Tashmë prej 12-vjetësh, shkolla profesionale Sirea Film me në krye themeluesin e saj, Leonard Bombaj, i është përkushtuar zbulimit të talenteve, fëmijëve dhe të rinjve që duan të bëhen dikush në jetë. Vetë regjisori i njohur, sfidat i ka pëlqyer qysh në të ritë e tij, por prej vitesh kjo lloj sfide duket se e ka tërhequr çdo vit e më tepër, ashtu si bota e pafundme e fëmijëve, që nga njëri brez në tjetrin sjell të papritura. Sirea Film, shumë shpejt do të nisë regjistrimet për të tërhequr pranë vetes fëmijë dhe të rinj që duan të provojnë veten në fusha të ndryshme, aktrim, kërcim, këngë etj., por Leonard Bombaj shpjegon se qëllimi i kësaj shkolle shkon shumë më larg se kaq. Në një intervistë ekskluzive për revistën Class, ai zbulon risitë e këtij viti dhe qëllimet që i kanë vënë vetes për të ardhmen. Limiti? Një ditë ta shohin veten në një International School of Performing Arts.

Çfarë do të thotë për ju 12 vjet në zbulimin e talenteve?

Do të thotë të marrësh fëmijë 8-vjeçarë me sytë plot etje, t’i rrisësh artistikisht dhe pas 12-vjetësh, kupton se je rritur bashkë me ta. Mbi 500 fëmijë të trajnuar, disa mijëra kilometra turne, dhjetëra orë programe në televizion, mijëra dollarë të mbledhur për fëmijë talasemikë, dhe nëse mbledhim numrin e spektatorëve realë dhe virtualë, Sirea Film është shteti i parë shqiptar banuar nga Fëmijë dhe Prindër. 

Cila është risia këtë sezon të ri regjistrimesh në Sirea Film?

Programi 3T (tre talente brenda një seance - Këngë, Aktrim, Dance.) Program i përshtatur nga shkolla botërore dhe literaturë nga Oxford University. 

Programi për herë të parë për Host-Tv (prezantues televizioni). Tre muaj teori dhe praktikë. Një muaj stazh dhe mundësi punësimi në televizione.

Program 5-mujor intensiv, 5 ditë në javë, trajnim i nivelit kolegjial aktrimit për 16 vjeç plus. Për ata që duan të shkojnë në Universitetin e Artit apo audicione.

Programe të disiplinave të veçanta; Dance, Aktrim, Këngë për çdo moshë.

Program Test-Fundjavor. Pra, në një fundjavë zbulon “Ia vlen???”

E vetmja gjë monotone që kemi në Sirea Film është se kemi “Pedagogë njerëz të mirë dhe Profesionistë të Zotë” (humor)

Çfarë prisni të sjellë kjo risi?

Kjo risi zbulon motivin që na nisi në këtë rrugë. Jemi në një Shqipëri ku 80 për qind e rinisë ëndërrojnë ikjen. Ndërsa neve kemi zbuluar se shqiptari është raca që guxon të shpresojë. Neve mendojmë se iku “Stuhia e Ndërtimit të Pallateve”. Biznesi më i madh në Shqipëri është përmirësimi i cilësisë së jetës. Çfarë presim nga kjo risi? Brez optimist, të barabartë me bashkëmoshatarët në botë. Profesionalë në skenë dhe ekran. Siç ka Krasta, Çani, Balla, Vejsiu, le të ketë edhe Boni, Roni, Dea, Rea, gjenerata e nesërme. Të mbjellim për të nesërmen. Dhe pastaj të themi: “Nëse dikush ulet në hije sot, një tjetër ka mbjellë pemë dikur.”

Cilët janë disa nga personazhet e njohur që kanë dalë nga kjo shkollë talentesh?

Së pari, të themi emrat që ekrani i njohu këto vite. Kripëmjaltëzat, Seriali “Fresk Fare” që në YouTube po ndiqet çmendurisht nga junioret. Kemi emra që nga Nik Xhelilaj, Klea Huta, Boni, Ori, por ka disa prej tyre që sot na përshëndesin nga Zelanda, U.S.A. madje dikush përshëndet: “Hej, Sirea film, a besoni që përgatis fjalime për Berluskonin? Ja për çfarë vlejti kultura, fantazia, aty.”

Me cilin mund të krenoheni më shumë?

Sigurisht me ata që nuk kanë lindur akoma. Ose ata kanë lindur, por neve duhet t’i zbulojmë dhe t’i promovojmë.

Cilat janë objektivat që i keni vënë vetes për këtë sezon të ri?

Sirea Film të jetë qendër artistike, qendër argëtuese, agjenci promovuese dhe t’jua themi sekretin? Sirea Film është më shumë se një institucion arti. Neve synojmë komunitet prindërish-fëmijësh-artistësh. Së bashku edhe do udhëtojmë, do hamë me njëri tjetrin, do krijojmë kujtime të bukura, dhe një ditë do të shohim veten me një International School of Performing Arts.

Cilat janë grupmoshat që aplikojnë më shumë?

Mamat! Sepse ato japin jetën për bebat e tyre që nga 3 deri 13 vjeç. Dhe përgjegjësia jonë matet me dihatjen e prindit për fëmijën. Po vijnë shumë fëmijë 4 deri 6 vjeç. Po pasohen me fëmijë 7 deri 13 vjeç. Tani po fillojnë të vijnë adoleshentët 16 vjeç plus.

Janë prindërit që zgjedhin më shumë talentet e fëmijëve apo janë kryesisht fëmijët ata që duan të ndjekin ëndrrën?

Në përgjithësi klientela ndahet qysh në “kohët e lashta” kështu: Prind që do të kulturojë fëmijën, prind që do t’i heqë gishtin nga goja fëmijës, prind që beson se në shtëpi ka një Star dhe prind që bën vetë kurs danci për shembull. Te vegjlit, sigurisht sillen nga prindërit. Adoleshentët vendosin vetë.

Çfarë përfitojnë më shumë të rinjtë që vijnë pranë agjencisë suaj?

Në radhë të parë një skanim psiko-fizik të vetvetes. Zbulojnë se depozitojnë më shumë se sa ishin në dijeni. Fitojnë një vetëdije sociale, artistike. Mësojnë ligjin e pranimit. Sigurojnë një “Valixhe të Artë” që do t’u duhet në të ardhmen si artistë apo qytetarë. Sepse Jack Nicholson thotë: “Acting is everybody’s second job” (Aktrimi është profesioni i dytë i çdo njeriu.)

Në ditët e sotme, adoleshentët e kanë kohën më shumë të mbushur me rrjetet sociale dhe zhvillimet e teknologjisë. Cili është plani i agjencisë suaj për t’i shkëputur ata nga kjo mënyrë jetese e për t’i bërë më të dobishëm në shoqëri?

Ne kemi plan atë që M. Zuckerberg ka për të ardhmen. “We can’t expand long time horizon by short term thinking. (Nuk mund të hapim horizont jetëgjatë me mendime të vockla). Miqësia jonë artistike ofron jo vetëm trajnime, por edhe projekte artistike, shkolla verore artistike, muzikale të ardhshme.

Cili është mesazhi social që përcjell Sirea Film?

“Mos u bëj spektator i jetës së dikujt, por behu aktor i jetës tënde.” Dhe nëse fati nuk të troket, eja! Se bashku ndërtojmë një derë.

Çfarë e pret një të ri pasi ka dalë nga Sirea Film? 

Një “pasqyrë” ku do të shohë veten tjetër njeri, që do ta adhurojë. Do e presë një opinion që dikur nënqeshte, pastaj e injoroi, por tani ai fitoi. Dhe kush i fal Trupin-Shpirtin-Trurin artit, ai absolutisht do krijojë Atdheun e tij ose, më fal: ART DHEUN e tij! Këtu neve na ka bashkëkombës.