Filmi triller “Pikë uji”, filmi i tretë i regjisorit Robert Budina që të mban frymën pezull, do të ketë së shpejti premierën e tij botërore në kinematë e territoreve shqipfolëse, për të vijuar shfaqjen më pas, në kinematë e të gjitha vendeve të Ballkanit, Spanjës, Italisë, Austrisë dhe Gjermanisë.
Në filmin e tij të tretë, “Pikë uji”, regjisori Robert Budina hulumton botën psikologjike të një nëne, e cila në kërkim të së drejtës duhet të përballet me një sistem të pamëshirshëm manipulimi, nga i cili kish përfituar deri më sot. Një triller emocionues që ngre një pyetje thelbësore: deri ku mund të mbërrijë një nënë, për të mbrojtur birin e saj? Me eksperiencën e regjisorit Budina dhe kastin e mrekullueshëm të aktorëve, udhëtimi në një botë të mbushur me mister dhe emocione do të jetë magjepsës.
Kast i aktorëve përbëhet nga Gresa Pallaska - Aida, një nga aktoret më të dashura për publikun mbarëshqiptar, Arben Bajraktaraj – Iliri, një aktor shqiptar tashmë me famë botërore, i cili jeton dhe zhvillon aktivitetin e tij teatral dhe filmik në Paris, Adem Karaga – Elvisi, aktori shqiptar shumëdimensional i teatrit dhe filmit nga Maqedonia e Veriut, Gerhard Koloneci – Beni, një aktor shqiptar që jeton në Itali, i cili ka filluar të luajë role të rëndësishme në kinemanë italiane, Kodjana Keco - Monda, tronditëse me rolin e saj në këtë film, aktore shqiptare që zhvillon aktivitetin e saj në New York, e deri te talentet e reja natyrale si Paolo Iancu - Marku, i cili jeton në Bukuresht dhe ka filluar të luajë role në kinemanë dhe teatrin rumun dhe Henri Topi – Denisi, një i ri pogradecar, i cili premton të jetë një nga zbulimet aktoriale shqiptare në të ardhmen.
Robert Budina, është regjisor dhe producent që iu dedikua botës së filmit, pasi mbaroi studimet për regji teatri, shkroi dhe vuri në skenë shumë pjesë teatrale. Shtysa kryesore në gjithë veprat filmike të tij, ka qenë trajtimi psikologjik i individit shqiptar në sfidat e tij përballë një realiteti social politik në tranzicion të vazhdueshëm.
Kujtojmë që Budina ishte autori, skenaristi dhe regjisori i filmit serial KATRORI I PUSHTETIT në vitin 2022, i cili u shfaq në televizionin kombëtar KLAN dhe pati një audiencë rekord në rreth 40%.