Libri me një fjali

Gratë u druhen burrave. Jo të gjithëve, jo gjithmonë, por ato e dinë se burrat janë të aftë të përziejnë seksin me dhunën. Ndonjëherë burrat bëjnë atë që gratë rrallë e bëjnë, nëse e bëjnë – përdhunojnë.

Informacion i përgjithshëm rreth librit

Niagara Folls, 4 korrik 1996. Tina Meguajër nuk duhej të kish marrë rrugën e shkurtër për t’u kthyer në shtëpi. Jo pas mesnate, jo përmes një parku të errët. Jo e veshur në atë mënyrë provokuese. Jo me të bijën, Bethin. Jo kur rrugëve silleshin tufa djemsh të shfrenuar prej hormoneve, alkoolit, zemërimit.

Teksa përshkon një park bashkë me të bijën, Tina Meguajër sulmohet dhe përdhunohet nga një bandë djemsh të rinj nën efektin e drogës. Viktimë e një përdhunimi në grup, e lënë gjysmë e vdekur në hangarin e varkave, Tinës dikur një grua plot jetë, tashmë i mbetet vetëm të pendohet që ka ngelur gjallë. Pasi del nga koma, gruaja arrin të identifikojë agresorët e saj, por një fushatë e tërbuar gazetareske dhe maskiliste, bashkë me bekimin e gjykatësit shpien në gjestin e pabesueshëm të faljes së fajtorëve. Xhon Dromor, ish-pjesëmarrës në luftën e Gjirit Persik, njeri idealist dhe i pasionuar pas armëve, që e kish ndihmuar Tinën menjëherë pas sulmit, hakmerret për gruan duke vrarë për vetëmbrojtje të ligjshme njërin nga të pandehurit, ndërsa të tjerët zhduken pa lënë gjurmë apo vetëvriten në rrethana të mistershme.

“Përdhunimi” nuk është roman feminist, sepse përdhunimi në vetvete nuk është çështje feminizmi, por çështje e të drejtave bazë të njeriut.

Me një ritëm tërësisht rrëmbyes, theksuar nga britma vetmitare nëpër natë dhe pëshpërima tmerri pasditeve, Joyce Carol Oates rrëfen historinë e Tinës dhe Bethit, vajzës së saj, të agresorëve të tyre dhe të hakmarrësit të tyre të heshtur, një burrë që e di fort domethënien e drejtësisë. Dhe të dashurisë.

Kritika

Oates shfaq këtu aftësitë e saj për të shkrirë një histori komplekse dhune dhe pasojat e saj të tmerrshme në një triller psikologjik që të mban me frymën pezull.

The Boston Herald

Dramatizimi sypatrembur që i bën Oates pasojave përherë e më të dëmshme të një krimi të tmerrshëm, nxjerr në pah anën e errët të besnikërisë ndaj familjes, analizon imtësisht urrejtjen që ngjallin viktimat dhe u kujton lexuesve se pushtetin e mirëfilltë nuk e ka agresori, por ai që mbijeton.

Booklist

Oates e ka shkruar këtë libër për çdo grua që ka ndier frikën e përdhunimit apo e ka provuar atë  në lëkurën e vet dhe për të gjitha gratë që i kanë parë agresorët e tyre të lihen të lirë me vendim gjykate. 

The Guardian

“Përdhunimi. Një histori dashurie” shfaq Oates-in më të mirë: turbulluese dhe e errët.

New York Times

Oates ka qenë gjithnjë shkrimtare që merr shkas nga instinktet, obsesionet dhe turbullimet e veta. Në këtë libër, ajo i hyn diçkaje tepër primitive - të thjeshtë në dukje, por shumë të thellë. 

Los Angeles Times

Një portretizim fshikullues i zyrtarëve të korruptuar dhe amoralë... Rrëmbyes dhe i ndershëm. 

The Baltimore Sun

Dora e njohur e Oates-it … turbulluese, magjepsëse dhe e ëmbël, por njëkohësisht shumë e hidhur.

Entertainment Weekly

Joyce Carol Oates provokon siç vetëm ajo di … një libër turbullues me një bukuri të mprehtë.

Cleveland Plain Dealer

Oates di si të na prekë në tela.

Boston Globe

Libri të mban pezull përherë e më shumë, deri në faqen e fundit.

Library Journal

 

 

Autorja

Joyce Carol Oates (1938) është një prej shkrimtareve bashkëkohore amerikane më të vlerësuara si nga publiku, edhe nga kritika. Ajo është e njohur për romanet, tregimet dhe esetë e saj, si dhe për stilet dhe zhanret e ndryshme në të cilat shkruan. Veçanërisht të fuqishme janë përshkrimet e saj mbi dhunën dhe të keqen në shoqërinë moderne.

Duke filluar me përmbledhjen me tregime By the North Gate (1963), ajo ka pasur një krijimtari të pasur, shpesh duke portretizuar njerëz, që shpesh përfundojnë në gjakderdhje dhe vetëshkatërrim për shkak të forcave jashtë kontrollit të tyre. Romanet e saj më të mira përfshijnë: We were the Mulvaneys, Do with me what you will, Foxfire, Beasts dhe Blonde, roman kushtuar jetës së Marilyn Monroe-së, i cili së shpejti do të vijë në gjuhën shqipe, botuar nga Pegi.

Është nderuar me çmime të shumta si National Book Award, PEN/Malamud etj. Është anëtare e Akademisë Amerikane të Artit dhe Letërsisë.

Fragmente nga libri

1) Ja, kësi fjalësh do të thoshin njerëzit për mamanë tënde, Tina Meguajërin, pasi atë e kishin përdhunuar në grup, e kishin shembur në dru dhe e kishin lënë të jepte shpirt në dyshemenë e hangarit të qelbur të varkave në parkun “Roki Point” në minutat e para të 5 korrikut 1996.

2) Sikur ta kishin menduar mirë atë punë përdhunuesit, sikur të mos kishin qenë aq të pirë, aq të droguar, aq të ndezur, do të kishin bërë çmos që ajo të kishte vdekur. Bashkë me të bijën dymbëdhjetëvjeçare që zvarrë-zvarrë kishte arritur të fshihej prapa stivës së varkave.

3) Fytyrat rendin drejt teje. Me dhëmbë të zgërdhirë, me sy vezullues. Si një kope qensh. Turravrap! Tre prej tyre ju dalin përpara, ju sprapsin. Ju ngacmojnë, qeshin. Gamitin si qen.

4)     Si i vete filli jetës... Si i vjen fundi!

Fat i mirë, fat i keq. Thjesht çështje fati.

5)     ...fëmijëria i përkiste kohës përpara, tashmë ti jetoje në epokën pas.

6) Ajo që nuk kishe kuptuar. Atë që s’mund të ta kishte thënë askush. Që përdhunimi nuk ishte një ngjarje aksidentale që kish ndodhur një natë në park, po aq rastësisht sa ç’bie rrufeja, por do të ishte, paskëtaj, krejt thelbi i jetës së Tina Meguajërit, rrjedhimisht, edhe i jetës sate.

7) Po, edhe mund t’u ketë buzëqeshur, domethënë e ka kruajtur vetë. Vërtet buzëqeshja mund të kish qenë e nderë, nervoze, siç mund t’i buzëqeshësh ndonjë qeni që të hakërrohet, por ama buzën e kishte vënë në gaz, atë buzën gjithë të kuq të Tina Meguajërit, me ato leshrat e saj. Ia kishte bërë vetes, e kishte kruajtur vetë. Çunat kishin orë të tëra që sorollateshin nëpër park, në kërkim të sherrit. Në kërkim të qejfit

 

Titulli: Përdhunimi

Një histori dashurie

Titulli në origjinal: Rape A love story

Autore: Joyce Carol Oates

Përktheu: Jerina Dushku

Zhanri: Roman

Data e botimit: tetor, 2022

Numri i faqeve: 173

Çmimi: 1000 lekë

Koleksioni: Lotus