Shtrimi i tryezës dhe zbukurimi i saj mund të themi se janë art më vete. Zgjedhja e menysë dhe shumëllojshmëria e recetave nuk do të mjaftonin për të arritur atmosferën e dëshiruar, sidomos kur bëhet fjalë për një event të veçantë. Tradita shqiptare ndër breza është shquar për mikpritjen e veçantë të miqve dhe çdo gjë duhet të jetë sa më perfekte.

Nuk dini nga t’ia nisni? Class ju vjen në ndihmë me disa këshilla të vlefshme mbi aksesorët që nuk duhet t'i mungojnë tavolinës. Mos harroni! Çdo element i saj ka një rol të caktuar.

1. Mbulesa - synoni mbulesat dhe pecetat njënjgyrëshe, në tone të lehta. Lulet apo printet e shumta do të krijonin “zhurmë” dhe bukuria e pjatave nuk do të ishte në plan të parë. Në këtë rast kemi vendosur ta mbajmë shumë minimal në dekor, çdo gjë e bardhë, perfekte për të dhënë idenë e pastërtisë dhe elegancës në të njëjtën kohë.

2. Pjatat, lugët dhe gotat (pozata) - shtrimi i tyre ka një rregull preciz. Pjata e madhe dhe sipër pjata e antipastës. Luga dhe thika në të djathtën tonë kurse piruni në anën e majtë, me majat lart, jo përmbys. Gotat mund të jenë sipas dëshirës, në variacion të pijeve (verë, ujë etj).

3. Aksesorët – Janë të pafundmë. Nga mbajtëset e pecetave e deri tek personalizimet e tyre. Peceta zakonisht vendoset mbi pjatë, ku bashkangjitur mund të lini një pusullë të personalizuar për secilin nga miqtë. Kjo është një mënyrë shumë e veçantë për të treguar rëndësinë që ata kanë për ju.

Një  element tjetër që mund të luani me ngjyrat, janë gotat. Keni shumë mundësi zgjedhjeje por kujdes, ato duhet të jenë në harmoni të plotë me pjatat e çdo gjë tjetër. Nëse nuk jeni të sigurta, atëherë zgjidhni ato prej kristali. Nuk do t'ju zhgënjejnë asnjëherë. Vendodhja e tyre është gjithmonë sipër thikës, në renditje nga më e madhja tek më e vogla.

Kontrasti me të bardhën jep ndjesinë e thjeshtësisë dhe elegancës prandaj mbajini shënim sepse këto janë mësimet bazë për të qenë një amvisë e perfekte, jo vetëm në kuzhinë.

Kur të vendosni për qirinjtë, aksesorët mbajtës të tyre janë me mijëra. Në këtë rast dekori është mbajtur i thjeshtë duke qenë se nuk kishte një temë të caktuar. Mbajtëse prej kristali apo prej metali, nuk ka rëndësi. Mundohuni t'ia përshtatni dekorit në tërësi duke synuar ngjyrat e florinjta apo ato metaliket. I gjejmë shpesh në tavolinat e stilit klasik- barok, duke dhuruar një atmosferë klasike dhe shumë romantike.