Lajmi që ka qarkulluar sot gjatë ditës se një gazetare e RTSH-së është rrëmbyer në Prishtinë ka tronditur opinionin publik për disa orë. Sipas njoftimit të fundit të policisë së Pristinës, nuk bëhet fjalë për asnjë rast të tillë.

Siç kishin raportuar disa media të Kosovës dhe shqiptare, rrëmbim ndodhi para dy netësh afër komunës së re të Prishtinës, në Dragodan. Dëshmitarët në ngjarje thanë se vajza, para se të rrëmbehej, kishte dalë nga makina e saj dhe ishte ndjekur nga disa persona, të cilët ishin duke e pritur në parkimin aty pranë.

Policia ka bërë të ditur se e ka gjetur vajzën e cila është e sigurt, por nuk bëhet fjalë për anjë gazetare të RTSH-së. Policia e Kosovës, në njoftimin e saj të fundit, sqaron: “Njësitet policore pas grumbullimit të shpejtë të informacioneve të marra në rrugë operative si dhe pas zgjerimit të hetimit, kanë arritur të identifikojnë viktimën si dhe të shoqërojnë në stacion policor dy persona të dyshuar: S. D, mashkull, 37 vjeç, shtetas i Kosovës, si dhe E. A , mashkull, 24 vjeç, shtetas i Kosovës”.

Më tej, policia jep detaje: “Tre dëshmitarë të kombësisë shqiptare kanë raportuar se tre persona të panjohur e kanë futur me forcë në makinën e tyre një grua dhe më pastaj janë larguar.”

Por nga verifikimet e bëra, policia e Kosovës konfirmon se ka gjetur një makinë, e cila besohet që i takon personit të rrëmbyer, kartën e identitetit të një gazetareje të RTSH-së. “Policia e Kosovës ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka gjetur një veturë që besohet t’i takojë gruas së rrëmbyer. Policia e Kosovës gjeti brenda mjetit një kartë identifikuese të një gazetareje të Radio Televizionit Shqiptar”,- theksohet në raportin e Policisë së Kosovës. Mbi këtë ngjarje ka reaguar drejtori i Informacionit në Radio Televizionin Shqiptar, Bledar Zaganjori. “Nuk kemi asnjë informacion që ndonjë gazetare e Radio Televizionit Shqiptar është rrëmbyer të hënën në Prishtinë”,- ka thënë Zagonjari në një bisedë telefonike me Insajder. “Ne nuk kemi dërguar asnjë gazetar apo gazetare për çështje pune në Kosovë gjatë këtyre ditëve”.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, sqaroi se raportimet nuk qëndrojnë. Ajo raporton se dyshimet kanë qenë të bazuara në faktin se makina e gazetares në fjalë ka qenë afër një vajze tjetër, e cila dyshohet se është rrëmbyer: “S’ka të bëjë me të fare, ka qenë një rrëmbim, një vajzë, kanë ardhur e kanë marrë, por ajo lidhet vetëm pse ka qenë një makinë e saj afër kemi dyshuar se mos është e saj, mirëpo nuk ka të bëjë fare me gazetaren në fjalë”,- u shpreh ajo.