Lorena nuk është thjesht dhe vetëm bashkëshortja e Genës sot, këngëtari i njohur i serenatave, i muzikës së lehtë, muzikës greke, por edhe i disa hiteve që iu dedikuan dashurisë e që vazhdojnë të këndohen ende sot. Pas 11 viteve bashkë, Lorena dhe Gena janë më të lidhur se kurrë, jo vetëm si bashkëshortë, por edhe si bashkëpunëtorë tashmë, sepse Lorena, prej kohësh bën edhe menaxheren, madje një menaxhere të rreptë. Nëse Gena është më emocional edhe për vendime të ndryshme në lidhje me punën, ajo është më e ftohtë, kështu që e ruan mjaft ekuilibrin në çift dhe në punë.

Sot, i ftuar në “Rudina” në Tv Klan, për të promovuar këngën e tij të re në bashkëpunim me Skivin, “Kijamet”, Gena rrëfeu edhe disa detaje nga historia dhe lidhja me Lorenën, pikën e tij të dobët, gjysmën më të mirë dhe gjysmën që e plotëson të tërin.

Duke e kthyer kohën pas në kujtime, Gena tha se asokohe, kur ai kishte nisur të këndonte në lokalet live në kryeqytet, Lorena kishte ardhur në Tiranë nga Greqia për të marrë një vizë. E gjendur rastësisht në lokalin ku ai këndonte, ajo u dashurua me zërin e tij, por, siç rrëfen këngëtari më tutje, nuk ishte dashuri me shikim të parë: “Nuk ishte dashuri me shikim të parë, por u njohëm gradualisht. Unë vura re te Lorena disa vlera që nuk i kisha gjetur në femra të tjera më herët”, – shton më tej. “Lorena kishte disa vlera që nuk i kisha parë në femra të tjera dhe aq më shumë në këtë periudhë, kur ajo është edhe menaxherja ime dhe e bën shumë mirë këtë punë.

Po vetë Lorena çfarë pëlqeu te Gena, çfarë e tërhoqi tek ai? Femrat, thotë këngëtari, nuk flasin shumë për gjërat që i tërheqin te meshkujt dhe kjo, ndoshta është strategji e tyre për t’i pasur gjithmonë pas vetes, por ai beson se Lorena tek ai u dashurua si fillim me zërin e më tej, njohu edhe karakterin e tij.

Për ta përshëndetur, por edhe për t’i dhënë një mesazh publikisht, Lorena ishte e ftuar në program përmes një video-mesazhi. Meqenëse i ishte kërkuar të thoshte tri gjërat që i pëlqejnë dhe tri të tjera që do të donte të ndryshonte te partneri i saj, të parat ajo i tha me shpejtësinë e dritës: “Gena është njeri me zemër të madhe, është njeri shumë i mirë, i përkushtuar dhe i kujdesshëm me njerëzit. E dyta, ka shumë humor, mund të të bëjë për të qeshur në pak sekonda dhe e treta, Gena është një këngëtar shumë i mirë”, - tha Lorena ndër të tjera.

Po gjërat që nuk i pëlqejnë e që do të donte t’i ndryshonte? “Asgjë nuk do t’i ndryshoja. Është unik dhe dua që të qëndrojë kështu siç është…”

Sa me fat Gena! Jo vetëm bashkëshorte dhe menaxhere shumë e mirë, por edhe bukuroshe në krah…