet e Rusisë Sovjetike jo nëpërmjet propagandës, por përmes historisë më të madhe të dashurisë së shekullit XX: “Doktor Zhivagos”.

“Të padukshmet” është rrëfimi i një epoke të trazuar dhe i një aventure të jashtëzakonshme njerëzore, sentimentale dhe letrare. Homazh për një kohë kur “pandehnim se letërsia mund të ndryshonte rrjedhën e historisë”.

Kritika

Përmes imazheve të kthjellëta dhe rrëfimeve të gjalla, Prescott krijon një vizion drithërues postfeminist të Luftës së Ftohtë [...] Ky debutim shkëlqen jo vetëm si histori spiunazhi, por edhe si romancë historike.

Publishers Weekly

Një roman romantik dhe i mrekullueshëm, i mbushur me një trupë sekretaresh të paharrueshme.

The New York Times

I hatashëm... këtu merr jetë tërë hare një kapitull intrigues dhe pak i njohur i historisë letrare.

Kirkus Reviews

Prescott krijon një histori pasioni, spiunazhi dhe propagande.

The Wall Street Journal

Autorja

Lara Prescott është diplomuar në nivelin Master në Artet e Bukura në Qendrën Mishener për Shkrimtarët pranë Universitetit të Teksasit në Ostin.

Më herët, ka qenë aktiviste fushatash politike. Tregimet dhe shkrimet e saj janë botuar në disa revista të rëndësishme letrare në Amerikë. Është nderuar me çmimin letrar Crazyhorse për variantin e kapitullit të parë të librit “Të padukshmet”. Jeton në Ostin të Teksasit.

Fragmente nga libri

1) “Semjonovit nuk i thashë asnjë gjysmë fjale për atë që më pat rrëfyer Borja, se romani që po shkruante mund të bëhej dënimi i tij me vdekje, as për frikën që e kishte pushtuar se Stalini do ta eliminonte, ashtu si kishte eliminuar aq shumë nga miqtë e tij gjatë viteve të Spastrimit të Madh.

2) Orvatjet e eprorëve për t’i lënë në hije gratë e ish-Zyrës së Shërbimeve Strategjike s’kishin reshtur vite me radhë, ngaqë kjo rishtarja Luftë e Ftohtë, s’paskësh më vend për to. Me sa kuptohej, gishtat që dikur kishin shkrehur armë, tani shiheshin si më të përshtatshëm për t’u mëshuar tasteve të makinës së shkrimit.

3) Rojat na shpërndanë nga një copë sapun finje, një gisht gjë, pastaj hapën rubinetet e dusheve. Uji ishte i ftohtë, por në lëkurën tonë të bërë akull e ndiem si të qe i nxehtë valë. Na lanë të na thante era, mandej na pudrosën me një si biçim pluhuri, i cili do të vriste çfarëdo mikrobi që mund të kishim sjellë me vete andej nga vinim.

4) Me kohë, nisa të besoja se mund ta ndieja kur ai mendonte për mua – se vinte prej tij ai sëmbim që ndieja të më rrëshqiste tërthor zverkut e të më zbriste nga supi gjer te gjatësia e krahëve.

5) Krijimtaria shpirtërore, ka më tepër rëndësi nga prodhimi i tankeve”, ishte shprehur udhëheqësi.

6) E dinin të gjithë që Stalini kishte dobësi për poezitë e Pastërnakut, po ç’kuptim i duhej dhënë faktit që vetë Shefi i Madh ndihej i prekur nga vargjet e poetit? Me kë vallë identifikohej Cari i Kuq? Poeti e kish të vështirë të pranonte që nuk ishte më zot i poezive të tij, qysh nga çasti që ato bëheshin pjesë e botës. Me ta parë dritën e botimit për të parën herë, vargjet gjendeshin në dorën e çdokujt që donte t’i pretendonte si të vetat, qoftë ky çdokush dhe një i krisur.

7) Netëve, kur nuk mbyll dot sy, i përfytyron miqtë shpesh, duke bluar një nga një me mendje fatet e tyre. Të Ósipit*), që dridhet në një kamp të përkohshëm, i vetëdijshëm se fundin e ka fare pranë; të Paolos*), që ngjit shkallët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe ndalet një hop, para se ta vërë tytën e pistoletës në tëmth; të Marinës*), që e bën vetë lakun, mandej e hedh litarin te trau në tavan.