Plot 4 vjet pa dalë në një intervistë televizive, Linda Rama nuk mund ta refuzonte ftesën për të qenë përballë gazetarëve të vegjël të Piter Panit. Por nuk e pati edhe ajo të thjeshtë të shuante kureshtjen e tyre për profilin e saj “të fshehtë” në publik.

Zgjedhja për të qëndruar në hije pa ndikuar dhe pa rënë në sy si bashkëshortja e Kryeministrit është, sipas Lindës, për shkak të profesionit të saj. Ajo nuk ka një profesion që duhet të bjerë në sy të të gjithëve, kështu që preferon të ruajë këtë profil ndaj publikut duke ia lënë të gjithë peshën e këtij të fundit bashkëshortit të saj.

Megjithatë, edhe pse bën një punë krejt tjetër nga ajo e bashkëshortit, Lindës i është dashur të heqë dorë nga disa gjëra që nga koha kur u martua me Edi Ramën.

Kështu, pasi fëmijët e pyetën nëse ka hequr dorë nga disa gjëra pasi u bë bashkëshortja e Kryeministrit, Linda tha se ajo nga e cila nuk ka hequr dorë është profesioni i saj: “Unë e dua profesionin tim dhe nuk kam hequr dorë, por kam hequr dorë nga të tjera gjëra që mendoj se ia vjen të heqësh dorë” – shtoi ajo. Dhe pas pyetjes së menjëhershme ‘cilat janë gjërat’, Linda u përgjigj me pak keqardhje: “Po unë kam dhënë mësim për shumë vite, ndërsa tani nuk jap më mësim, sepse nuk kam më aq shumë kohë, kështu që nga kjo kam hequr dorë

Natyrisht, tani që edhe Zaho i zë kohën më të madhe të ditës, Linda nuk ka asnjë peng për atë që ka lënë edhe për “hatër” të Kryeministrit. Në fund të fundit, siç tha ajo, ia vlen të heqësh dorë për të fituar disa vlera më të mëdha.