Mediat kosovare kanë shkruar para disa javësh për një dasmë shumë të shtrenjtë që është zhvilluar në Kosovë. Dhëndri, një djalë që jeton në Zvicër, ka shkuar ta marrë nusen me helikopterë, ndërsa krushqit kanë mbërritur me një varg limuzinash. Kostoja e kësaj dasme, siç ka thënë djali që i dha fund beqarisë, ishte mbi 100 mijë Franga zvicerane ose Euro.

Dasma, e transmetuar nga dasma.tv është komentuar edhe në protalin zviceran “20min.ch”, i cili siç shkruan Indeksonline, është bazuar në komentet që njerëzit kanë bërë në rrjetet sociale për shifrën e kësaj dasme.

“Për këtë udhëtim të tij, dhëndri ishte përkujdesur për të ftuarit e tij duke i rehatuar në limuzina amerikane. Ai kishte aranzhuar jo më pak se 11 makina luksoze. Shumë komente nëpër rrjete sociale kanë kritikuar këtë veprim të kosovarit me nënshtetësi zvicerane, duke marrë parasysh që Kosova është një vend i varfër”, shkruan në artikullin e saj. Portali ka cituar një komentues ku ka shkruar “me këtë shumë do të mund të ndërtoheshin tri shtëpi për familjet në nevojë në Kosovë”.

Portali zviceran ka treguar me fakte gjendjen e keqe financiare me të cilën përballet populli kosovar. “Sipas statistikave zyrtare, një e treta e popullatës jeton në varfëri”, ka shkruar portali sipas Indeksonline.

Zviceranëve kanë shkruar edhe që, megjithë luksin e kësaj dasme, nusja nuk dukej aq e lumtur, por ndoshta vajza që martohej me gjakovarin ka respektuar traditën e vjetër shqiptare të një nuseje që nuk duhet të qeshë kur largohet nga shtëpia e prindërve, por këtë sigurisht që në Zvicër nuk kanë si e kuptojnë.