Të gjitha poezitë e shkruara prej tij, janë kthyer befas në këngët më të bukura të dashurisë! Sepse Timo Flloko, hyjnizon ndjenjat, ato të vërtetat që nisin qysh brenda shtëpisë së tij, nga bashkëshortja Vera Grabocka, e bija Linda, dhe gjithçka tjetër mbulon si një tis i bukur anën shpirtërore, atë më të prekshmen për të.

Pas librit të parë "Robi i manive", Timo Flloko ka nxjerr në treg librin e tij të dytë, sërish në zhanrin e poezisë me titull "Kërcim në bosh". Një himn ndjenjash të përkora, që përshkrojnë pa kushte qenien e autorit, por jo vetëm. Çdokush që shfleton faqe pas faqe këtë krijim të ri të tij, bëhet pjesë e çdo copëze historie të përcjellë mjeshtërisht mes vargjesh të ndjera. Dhe për të folur pikërisht për librin e tij të dytë, ai ishte i ftuar sot në mëngjes në "Wake Up" në ekranin e Top Channel.

Përtej këndvështrimit letrar, poezive të shkruara, qasjes së tij personale, Timo përshkoi siç vetëm një artist si ai di, një tjetër aspekt të vyer në jetën e tij, siç është jeta private. Ai u ndal në raportin që ka me bashkëshorten e tij, regjisoren e njohur Vera Grabocka duke theksuar se: "Verës ia dëgjoj gjithmonë mendimin. Ajo nuk gabon. Ajo di të thotë çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo. Për mua ka shumë rëndësi opinioni i saj". Aktori i njohur shkon më tej duke thënë se është pikërisht bashkëshortja e tij, personi i parë që i lexon poezitë që ai hedh në letër.

Dhe nuk mund të kishte dyshime për këtë fakt. Jo krejt rastësisht ata janë sot një nga çiftet më jetëgjatë të skenës publike shqiptare, një model frymëzues në gjithçka bëjnë dhe thonë, duke ardhur në sytë e të gjithëve ne si një etalon i dashurisë së përjetshme, respektit dhe plotësimit ideal në çift.