Korça njihet për kulturën, qytetarinë dhe emancipimin e saj. Që ndoshta ka qenë më i madh edhe sesa e imagjinojmë. Edit Durham e përmendte  në shkrimet e saj si qytetin më të pastër të Perandorisë Osmane. Ajo është e njohur edhe për shkollën e vajzave, por në Korçë vajzat nuk shkonin vetëm në shkollë, ato dilnin në kafenetë e qytetit, siç e tregon një foto e publikuar nga Konica.al e vitit 1927, ku Kafe Panda është plot me vajza.

Madje, jashtë çdo imagjinate, në Korçë është zhvilluar në vitet ’30 edhe Miss Korça. Konica.al ka publikuar një foto nga ajo ngjarje. Është viti 1931 dhe shohim që vajza nga gjithë krahina po marrin pjesë në Miss. 60 vjet më vonë, kur u zhvillua Miss Albania e parë në Shqipëri, kjo ngjarje ishte një arritje, ndërsa në Korçë është zhvilluar që në atë periudhë, njësh me vendet më të zhvilluara të globit.

Fotot: Konica.al

Nuk është rastësi emërtimi në vite i Korçës Parisi i vogël. Hyrja e pushtuesve francezë në 1916, apo hapja e Liceut Francez janë disa nga shpjegimet më të besueshme të këtij emërtimi, por në Korçë ka pasur me të vërtetë shumë elementë që e afronin qytetin juglindor shqiptar me disa nga vendet e Evropës.