Që Renato Mekolli do të nisë së shpejti një program të ri në ekran, kjo është mësuar tashmë prej kohësh. Por shefi i njohur i kuzhinës nuk ka zbuluar asnjë detaj për llojin e formatit, i cili nuk do të dalë nga profili i tij. Ose, siç thotë ai, vazhdon akoma të jetë në bisedime me televizionet që do t’i bëjnë ofertën më të mirë.

Pak javë më parë, i ftuar në Kurthin e Piter Panit, Renato tha që po mendon rikthimin në ekran, por akoma nuk do të zbulojë detaje.

Ndërsa sonte, Renato ka rënë në kurthin e Paolës së vogël të Piter Panit, e cila, jo vetëm që e ka vizituar në restorantin e tij, por edhe i ka bërë ca pyetje për të mësuar më shumë për shefin dhe rikthimin e tij në ekran.

Në videot e tij të fundit së bashku me Paolën, Renato e gjen veten ngushtë: “Në cilin kanal do të jesh, në Klan apo në Top?” – e pyet ajo. “Do vazhdoj emision, po, do jem në një kanal shumë të madh. Jam në diskutime me të dy…” – thotë ai, por Paola është stërvitur me pyetjet tashmë, ndaj vijon menjëherë me tjetrën: “Sa lekë do marrësh?

“Ai që do më japë më shumë lekë, atje do shkoj dhe unë”, – përgjigjet hapur Renato.

Dhe pas pyetjeve të Paolës, nisin ato të Renatos: “Po në qoftë se shef Renato të bën një ofertë ty për emision, do shkosh ti?“Po, do shkoj, sigurisht, sepse unë Renaton e kam kushëri dhe do shkoj…”, – thotë Paola duke zbuluar kështu edhe një lidhje farefisnore që nuk e kishim ditur.

Përveç humorit dhe të qeshurave që ka shkaktuar ky dialog te fansat e Renatos, kuptohet që diçka po bluhet mes tyre… Një shef i mirë dhe i keq do të jetë së shpejti në ekran, por detajet do na i rrëfejë kur të ketë gjithçka konkrete.