Festimet e mëdha mund të shkaktojnë edhe rrëmujë të madhe, por për tifozët e futbollit, sikur nuk ka vend për t’u marrë me plehrat gjatë festimeve.

Kupa e Botës që po zhvillohet tani në Rusi është në qendër të vëmendjes me një numër të madh ndeshjesh dhe tifozët, me mënyrat e tyre të festimeve apo me veshjet e larmishme shumëngjyrëshe, pushtojnë anë e kënd stadiumet. Megjithatë, tifozët - qëllimisht ose pa dashje - krijojnë një mal mbeturinash që, zakonisht, ua lënë pastruesve. Por tifozët japonezë mendojnë se nuk ka pse të jetë ky rasti. Pas festimit të fitores historike të Japonisë kundër Kolumbisë, tifozët e ardhur në stadium, pastruan pas festimeve, mblodhën mbeturinat nga tribunat dhe i vendosën ato në vendet përkatëse.

Videot e tifozëve japonezë duke pastruar stadiumin u bënë virale në pak orë në mediat sociale dhe gjithashtu shërbyen si model i tifozëve të vendeve të tjera që ndjekin nga stadiumet në Rusi kombëtaret e tyre. Edhe tifozët e Senegalit ndoqën shembullin e japonezëve dhe pastruan vendet ku qëndruan pas ndeshjes viktoriane kundër Polonisë.

Tifozët japonezë kanë fituar reputacion edhe në raste humbjesh. Ata bëjnë të njëjtën gjë në stadium edhe kur skuadra e tyre nuk e fiton ndeshjen. Ata e kanë pastruar vendin edhe pas humbjes 2-1 me Bregun e Fildishtë, në 2014, në Brazil.