Marsida nga Sukthi ishte sot e ftuara në “Ka një mesazh për ty”. Prej 5-vitesh e divorcuar dhe me një djalë 5-vjeçar, ajo jeton në Sukth me familjen e saj, por ka kuptuar se mund të bëjë edhe më shumë se kaq për veten dhe për djalin.

Një vit pas martesës, Marsida vendosi t’i japë fund lidhjes me bashkëshortin për shkak të problemeve të vazhdueshme që kishte pasur me të. Vetëm 18-vjeçare, ajo vendosi për të zgjedhur njeriun e jetës, me mblesëri, por mosprania e tij e bëri të mos jetonte e qetë dhe e lumtur, edhe në një shtëpi që ia krijonte të gjitha kushtet ekonomike.

“Pas lindjes së djalit, unë kaloj në depresion. E kisha kuptuar që kisha diçka problematike që po më ndodhte te vetja, sepse ai asnjhëerë nuk me kishte qëndruar afër. Nuk e doja fare as djalin, sepse kisha krijuar përshtypjen që kisha një djalë me një njeri që nuk më do. Si do ta dojë ai djalin tim?”

Pas daljes nga spitali, mjeku u kishte këshilluar familjarëve që t’i gjenin Marsidës një psikiatër, por familjarët e bashkëshortit nuk e pranonin dot faktin që nusja e tyre ka probleme: “Si ka mundësi që unë do të shtrohesha në spital apo do merrja mjekime nga një psikiatër?”

Pasi kaloi një muaj në psikiatri, Marsida u rikthye shëndoshë e mirë në shtëpinë e saj. Prej disa vitesh, ajo ka gjetur gjithmonë mbështetjen e së ëmës (dhe jo aq të të atit). Por, ka ardhur koha, tha ajo, që ta marrë vetë në dorë jetën e saj.

Pasi në program erdhi edhe e ëma, Marsida iu drejtua asaj me kërkesën:

"Kam nevojë që vendimet e mia t’i marr vetë, më duket sikur koha po kalon dhe s’po bëj dot asgjë për djalin tim. Ti je marrë shumë me të, por doja të thoja që ka ardhur momenti që edhe unë të jetoj vetëm me tim bir, sepse në fshat nuk arrin dot gjë… Nuk jam gocë katundi unë, më pëlqen të jetoj në qytet”, – i  tha ajo së ëmës.

Kjo e fundit, me pasigurinë që e shprehu hapur, tha se e respekton zgjedhjen e Marsidës, por ka frikë nëse do ia dalë e vetme. Për këtë arsye, ajo propozoi që djalin të vazhdojë ta mbaje edhe për disa kohë.  

“Është zgjedhja e saj. Frika ime është pasiguria ndaj saj, kam pasur frikë se mos bënte hap të gabuar”, – tha e ëma.

Marsida nuk dëshiron ta lërë vetëm djalin. Pa të, ajo nuk bën asnjë lëvizje, kështu që i  duhet edhe pak kohë derisa ta bindë të ëmën për ta lënë të jetojë e lirë dhe e pavarur.