Rudina Kraja është një grua që të detyron të kthesh kokën pas për ta parë edhe për një herë të dytë. Është një nga ato gra të rralla e cila "ngre në alarm" të gjitha shqisat kur prezantohesh me të. Sytë thonë se është një grua e pashme dhe shumë elegante, për shembull. Ka një të folur kumbues, të shpejtë dhe të fortë njëlloj si ajo vetë, njëlloj si jeta e saj shkumbëzuese dhe e vrullshme.

Rudina është si Tirana. Një qytet që edhe pse mund ta njohësh prej vitesh, të befason me dritëhijet e tij dhe mbi të gjitha, me ndryshimin e tij gati-gati nga një stinë tek tjetra. Dhe me bindjen që pavarësisht viteve që shkojnë, bëhet një qytet edhe më i bukur.

E gjatë, bionde dhe e palestruar, Rudina është një formë që nuk lë askënd indiferent; bukuroshja e njohur e Tiranës së viteve ‘80, sot është një grua e fortë, një grua e realizuar, me një trajektore të jashtëzakonshme jete dhe shembulli i fortë i përmasës së lirisë së individit që afroi ndryshimi i sistemit.

Rudinën e takojmë në vilën e saj në Kashar, pranë autostradës, aty ku ajo ka dhe magazinën kryesore të saj dhe linjën e prodhimit me fason. Përpara se të shihet, Rudina ndjehet. Aroma e pagabueshme e Élise Rancé, Collection Impériale, është mjaft e fortë, por dhe e ëmbël. Dhe kush e njeh Rudinën, e gjen gjithmonë prej disa vitesh, pas nuancave të këtij parfumi të rrallë e prodhim i limituar francez. Por edhe pse jashtëzakonisht e sjellshme, është shumë e vështirë ta detyrosh atë për një rrugëtim të shkurtër në të shkuarën dhe të nesërmen e saj. Dhe kjo është e pabesueshme për një grua që gjithashtu flet shumë. Kur i thua se çfarë i pëlqen të bëjë më shumë në kohën e lirë, që është gjithashtu një porcion shumë i limituar në ditën e saj të gjatë, ajo thotë se do të zgjidhte notin. Në pishinën e vilës së saj, ajo e nis notin nga marsi dhe e mbyll në nëntor. Si për të shpjeguar lidhjen e saj me ujin. Kësaj radhe me ujin e kripur, me detin. Sepse Rudina është në biznesin e import-eksportit të peshkut të egër dhe të rezervatit dhe në prodhimin e açukes së kriposur, një delikatesë e tryezave, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në shumë vende të Evropës.

Vite më parë, kjo do të ishte një gjë e pamendueshme. Bijë e dy mjekëve të njohur në Tiranë, Rudina do të zgjidhte vetë, por edhe të tjerët do të zgjidhnin për të, tjetër gjë për të nesërmen e saj. Universiteti i Ekonomisë ishte stacioni i parë i studimeve, njëlloj si të parashihte se ekonomia, biznesi privat do të ishte fusha e saj e veprimtarisë për gjithë jetën dhe se do të rezultonte zgjedhje dhe zgjidhje e jetës së saj. Vetëm pak kohë punë në shtet dhe ndryshimi i sistemit e gjeti Rudinën më të vendosur se kurrë të bënte atë çfarë në shkollë e kishin kritikuar aq shumë: ekonominë kapitaliste. Dhe si një nga biznesmenet e para në Tiranë, ajo provoi shumë lloje biznesesh për të mbetur si për një kapriçio të fatit tek deti që ajo e adhuronte që në fëmijëri. 

Që prej vitit të largët 1992, ajo hapi biznesin e saj të parë dhe që nga ai vit e deri më tani, është me një karrierë të paprerë në biznes. Në 1998 e deri vitin e shkuar, ajo kishte një biznes edhe jashtë vendit, në Selanik, Greqi, vendi me të cilin ajo vazhdon të ketë kontakte të shumta. Për gati tetë vjet, që nga viti 2005, ka qenë anëtare e bordit drejtues dhe zëvendëspresidente e Dhomës Greko-Shqiptare të Tregtisë dhe Industrisë.

"Fillimi ishte i vështirë si për shumëkënd, por sot, e kam shumë më të lehtë të kujtoj çfarë ka qenë e bukur atëherë sesa çfarë na torturonte të gjithëve si shqiptarë, duke nisur nga padija, panjohja e perëndimit dhe gjithë misteri që afronte një botë që ne e kishim parë bardh e zi vetëm nga ekrani i televizorit”, thotë Rudina.

Pasioni dhe përkushtimi i sollën suksesin. Në vitet 2012-2014 ka punuar kryesisht në import - eksport dhe statistikat e Ministrisë së Bujqësisë e nxirrnin komaninë e saj Poseidon dhe Seafish në vendin e parë duke zotëruar rreth 67 për qind të tregut të peshkut të freskët në vend.

Sot ajo zotëron disa licenca evropiane për eksport peshku të freskët deti, rezervati, dhe në fund është licensuar edhe për përpunim peshku dhe prodhimesh deti. Deri në vitin 2015 furnizonte gjithë zinxhirin e supermarkatave më të mëdha në vend, Euromax, më pas Carfur, Connad, KMY, e të tjerë.

Prodhimet e saj përfshijnë një gamë të gjerë që nga acuket, tek midhjet e ngrira e filetot e peshkut. Kryesisht për eksport drejt Italisë. Të gjitha këto arritje bënë që dy vjet më parë të nominohej si gruaja e vitit në biznes. Janë të paktën 60 familje që e kanë lidhur jetën e tyre me biznesin e Rudinës. Gra të zonës, të cilat e kanë atë alternativën e parë të punësimit në zonë. "Për ne ajo është Shën Rudina",- thotë Dituria, një grua nga Mirdita e vendosur në Kashar prej vitesh, e cila të parën dhe të vetmen punë që ka bërë në jetën e saj, e ka tek ndërmarrja e Rudinës. Besimtare e madhe, ajo thotë se: "Natën, para se të fle, një lutje e bëj dhe për Rudinën", thotë nëna e katër fëmijëve, që është dhe njeriu i vetëm që punon në familjen e saj. Por në një mënyrë apo një tjetër, Rudina është prezente në komunitet edhe në një mënyrë tjetër. Prej shumë vitesh, ajo shpërndan për festa disa qindra pako ushqimore për familjet në nevojë të zonës, por edhe gjetkë.

 

Marrëdhëniet me shtetin? Kjo është një temë që Rudina nuk ka qejf ta përmendë shumë. Thotë se nuk ka asnjë qindarkë detyrim për të paguar në shtet, ndërkohë që burokracia i ka mbajtur prej vitesh shuma që dikë tjetër do ta bënin të pasur. Por Rudina nuk e mendon shumë këtë pjesë. "Pasuria është gjetkë,- thotë ajo. - Edhe mua m'u desh kohë të zbuloja se njohja e vetvetes është pasuri. Dhe të bëhesh e dobishme për të tjerët, është njëlloj si një llogari e pakufizuar bankare".

Dhe qesh. Dhe nxiton. Nëna e saj Drita ka dalë në krye të shkallëve të vilës. Tek sheh atë zonjë të bukur 80-vjeçare, kupton sekretin e dikurshëm të familjes Kraja. Kupton dhe pse Rudina është një grua e bukur që të detyron ta kthesh kokën dy herë për ta parë.