Nëse e ëndërron, mund ta kesh. Nëse e ke, mund ta prekësh, ta ndjesh dhe ta shijosh. Nuk është klishe, as luks, as vegim, as përjetim i një bote tjetër që nuk e arrin dot sepse ashtu ia ke thënë vetes. Nuk është e pamundur siç e ke menduar, as e paprekshme. Është e gjallë, afër teje. Është përrallë që mund ta jetosh… nëse do. 

Deti është sëmundje. Nëse je mësuar të jetosh me të, e di mirë që e ke nevojë, pasion, dashuri që nuk të ndahet. Po si është ta kesh punën gjithmonë të lidhur me detin? Dhe jo me detin dosido, në një anije dosido, por në një kroçera. Nga ato me 17-18 kate, me pasqyra kristali, me shkallë me gurë Svarowski, me ambiente luksi brenda dhe jashtë e me gjithçka tjetër që ndoshta as në ëndërr nuk i ke parë.

Afërdita Rrumbullaku, themeluesja e së vetmes agjenci punësimi në profilin e saj, Kouzon, vjen në Class në një rrëfim për biznesin, i cili numëron sot qindra të rinj që rrugëtimin e parë të jetës e kanë nisur nga një kroçerë. Është një udhëtim jete që, më shumë se gjithçka tjetër, të mëson të jetosh me dallgët, me erën, me luksin, me hapësirën e pafund, me lirinë…
Duket përrallë të kesh një mundësi të tillë, por pas kësaj bisede me Afërditën dhe Erën, nënë e bijë, në krye të një kompanie rekrutimi për të rinjtë që kanë dëshirë ta nisin jetën e tyre nga një punë në kroçera, nuk është më e tillë.

Si ju lindi ideja për të hapur një biznes të tillë në Shqipëri?

Afërdita: Kur kemi hapur zyrën Kouzon Albania, para 8-vjetësh, kemi pasur shumë qëllime. Puna prej rreth 20-vjetësh me programe të ndryshme studimi, më kishte bërë të kuptoja se nevoja për punësim qe rritur shumë. Dëshira që njerëzit të kishin shanse për t’u punësuar po rritej dhe në momentin që m’u ofrua për herë të parë punësimi i një stafi të kualifikuar për kroçera, nuk isha e përgatitur. E mendoja si diçka shumë të vështirë, sepse nuk kishim informacion dhe nuk e dija se si mund të implementohej diçka e tillë në tregun shqiptar të punësimit. Nuk kishte informacion dhe kishte mungesë trajnimesh. Unë vetë kam bërë shumë trajnime, edhe online, edhe në Amerikë. Derisa u binda. Në fund të fundit, rrezikova.
Filluam bashkëpunimin me një korporatë shumë të fuqishme, Kouzon. Unë përfaqësoj Kouzon Albania, jam menaxhere e zyrës prej 8-vjetësh.

Ishte e vështirë të gjeje njerëz, të rinj, të interesuar për t’u punësuar në një kroçerë?

Afërdita: Në fillim, kisha frikë se po. Nuk dija se si do të bëja boom. Pavarësisht ambicies së madhe që kam si natyrë, mendoja se vështirësia më e madhe ishte te fakti se si do të gjeja atë kontigjent njerëzish që kërkohet në kroçerë. Fillimisht, nisëm bashkëpunimin me Royal Caribbean Company, e dyta në botë nga numri i anijeve dhe i të punësuarve. Mendohet që në të tilla kompani ka me mijëra njerëz të punësuar. Ishte risk i madh, por luajta me zjarrin. Fillova dalëngadalë të rekrutoja të rinjtë që i kisha pasur studentë (meqenëse kam punuar mësuese). Nxënësit e mi më besonin dhe dalëngadalë krijova aplikantët e parë që u ngjitën në anijet e para.

Po përveç nxënësve, të rinjtë e tjerë si i rekrutuat, si e merrnin ata informacionin?

Afërdita: Në fillim, për rekrutim na ndihmuan rrjetet sociale, por edhe prurjet zinxhir. Siç e thashë edhe më lart, e nisa me studentët e mi. Fillova t’u propozoja punën në anije, sepse e shihja që një pjesë e mirë e tyre, ata që sapo kishin mbaruar universitetin, ishin pa punë dhe e kishin të vështirë për të gjetur diçka të qëndrueshme. Përveç kësaj, edhe në kushte të vështira financiare. Dalëngadalë, filluam edhe me programet e rekrutimit, sot jemi Student Employment Services, por gjëja për të cilën edhe unë kam ndier kënaqësinë më të madhe është që punësimi, aq i domosdoshëm për shqiptarët, filloi të merrte formë tjetër. Dhe, për çudinë tonë, programe të tilla u përqafuan menjëherë. 
Nuk ka qenë e lehtë të arrihet deri këtu, por as e vështirë, sepse mund të marrësh informacion, mund të shikosh, mund të informohesh për përshtypjet e atyre njerëzve që e kanë kaluar si eksperiencë.

Si është të punosh në një kroçerë?

Afërdita: Është puna më e bukur në botë. Sidomos për të rinjtë është një mundësi për ta nisur jetën me një punë që jo vetëm u siguron të ardhura të mira, por edhe u jep mundësi ta shohin botën nga deti.
Njerëzit që punojnë në anije, në përgjithësi konceptohen si ‘i gjori ky që rri mbyllur në anije’, por kjo nuk është absolutisht e vërtetë. Punonjësi, ashtu si edhe turisti, në çdo ditë kur kroçera ankorohet, mund të dalë dhe të vizitojë vendet njëlloj si një turist i saj (një turist, për të parë sa më shumë vende, nuk harxhon shumë lekë për të shkuar nga një ishull në tjetrin me avion, sepse ka kosto).
Anijet lundrojnë natën në oqean dhe pastaj, në mëngjes, ankorohen që të zbresin turistët në tokë. Në kohën kur zbresin turistët, pas një ore, edhe stafi ka të drejtë të zbresë. Në këtë kohë që po flasim, fotot e shqiptarëve nëpër profilet sociale vijnë nga Karaibet. Ata i shijojnë vendet njësoj si turistët. Thjesht kthehen në anije një orë më parë. Kusht kanë që të mos dalin në ishull me veshjet e punës. Por mund të shijojnë çdo cep të globit njëlloj si turistët.


Era: Puna në anije është një mundësi shumë e mirë sidomos për të rinjtë. Sa herë që grupmosha të caktuara, 20-25 vjeç, vijnë në zyrën tonë, unë mundohem t’i ndihmoj shumë. Mendoj si për veten time. Kjo është një punë që nuk siguron vetëm të ardhura, por një punë që të hap horizonte, të bën ta shikosh botën ndryshe dhe, natyrisht, është një punë në të cilën do të rikthehesh. Ne nuk na ka ndodhur që të punësuarit e kroçerave ta mbyllin këtë eksperiencë vetëm me një kontratë, asnjë rast i vetëm. Sapo kanë mbyllur kontratën e parë, kanë kërkuar të nisen sërish. Dhe kjo për ne është shumë e rëndësishme. Të punosh në anije është një kënaqësi e madhe, jo vetëm për të punuar, por edhe për ta shijuar botën.

Është e vështirë përzgjedhja e aplikantëve, ç’kritere duhet të përmbushin?

Afërdita: Nuk diskutohet që përzgjedhja nuk është e lehtë, sepse mund ta përzgjedhësh nga personaliteti, nga komunikimi, nga njohuritë e përgjithshme, anglishtja, por nuk mjafton. Sapo të interesuarit vijnë në zyrën tonë, përveç njohurive të shkëlqyera të anglishtes, kriteri primar, duhet të kenë edhe atë që ne e quajmë ‘banana smile’, pra duhet të kenë kriter buzëqeshjen. Kur më vjen ndonjë aplikant, unë e kuptoj që në fillim nëse është i denjë për të aplikuar apo jo. Pasi flet anglisht mirë, i them ‘shto edhe babana smile’ dhe hajde tek ne’.
Natyrisht, çdo aplikant sjell një dokumentacion, të detajuar dhe të kujdesshëm, për të cilin merr informacion pranë zyrës sonë. Ata që aplikojnë janë kryesisht të rinj që sapo kanë mbaruar universitetin, pa punë, me vështirësi financiare, ose duan të ndihmojnë familjet etj. Por universitetin nuk e kemi kusht. Ne kemi punësuar edhe të rinj 18-vjeçarë, të cilët janë nisur dhe janë rikthyer për të rinovuar kontratën.
Aplikantët perfektë, them se janë ata që kanë jetuar për pak vite në emigracion, sepse buzëqeshjen e kanë të lindur, kanë kulturë pune dhe janë mësuar me të.

Çfarë ndodh pas aplikimit, si përgatiten të rinjtë për t’u përzgjedhur si staf i një kroçere?

Afërdita: Në fillim bëjnë aplikimin dhe pastaj bëjnë një trajnim me ne, me një pagesë modeste. Trajnimi bëhet nga të huajt. Pas kësaj, të interesuarit janë gati për t’u intervistuar. Për këtë të fundit ne i asistojmë shumë duke u vënë në dispozicion edhe materiale që u japin mundësi të përgatiten. Ne i ndihmojmë shumë, edhe kur janë pa eksperiencë pune.
Trajnimi ka njohuri të përgjithshme dhe kryesisht informacione për barin dhe restorantin. Kush do të punojë në dyqane, duhet të mësojë shumë gjëra, sepse janë dyqanet me parfumeri, veshje me marka nga më luksozet, bizhuteritë nga më ndryshmet.

Cilat janë profilet për të cilat janë më shumë të interesuar të rinjtë shqiptarë?

Afërdita: Profilet janë nga më të ndryshmet. Fillojnë që nga bar-restoranti e deri te inxhinierët, së fundi kemi edhe mjekë dhe pa limit moshe. Të gjithë mund të përgatiten paraprakisht. Ne kemi çuar edhe inxhinierë në anijet në Mesdhe. Puna që ka përqindje më të lartë është ajo e dyqaneve, sepse aty mundësitë janë të pafundme. Por edhe pozicionet e tjera jo më pak.  
Shqiptarët punësohen me ‘Royal Caribbean Cruises’, ‘Norwegian Cruise’, por në masë punësohen ‘MSC Cruises’, një kompani me bazë në Gjenevë, me 15 anije në pjesën tjetër të botës.
Në anije, ne kemi takuar njerëz që kanë 20 vjet që punojnë. Dhe nga ata që e nisin në pastrim dhe kanë kaluar në menaxhim. Kemi një mikun tonë, që e ka nisur punën në anije para shumë vitesh. Aty njohu një vajzë nga Filipinet dhe sot, të dy marrin 10 mijë dollarë në muaj, sepse e kanë familjen aty. Bënë edhe dasmën në anije. Ajo punon në Spa, ndërsa ai si ‘room servis menager.’
E para vajzë që është ngjitur në anije nga ne është një vajzë nga Fieri, e cila tani jeton në Amerikë, pasi u njoh në anije me një djalë grek. Punoi disa kohë, fitoi para, rinovoni kontratën, njohu partnerin dhe sot jetojnë në Astoria, New York.

Si janë kontratat?

Afërdita: Kontratat janë shtatëmujore. Na ndodh shpesh kur vetë aplikantët në bord të anijeve bëjnë kërkesë për ta shtyrë kontratën. Kishim një vajzë nga Elbasani që javët e para i nisi me shumë siklet. Kishte mbaruar për IT, ndërsa në anije u punësua si kameriere bari. Në fillim ndjeu pak lodhje, por pastaj e bëri kontratën 10 muaj. Pothuajse të gjithë i rinovojnë kontratat. Ata që e fillojnë karrierën nëpër anije, nëpër kroçera, vazhdojnë vite të tëra me këtë punë. Kur kthehen nga kontratat, vijnë te zyra, më takojnë dhe thonë ‘do rri nja dy muaj pushim’. Por pas tri ditësh vijnë sërish dhe më thonë ‘dua të iki që nesër’, sepse deti është edhe sëmundje.

Cila është garancia që u jepni ju këtyre aplikantëve?

Afërdita: Sot, pa modesti, e them që njerëzit vijnë vetë dhe nuk është nevoja që t’i kërkojmë. Fillimisht na është dashur të punojmë shumë, por tani na vijnë te zyra dhe na thonë se jemi të vetmit që nuk mashtrojmë. Njerëzit duan besueshmërinë. Ne jemi zyra e vetme në Shqipëri, pjesë e Konventës Ndërkombëtare, që ofron garanci maksimale për të gjithë të rinjtë që rekrutohen për t’u punësuar në një biznes të tillë.
Në fillim mund të kemi pasur edhe ankesa për vështirësi. Kjo, për shkak se shumë prej të rinjve që aplikonin, e merrnin më shumë si një udhëtim sesa si një punë. Kam një përgëzim shumë të madh për kontingjentin e femrave. Të gjitha ato me të cilat kemi punuar, kanë qenë shumë serioze.

Po anijet brenda si janë, cilat janë kushtet që u ofrohen këtyre punonjësve?

Afërdita:Anijet janë jashtë imagjinatës së njeriut. Të paktën unë nuk e kisha imagjinuar kurrë që anijet janë ashtu siç janë. Në vitin 2016, kemi bërë në fund të tetorit një udhëtim nga Majami, në ishujt e Karaibeve, familjarisht. Jemi munduar që brenda 8 ditëve, përveç kënaqësisë së të qenit turistë, të shikonim edhe si ishte kroçera brenda. Anijet brenda janë me shumë kate. Ato me të cilat punojmë ne janë me 17-18 kate, me suita, me dhoma luksoze apo edhe dhoma të thjeshta. Kushtet për punonjësit janë mëse normale. Natyrisht, punonjësit nuk hanë te bufeja e turistit, por kanë një mensë të vetën me të gjitha llojet e ushqimeve, mishra, fruta e gjithçka kanë nevojë.
Anijet kanë gjithçka brenda, janë super luks. Shumica e tyre i kanë shkallët me gurë Svarowski, ashensorët me pasqyra kristali. Ekzistojnë edhe baret me robot. Ka spital, por ka edhe morg. Ka njerëz të pasur në Amerikë që nuk duan të mbyllen në azile dhe zgjedhin që vitet e fundit të jetës t’i kalojnë në kroçera. Sepse kanë të gjitha kushtet e mundshme. Turisti është mbret, por edhe punonjësi është mbret.

Sa fitojnë ata që punësohen në kroçera?

Era: Paga e tyre më e ulët është 800 dollarë dhe me komisionet e kompanisë shkon deri në 1200. Mesatarisht është 2000-2500. Shumica e aplikantëve, ata që shkojnë për të ndihmuar familjet (shumica e tillë është) janë kënaqur me punën e detit. Shumë prej aplikantëve na kanë treguar në zyrë se kanë ndihmuar familjarët për operacione si by pass apo edhe të tjera. D.m.th. nga kjo zyrë, përveç keqardhjes së këtyre rasteve, ndjen edhe kënaqësi që për shqiptarët po prodhohet një mënyrë që t’u vijë në ndihmë familjarëve. Është një mundësi shumë e mirë.

Ka ndonjë kriter moshe, cilat janë kategoritë më të kërkuara?

Afërdita: Shumica e kompanive i duan 21 vjeç e lart, deri në 38-40 vjeç. Ne nuk e kemi bërë kulturë t’i çojmë moshat e mëdha. Një pjesë e lënë universitetin, kanë shkuar edhe 18-vjeçarë në punë në kroçera. Janë gjithsej 60 nacionalitete që punësohen në kompanitë me të cilat operojmë ne.
Era: Mosha më e rëndësishme është mosha nga 20 – 25. Unë komunikoj më shumë me ta, kam këtë pjesën e rrjeteve sociale, online etj. Di çdo hallkë të kësaj kompanie dhe e bëj gjithçka me qejf.
Afërdita: Era është e ardhmja e zyrës. Njeh çdo hallkë të kësaj pune dhe është njeriu që vendos çdo urë komunikimi. Është shumë e kujdesshme edhe në rastet kur unë harroj diçka për shkak të fluksit. Është personi i vetëm që di gjithçka. Rekrutimi nuk është i lehtë, por ne mundohemi të bëjmë më të mirën.

 

Risitë e 2018-ës në Kouzon Albania

Të gjithë të rinjtë që kanë ekonomi të paqëndrueshme, që janë me qira apo që nuk kanë mundësi ekonomike, anija është një ofertë pune shumë e mirë, sepse nuk paguan as ushqimin, as fjetjen. Afërdita dhe Era tregojnë se Kouzon sapo ka marrë ekskluzivitetin e një kompanie tjetër rekrutimi STEINER: “Kohët e fundit na kanë dhënë një përgjegjësi tjetër shumë të madhe. Steiner është kompania më e madhe në botë, me qendër në Majami dhe në Londër – këtu ka edhe akademinë e trajnimit. Tani do fillojmë rekrutimin për këtë kompani. Kërkohen parukierë, berberë, teknika thonjsh, masazhatorë, personal trainer dhe mjekë, pa limit moshe. Me rroga mbi katër mijë dollarë. Nuk kanë shumë kritere dhe minimalisht 6 muaj eksperiencë”, – tregon Era.

 

Afërdita dhe Era, në fund, ta kanë mbushur mendjen që një udhëtim me kroçerë duhet të jetë në gjërat MUST DO të jetës. Nuk e kishin me shaka kur thanë se kjo punë është puna më e bukur në botë. Nëse je akoma skeptike, mjafton të hapësh profilin e Kouzon Albania në Facebook dhe të shikosh: “Faleminderit që ma bëtë të pamundurën të mundur, “Faleminderit që më treguat se përrallat janë reale”, “Falë jush, kam jetuar magjinë”. Janë vetëm disa nga përshtypjet e të rinjve që janë punësuar pranë kësaj agjencie. Komentet aty janë të pafundme, ashtu siç janë të pafundme edhe mundësitë që Kouzon ofron për të gjithë të interesuarit që jetën duan ta jetojnë si aventurë – mes dy mrekullive më të mëdha të natyrës, në hapësirë të pafundme, në qiell të hapur.

Kur ishin aplikimet e para të shkurtit?

Fotografitë: Orsola Mema, Class Photography