Pa asnjë dyshim! Kjo cilësohet si stina ideale për të shijuar si single një verë të mbushur me aventura, pushime të zgjatura në kohë, mes dëfrimit, miqve, detit dhe gjithçka që ju bën të ndiheni mirë. Histori dashurie të përfunduara, pse jo edhe martesa që përfundojnë në divorc, është momenti që të shihni anën tjetër të medaljes...Të qenit single, në fakt nuk është fundi i botës...

Sa herë ka ndodhur që të shndërroheni në “shpatullën” e preferuar të mikeshës suaj, e cila rrëfen edhe fundin e një marrëdhënie që asaj tashmë i ka dhënë statustin e vajzës single. Duhet thënë që jo gjithmonë është e lehtë të japësh këshilla, por ama ju sigurojmë për diçka...Nëse ju ndodh të ndaheni në prag të sezonit të verës, keni gjithë motivet e duhura që shtrihen përpara jush, plot me adrenalinë, aventura dhe emocione të reja. Mos u dorëzoni! Jeta nuk përfundon aty, me fundin e një historie dashurie, qoftë kjo e zgjatur në kohë, ose edhe rishtare. Po t’i besosh çdo filmi romantik,  ose një bestselleri me histori perfekte njohje dhe dashurie mes partnerësh, atëherë sot do të ishim duke menduar se Krishtlindjet e këtij fundviti, ose natën e ndërrimit të viteve, do ishit duke programuar për ta kaluar në çift diku jashtë Shqipërisë, ose pse jo edhe brenda vendit në strehëz të ngrohtë, me oxhak që ngroh shpirtin më shumë se sa ambientin përreth. Ja që nuk ndodh gjithnjë siç e kemi parashikuar! Të qenit single ka edhe të mirat e veta, që shumëkush nga afër ose duke ju parë së largu, jua ka zili. Ka disa motive të forta se pse ne duhet ta përqafojmë faktin e të qenit single. Shijo ndjenjën e aventurës. Je e lirë të shijosh daljet e paplanifikuara të premteve në darkë pa qenë e detyruar t’i telefonosh partnerit dhe t’i shpjegosh që do vonohesh. Sapo të dalësh nga puna mund t’i hipësh makinës dhe të shkosh në jug të vendit për një darkë buzë detit, ose të udhëtosh drejt veriut të vendit për një fundjavë me borë. Përqafoje spontanitetin! Një tjetër shans i artë kur je single, është rigjetja e miqësive. Kur jemi për një kohë të gjatë në lidhje romantike, shpesh zhdukemi nga rrethet shoqërore, dhe të qenit single është një mundësi për të kaluar kohë me to, për të rigjetur miqësi te vjetra dhe për të bërë miqësi të reja.

Asnjëherë mos e nënvlerëso sa çliruese është të bësh atë që do kur të duash. Më në fund mund të marrësh ato mësimet e kitarës, të flesh vonë të dielave apo të shkosh vetëm në kinema për të pare një film japonez. Koha jote si single është mundësia perfekte për të eksploruar të gjitha gjërat që të pëlqejnë të bësh apo gjithmonë ke dashur t’i bësh. Kjo është koha për t’i fokusuar të gjitha energjitë vetëm te vetja jote. Reflekto mbi të kaluarën tënde dhe mendo se çfarë do nga e ardhmja. Përcakto se cilat cilësi personale janë të rëndësishme për ty. Kjo është edhe një mënyrë për të qartësuar atë çka ti kërkon nga një marrëdhënie. Pa angazhime apo shpërqëndrime, tani ti mund të fokusosh energjitë te karriera jote. Mund të marrësh mësime ekstra apo të bësh punë vullnetare për të pasuruar CV-në tënde, apo të ndryshosh karrierë. Kur je vetëm mëson të gëzosh kohën vetëm për veten tënde. Mundësia për të jetuar në një mënyrë të pavarur dhe të kënaqshme është një “teknike e rëndësishme mbijetese”, që personat në çift nuk e gëzojnë. Fokusohuni në atë që të bëheni personi më i mirë që mund të jetë. Vetëbesimi do të tërheq njerëzit dhe do të ndiheni shumë më mirë për shak se do të jeni të kënaqur. Mos u ankoni vazhdimisht për diçka, ajo çka duhet të ndodhë, do të ndodhë. Merrni përsipër të realizoni vetëm atë që mundeni dhe që doni, të tjerat vijnë me kohën. Në fund të fundit, nëse e shikoni: ju jeni me fat. Jeni me fat për arsye se nuk i përkisni grupit të njerëzve që janë të sëmurë, të varfër dhe të uritur. Nëse mendoni se jeni të pakënaqur sepse jeni i vetëm, mendoni përsëri.

Përpiquni të jeni optimist çdo ditë. Ky është një tipar që ndihmon gjithmonë, pa marrë parasysh nëse jeni i vetëm, i martuar, në një marrëdhënie apo i divorcuar.