Mjaftoi vetëm një orë stuhi dhe Tirana u përmbyt nga uji. Reshje të dendura bllokuan rrugë dhe disa akse kryesore në kryeqytet. Sipas meteorologes Tanja Porja, 60 minuta kanë mjaftuar për të regjistruar 62.6 mm shi, sasi e cila është sa norma e reshjeve mujore për qytetin e Tiranës.

Meteorologia, në një postim në Facebook, shkruan: “Ministuhi tropikale në Tiranë: 60 minuta kanë mjaftuar për të regjistruar 62.6 mm shi, sasi e cila është sa norma e reshjeve mujore për qytetin e Tiranës (norma mujore 63 mm). Intensiteti maksimal i reshjeve është vrojtuar në intervalin 14:30 – 14:50, kohë gjatë së cilës është vrojtuar maksimumi i aktivitetit dinamik të atmosferës duke diktuar lëvizje të fuqishme vertikale të ajrit dhe për pasojë, stuhi breshëri me diametër nga 1.5 në 3 cm. Po ashtu, ka pasur një thyerje të thellë prej 10.2°C, të fushës termike ku në vetëm 1h, temperaturat janë ulur nga 28.9°C në 18.7°C.”

Por, nga çka mësohet nga parashikimi i kësaj fundjave, edhe gjatë orëve të ardhshme, situata do të jetë e njëjtë. Kështu, sipas Meteoalb, orët e natës sjellin një sistem vranësirash duke sjellë shira në të gjithë territorin; në veri dhe qendër gjatë orëve të para të ditës së shtunë, ndërsa gjatë mesditës shirat lokalizohen në zonat juglindore. Pasditja e së shtunës përmirëson motin në territor duke bërë që të dominojnë kthjellimet me vranësira kalimtare; kushte që vijojnë edhe pjesën e parë të së dielës. Pasditja e së dielës sjell shtim të vranësirave në të gjithë vendin duke rrezikuar shira të izoluar në juglindje të vendit.

Temperaturat e ajrit janë ulur mesatarisht 2°C gjatë mëngjesit, rënie që vijon edhe në mesditë duke bërë që maksimumi të ngjitet në 29 apo 30°C. Mëngjesi i së shtunës sjell rënie të ndjeshme të temperaturave në veri dhe zonat lindore, por rënie më të lehtë në qendër – jug, ndërsa mesdita ul ndjeshëm temperaturat në të gjithë Shqipërinë kur pritet maksimumi 26 – 27°C në Ultësirën Perëndimore. Dita e diel ruan vlera termike thuajse konstante në mëngjes, por rritje të lehtë risjell mesdita.