Ok, një pjesë të mirë të tyre i njihni mjaftueshëm. Ose i njihni mirë të gjitha. Por këtë Botëror duket sikur janë edhe më të bukura, edhe më të nxehta, edhe më profesioniste, edhe më debatuese dhe këmbëngulëse në skedina. Pse jo, në fund të fundit? Kush tha që futbolli është vetëm për meshkujt?

Duke filluar që nga më paqësorja që mund të keni ndeshur ndonjëherë në ekran, Enkeleida Zeko, e deri tek ajo që nxit imagjinatën mashkullore, Ilda Bejleri, prezantueset sportive të këtij sezoni nuk janë thjesht dhe vetëm imazhi i bukur në krah të një kolegu që e njeh mirë këtë fushë. Edhe ato e njohin, edhe ato dinë të analizojnë dhe të mbajnë qëndrim ndaj teknikave dhe skenareve të trajnerëve. Por dinë edhe të vënë e të fitojnë skedina. Mos guxoni të vini bast me Bora Zemanin, as me Ilda Bejlerin… me asnjërën, në fak. E kanë të fituar “ndeshjen” e tyre – vëmendjen e të gjithëve.

Fjoralba Ponari

Fjoralba Ponari është hyrja e re në këtë edicion sportiv. Sa shumë lajme për “zëvendësuesen” e Marinës ka pasur gjatë këtyre ditëve dhe pothuaj të gjitha komentet pozitive. Një imazh i bukur, i ëmbël, i paqtë që të bën lehtësisht për vete, por edhe një vajzë, e cila, nga ky “detyrim” i ri që ka marrë përsipër, ka nisur edhe të studiojë futboll. Po, tamam kështu. Që nga koha kur nënshkroi kontratën për të qenë pjesë e Top Arena, Fjoralba nisi të kërkojë më shumë informacione për sportin, për teknikat, për lojtarët dhe gjithçka që po e shoqëron këtë Botëror. Herë pa here, nga Top Arena, ajo edhe shoqëron të ftuarit me zërin e saj të ëmbël. E dini që është këngëtare apo jo?

Enkeleida Zeko

Nëse thua Fair Play, ke thënë emrin e saj. Një nga gazetaret ikonë të sportit. Vite të tëra ia ka kushtuar kësaj fushe dhe sot, flet me siguri për çdo situatë. Nuk ndodh të gjendet në ndonjë situatë të sikletshme, ashtu siç nuk ndodh të mos kujtojë emrin e ndonjë lojari. E përpiktë, e qetë, e ëmbël – Enkeleida është imazhi i një “loje të drejë” që duhet të luhet vetëm kështu si ajo.

 

Bora Zemani

Përfaqësuesja më e denjë e terrenit sportiv. Bora është një prej bukurosheve që nuk qëndron vetëm në studio – ajo është në zonën e zjarrit; mes tifozëve, mes fansave të lojtarëve, pranë të gjithëve. Edhe këtë herë, gjatë finaleve të këtij Botërori, Borën e gjeni në shesh, çdo ditë: “Shihemi çdo ditë në shesh. Shumë e lumtur që më është besuar drejtimi i eventit më të madh që do të shoqërojë këtë muaj Botërori. Sheshi “Skënderbej” është kthyer në arenë argëtimi për gjithë qytetarët e Tiranës. Ju pres të gjithëve çdo ditë në #tiranafanzone2018 për të përjetuar emocione dhe surpriza pa fund gjatë gjithë muajit…” – shkroi Bora në Instagramin e saj pak ditë më parë.

Po kërkoni Borën? E gjeni në sheshin “Skënderbej”… Po, edhe sonte!

Vilma Masha

Në Digitalb, ka një bar special këtë Botëror – RuskiBar. E kuptoni fare mirë pse quhet kështu. Këtu mblidhen opinionistë, dashamirës të futbollit, personazhe të njohur të ekranit, të showbiz-it etj., për të dhënë përshtypjet e tyre para, gjatë dhe pas ndeshjeve. Por ka edhe lojëra, argëtim dhe “fitues” garash apo bastesh. Mes tyre, është edhe Vilma – një prej prezantueseve më solide në Supersportit dhe një prej imazheve më simpatike të ekranit. Ndiqeni edhe Vilmën me rubrikat e saj në Supersport.

Ilda Bejleri

Bën lëmsh të gjithë dynjanë. Jo vetëm me stilin e prezantimit, aspak i ngjashëm me të tjerat, me veshjet seksi, por edhe me gjërat që thotë. Që nga koha kur është bërë pjesë e Digitalb, me pothuaj të gjitha programet që ka prezantuar, Ilda mund të quhet pa frikë një imazh që spikat, “ngacmon” të madh e të vogël, por edhe bën për vete këdo me profesionalizëm. As me Ildën mos e zgjasni debatin për sportin. Është mjeshtre debati, edhe skendine :).

 

Lejla Kraja

Është një emër i ri i ekranit, por një “shpërthim” më vete. Edhe Lejla, këtë sezon i është bashkuar RuskiBar në Digitalb me intervista direkte dhe opinione nga terreni. Di të jetë sa origjinale, aq edhe ngacmuese kur do. Futbollin duket se e do edhe ajo, aq sa edhe “lojën” e meshkujve kur e komplimentojnë për imazhin dhe pyetjet me spec. Lozonjare, por jo edhe aq sa duket Lei…

Hygerta Sako

Në një speciale për Botërorin e Rusinë, mund të ndiqni nga RTSH-ja edhe Hygerta Sakon. Si mund të mungonte? Prej vitesh, edhe Hygerta i është dedikuar sportit, ndaj kjo zonë është e njohur dhe e sigurt për të. Në një panel me opinionistë, analistë sportivë, dashamirës apo fansa, Hygerta është gjithmonë një zë i fortë për t’u dëgjuar. Prej vitesh, ajo është edhe pjesë e terrenit sportiv, nga ku puna e një gazetari bëhet edhe më e vështirë. Por ky nuk është rasti i Hygertës. Kurrsesi!

Eva Murati

E fundit, por jo më pak e rëndësishme (mos harroni, renditja është rastësore). Edhe Eva Murati ka spikatur si koleget e saj për sigurinë televizive, edhe pse është ende në moshë të re, krahasuar me disa nga koleget e sipërpërmendura. Modele, prezantuese sportive, por edhe aktore në disa projekte shumë të rëndësishme të kinemasë shqiptare. Në Tring, prej kohësh i është besuar programi sportiv dhe këtë sezon, specialja e Kupës së Botës. Nëse kaloni me zapping nga Tring, me siguri do të mbeteni këtu nga imazhi i kësaj bukurosheje jo vetëm tërheqëse për syrin, por edhe për sigurinë e pashoqe televizive. Eva e ka kaluar prej kohësh “testin” e ekranit. Ia del mbanë gjithmonë e me gjithçka.