Fundjava është  casti ideal për  t'i dedikuar vetes momente qetësie me një  libër në  duar, një  gotë  caj e një  tufë  ëndërrimesh. Libri që  vendosa të  ndaj me ju këtë  javë  e t'ju ftoj të  gjithëve në  lexim është  ''Portreti i Dorian Greit'' nga Oscar Wilde.

Së  pari, duhet përmendur se ky libër kategorizohet në  një  roman filozofik, i cili në  cdo shkronjë të  tij të  bën të  zhytesh thellë  në  mendime e reflektime. Nganjëherë  fjala ''filozofi'' i tremb lexuesit duke menduar se ata dëshirojnë  dicka me të  lehtë  e me të  përtypshme për të  lexuar pas një  javë  plot kokëcarje, por më  besoni ky nuk është  libri që  do t'ju trembë.

Nëse do analizonim librin, natyrisht do ndaleshim në  disa linja, megjithatë  ajo që  unë  dua të bëj është  të  tregoj sesa aktual është  ky libër edhe pse i botuar për hërë  të  parë  më  1890. Dorian Grei është  personazhi kryesor  rreth të  cilit zhvillohen të  gjitha ngjarjet dhe ai prej të cilit burojnë  të  gjitha dramat dhe tragjeditë  e romanit. Një  djalosh me fytyrë  ëngjëlli dhe bukuri si e skalitur prej skulptorëve të  antikitetit grek, e cila marrosi një  qytet të  tërë .

Dorian ishte i lindur prej një  historie të  dhimbshme, e ëma një  grua e cila rridhte nga një familje e aristokracisë , e fortë  dhe pasionante, e cila hoqi dorë  prej familjes e pasurisë  për dashurinë  e saj,  ndërsa i ati nje kapiten i thjeshtë , i cili u vra në  një  duel të  thurur prej familjes të  së shoqes. Nga bashkimi i tyre lindi një  djalë  i pashëm, me flokë  të  mëndafshta e lëkurë  të mermertë , historia e të  cilit duket sikur ngjason shumë  me mitin tragjik  të  Narcisit në mitologjinë  greke.

Bukuria e Dorian frymëzoi një  piktor të  talentuar, me moral të  lartë  e të  kulturuar të realizonte portretin e tij, e pikërisht kjo pikturë  të  përmbënte kulmin e karrierës së  tij. Sikur të  mos mjaftonte, Dorian bënte të  magjepsej pas tij, i madh e i vogel, dhe gjithë  energjia e tij drejtohej te rinia, hijeshia dhe prestigji. Teksa shihte se në  sa i magjishëm  kthehej cdo ditë  e më  shumë, portreti i përgatitur nga duart e Basil Hallward-it, Dorian e zë  paniku. Ai trembet e frikësohet për humbjen e rinisë  së  tij dhe mendon se një  portret kaq i arrirë  vetëm sa do ndikojë  negativisht në  humorin  e tij kur lëkura t'i jetë  rrudhur dhe ai vetë  të  jetë  plakur e tkurrur. Bukurinë  e konsideronte vlerën e tij më  të  madhe dhe dashuria për veten e bënte të  përcmonte të  gjitha dashuritë  e tjera që  i vinin rreth e qark. Aktorja e bukur, e cila e dashuronte Dorian kryen vetëvrasje kur mëson se ai nuk interesohej më  aspak për të . Ky fragment të  kujton Ofelinë  e bukur në  kryeveprën ‘’Hamlet’’ nga William Shakespeare. Ai humbi cdo njeri që  interesohej për të  si  shkak i shpirtvogëlsisë , egoizmit dhe narcisizmit. Fundi tragjik nuk kishte si të  mungonte dhe e ktheu atë  fytyrë  hyjënish në  një  vdekje si cdo i gjallë  tjetër.

Arsyet pse duhet të  lexoni këtë  libër janë  të  pafundme. Fillimisht ky është  një  nga klasikët e pavdekshëm, i cilësuar si një  nga njëqind librat që  duhet të  lexohen patjetër në  jetë . Së  dyti, mesazhi më  i thellë  që  përcillet nga ky libër është  të  kuptosh vërtetë  vlerën e cdo gjëje. Në një  botë  virtuale, ku jemi të  bombarduar cdo ditë  nga imazhet perfekte, të  cilat ndonjëherë arrijnë  të  ndikojnë  negativisht tek ne duke na kompleksuar e duke na krijuar pasiguri, në  një botë  ku sipërfaqësorja duket se merr cdo ditë  e me shumë  rëndësi se thelbi e dashuria, na duhen libra të  tillë  që  të  na rikthejnë  në  kujtesë  se bukuria, pasuria e gjithcka e përkohëshme janë  të  pavlera krahasuar me dashurinë , miqesitë  e dhe vlerat që  e bëjnë  shpirtin të shkelqejë. Një  tjetër arsye për të  mos e humbur këtë  libër është  shqipërimi i arrirë nga Nikoleta Kalldremxhi, e cila e ka bërë  cdo faqe të  librit të  rrjedhi lehtësisht e të  lexohet me ëndje.

Ju dërgoj të  gjithëve një  ftesë  të  ngrohtë  në  lexim dhe #rrembelibrin ‘’Portreti i Dorian Grei’’, sepse pasi të  kesh mbyllur kapakun e fundit, më  beso, do ndjesh se ke përforcuar brenda vetes peshoren e vlerave të  vërteta.

Lexohemi të  shtunën e ardhshme,

|Një  tufë  rrezesh nëpër RE