Pasi la programin “Pasdite në Top Channel”, Jonida Shehu ka qenë e angazhuar me projekte të tjera artistike në prezantim. Pas festivalit të RTSH-së, ku qëndroi në krah të Adi Krastës, moderatores së njohur të ekranit iu besua për dy net edhe prezantimi i Miss Shqipëria, në edicionin e 20-të, që u organizua pak ditë më parë në kalanë e Tiranës.

Por së fundi është mësuar se Jonida, shumë shpejt do të rikthehet në ekran. Sa herë ka qenë e pranishme në intervista, ajo ka thënë se është duke shqyrtuar disa projekte për të vendosur se ku do të shkojë në sezonin e ri. Me sa duket, tani gjithçka e ka vendosur. Edhe pse akoma nuk do të zbulojë shumë.

Mbrëmjen finale të Miss Shqipëria, që u organizua në fillim të javës, për mikrofonin e “Jo vetëm modë”, Jonida tha se sezonin e ri televiziv do të rikthehet në ekran, por nuk do akoma të tregojë se në cilin ekran: “Do të rikthehem sezonin e ri, ku nuk ta them dot për momentin. Janë edhe tre muaj përpara, çdo gjë mund të ndodhë edhe në minutën e fundit”, – tha ajo pa dashur të zbulojë më tepër, por konfirmoi: “Unë kam plan të rikthehem, të shpresojmë që çdo gjë të shkojë sipas planit deri në shtator-tetor.”

Për ekranin, Jonida e di mirë që sapo të flasë, do ta gjejë veten në çdo portal, ndaj zgjedh më mirë të flasë kur të jetë momenti: “Pastaj ku? Ka shumë portale sot, do vijë një moment që do kuptoni cili është lajmi i vërtetë.”

E pyetur në fund nëse do të jetë një format i ngjashëm me atë që ka qenë më herët, Shehu përgjigjet shkurt: “Aspak i ngjashëm…

Mbetet vetëm të presim sezonin e ri.