Një rrëfim i gjatë për një dashuri false, me të cilën ajo nuk do të pajtohet kurrë...

“I'm Famous and i Know It”. Kjo është ajo që mund ta përshkruajë në një moment të tillë artisten shqiptare, emrin e së cilës e dëgjon apo e lexon tashmë në çdo tapet të kuq ndërkombëtar, ku ecën përkrah emrave më në zë të botës së artit. Është përpjekur shumë, është përfolur shumë, por, me dhe pa dëshirën e saj, ia del të jetë në çdo kohë në qendër të vëmendjes së të gjithëve, madje edhe të atyre që “e urrejnë”, sepse është e famshme. Kush nuk e pranon, është çështje e tij, por sa herë vjen dhe sa herë lëshon një “bombë” të re artistike, Bleona bën zhurmë të madhe. “Bisha” e skenës shqiptare, në kuptimin më të mirë të fjalës, erdhi sërish, por këtë herë më e fuqishme se asnjëherë më parë, më e sigurt se asnjëherë më parë dhe në këtë pikë të suksesit, “I don’t need your love” është ajo që i duhej dhe ajo që të gjithë fansat e muzikës së saj prisnin. Një këngë me fabul personale, sepse kështu, specifikon Bleona, publiku është më afër ndjesive dhe emocionit që ke dhe do të përcjellësh tek ai – të gjallë, të vërtetë, ashtu si ajo ka dashur dhe ka zgjedhur gjithmonë ta ketë marrëdhënien me fansat. Me ata që kanë zgjedhur ta ndjekin që nga viti 1995 e deri më sot, kur, për zilinë e të gjithëve, jeton, punon dhe depërton në një vend ku shumë kanë guxuar, por pakkush ka arritur të jetë ai që do.

Për këngën e re, për projektet që ka dhe do të ketë në të ardhmen e shkurtër, por edhe për shumë detaje të jetës së saj private që nuk i ka rrëfyer më parë, Bleona vjen në një intervistë ekskluzive për revistën Class. Kështu, nuk e keni njohur asnjëherë Bleonën…

… Sepse ajo është artiste maratone, jo sprinti. Dhe vrapi i saj, në fakt, sapo ka nisur.

Cilat janë pritshmëritë e tua për këngën “I need your love”?

Pritshmëritë janë të larta, sepse është një këngë komplet ndryshe nga të gjitha këngët e tjera që kam nxjerrë.

Thua në Instagram që kënga lidhet me përjetimet e tua personale. Si ka lindur ideja e krijimit të saj?

Unë mendoj që ka ardhur koha jo vetëm për mua, por për çdo artist të prodhojë këngë që kanë lidhje emocionale me atë vetë dhe jo të transmetojë ndenjat e dikujt tjetër, të kompozitorit apo producentit, dhe thjesht ta këndojë një këngë meqë ia kanë dhënë. Kjo është e vetmja mënyrë që fansat që e dëgjojnë të kenë një lidhje emocionale, të drejtperdrejtë dhe konkrete me mua si artiste, sepse unë transmetoj emocionet e mia dhe jo të dikujt tjetër. Siç dihet tashmë, unë kam ndryshuar shumë si artiste, nga projektet e mia të mëparshme, dhe kjo këngë është prikërisht rezultati. Ne të gjithë si skuadër kaluam shumë kohë në studio derisa na doli kjo këngë dhe kjo këngë është rezultat i punës së të gjithë skuadrës, jo vetëm punës sime. Për mua është një këngë ndryshe, se është baladë, për Timbaland  & Rob Knox (Justin Timberlake, Alcia Keys), ata janë mbretërit e baladave në botë. Një falënderim i veçantë shkon për Fede Vinndver, një producent me talent të jashtëzakonshëm.

Kemi vite që presim një histori dashurie nga Bleona, por ti kthehesh me "S'kam nevojë për dashurinë tënde”, je një vajzë e pavaruar dhe kjo ndihet në ajër, por si e jeton lirinë e femrës me moshën, vendin dhe kohën që jeton ti?

Fatkeqësisht, siç shumë nga ne e dinë, ka shumë femra në këtë botë që kanë zgjedhur të jenë “pronë” e një mashkulli të fuqishëm, pa marrë parasysh se çfarë ndjejnë me të vërtetë për të dhe “ngushëllohen” me këpucë dhe çanta të reja, ndërkohë që bashkëshorti apo i dashuri i tyre kalon kohën me dikë tjetër dhe i blen çanta dhe këpucë dikujt tjetër. Shpresoj që një ditë kjo lloj kategorie e femrave të arrijë në përfundimin se “fustanet, syzet çantat apo kepucët” dhe “statusi ekonomik” që kanë zgjedhur të ketë, nuk mund të zëvendësojnë dashurinë  dhe emocionet e vërteta që janë shumë të rëndësishme për një qenie njerëzore. Është pikërisht ky kompromis që unë kam vendosur të MOS E BËJ me jetën time.

Cila është ajo dashuri për të cilën nuk ke nevojë?

Dashuria false. Fakti që them është një këngë personale është pikërisht ky. Të gjithë ne kemi pasur në një moment në jetën tonë kur jemi lënduar nga dyftyrësia që karakterizon në përgjithësi shoqërine tonë dhe “maninë” që meshkujt në përgjithësi duan të kenë “pronë” më shumë sesa një femër. Unë mendoj që në kohët e sotme “monogamia” është bërë një koncept i huaj dhe për këtë fakt më vjen shumë keq, sepse unë kam parime të tjera si njeri dhe jam rritur me mentalitetin “nëse je me mua, je vetëm me mua.” Fatkeqësisht, kjo mendësi nuk ekziston më sot dhe unë (siç dihet), nuk bëj dot kompromise me jetën time.

Sa zero mendon se do t’i shtosh llogarisë bankare pas publikimit të “I don’t need your love”?

Ajo që mua më gëzon më shumë është fakti që unë, më në fund, kam arritur “të hyj në sistem” dhe fakti që çdo zero që më vjen në bankë është vetëm e imja, në bankën time. Jo e dhënë nga dikush tjetër. Është një liri që kam disa vite që e gëzoj dhe që për mua është  nocioni më i rëndësishëm. FREEDOM IS EVERYTHING. Tashmë, emocionet e mia ndaj dikujt janë të vërteta dhe nuk kanë lidhje me satusin ekonomik. Është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhë një femre.

Sa rëndësi kanë paratë në jetën tënde?

Shumë! Për të gjithë paratë kanë shumë rëndësi. Ndryshimi i vetëm është që unë e them, të tjerët JO. Dhe ndryshimi tjetër është që unë i kam bërë vetë, shumë të tjara JO.

E konsideron veten të pasur? Duket shumë luksoze jeta jote mes njerëzish të famshëm e të fuqishëm?

Koncepti” pasuri” është shumë relativ. Unë mund të jem e pasur për një “fqinjë” të pallatit tim tek Tirana e Re, por mund të jem shumë e varfër për një miliarder. Pasuria dhe lumturia për mua “is a state of mind, has nothing to do with the real $” (është mendësi, nuk ka të bëjë me dollarët (paratë) e vërtetë)

Çfarë të lidh me Eva Cavalli-n? Dukeni mike shumë të mira…

Është një mike shumë e mirë për mua. Kemi 10 vjet që njihemi dhe tani që ata po i japin fund martesës së tyre, unë kam zgjedhur anën e EVËS, si feministe që jam. Jeta e tyre private nuk është subjekt i gazetave shqiptare, kështu që do ta lë me kaq.

Cila është ambicia jote më e madhe për sa i përket karrierës?

Që prania ime, fjala ime, muzika ime, të kenë “peshë”, gjë që, në një menyrë ose një tjetër, e kam arritur.

A është i vështirë tregu amerikan?

Sigurisht që po, duhet të kesh talent, por në të njëjtën kohë, nuk ka lidhje fare me talentin…

Je profesioniste e vërtetë, por duket që ke vite që pret momentin tënd të madh, pse Amerika duhet ta dojë Bleonën? Çfarë propozon ti të re?

Ka adhur koha që bota është gobalizuar. Unë e kam nisur këtë punë përpara artistëve të tjerë dhe më vjen mirë që jam “pioniere” e konceptit “world citizen”. Amerika ka zgjedhur të më dojë, sepse unë ofroj diçka ndryshe. Amerika ka një “Gaga”, një “Maddona”, një “Kim”, një “Angelina Jolie” dhe Evropa ka një “Monica Belluci”. Po as Evropa, as Amerika nuk kanë një “Pospstar” që vjen nga Shqipëria, që ka një kombinim në look prej “Angelina & Monica/ Kim”, por me një personalitet “të çmendur” alla “Gaga & Maddona”, ‘all in one person’ (gjithçka në një njeri të vetëm). Prandaj unë jam ndryshe dhe prandaj tashmë gazetat e botës më  kushtojnë vëmendje mediatike. Meqë jeni në botën e medias, e kuptoni që është vërtet shumë e vështirë të të kushtojnë vëmendje në faqen e parë të një gazete botërore që është e rezervuar vetëm për një “kategori te caktuar” personazhesh të njohur.

Me një qasje realiste, a mund të na thuash sa i vështirë është tregu amerikan dhe çfarë ke mësuar nga kjo lojë komplekse drejt afirmimit dhe famës?

Mua m’u deshën 10 vjet të “kapja sistemin” dhe kam bërë shumë punë me veten dhe me zhvillimin tim si artiste dhe si qenie njerëzore. Gjërat janë vërtet shumë të vështira, por unë kam dhënë 100 për qind nga vetja dhe, siç e shikoni nga instagrami im, nuk kam “delirizma” të tipit “Shkova në Hollywood, bëra një bashkëpunim me këtë apo atë artist, bëra dhe një foto me shenjën e Hollywood-it mbrapa meje dhe tani unë u bëra”. Këto janë “skupe mediatike” të dëshpëruara, do të thoja, të shumë artistëve që shumicën  e ndjekësve i kanë blerë dhe më vjen të qesh me këtë fakt. Skuadra që kam tani dhe njerëzit me të cilët bashkëpunoj tani janë fryt i 10 viteve, e një pune underground dhe pa ego nga ana ime. Unë e kam pasur më të vështirë, do të thoja, nga të gjithë artsistët që e kanë filluar këtë punë kur kanë qenë të panjohur, sepse unë kam qenë gjithmonë në “spotlight” nga media shqiptare, për çdo dalje publike, tapet i kuq apo koncert timin gjatë procesit të “golbalizimit” tim si artiste.

A mendon që do ishte perfekte të ishte pjesë e një formati televiziv si Kardashians Show? Çfarë mendimi ke për fenomenin Kim?

Nëse do të më ofrohej një format i tillë nga mediat shqiptare, do ta bëja me kënaqësi. Sepse unë jam shumë e vërtetë në gjërat që them dhe kam një jetë shumë intensive. Besoj se njerëzit do të argëtoheshin. Për fenomenin “Kim”, kam vetëm një fjalë. BRAVO! E nisi aty ku e nisi dhe tani është në kopertinat e “Forbes” dhe “Vogue”. Njerëz që kanë pasur skandale të tipit “Kim”, në Shqipëri nuk kanë më karrierë. Por “Kim-i” amerikan sot idealizohet dhe “Kim-rat” shqiptare “turpërohen” dhe “gjuhen me gurë” nga të njëjtët njerëz që idealizojnë “Kimin amerikan”. Më vjen keq për këtë dyfytyrësi.

Cilën nga këngët e tua do të veçoje si më të arrirën në gjithë karrierën artistike të deritanishme?

“I don’t need your love.”

Çfarë mendimi ke për shqiptaret Bebe Rexha, Dua Lipa dhe Rita Ora?

Për Dua Lipen kam shumë respekt dhe Bebe Rexha ka një talent të jashtëzakonshëm dhe këngë shumë të bukura. I love her.

Kujt i je mirënjohëse për njeriun që je sot?

Familjes sime.

Si ishte të eksperimentoje edhe në aktrim përkrah një aktori të njohur si Nicolas Cage dhe ku e gjen më shumë veten, në aktrim apo në këngë?

Shkolla që kam bërë në Shqipëri më ka ndihmuar shumë, por unë kam marrë edhe leksione private me ‘acting coach’ nga më të mirët në Hollywood. Veten e shoh si një brand me shumë degë, tip “J.Lo”, një këngë në US topcharts, nje TV show, anëtare jurie në një reality show, një film në kinema, jo një tip “Adele”, pa marrë parasysh që kënga që kam tani është baladë.

Ti njihesh si një njeri pa komplekse, thua dhe bën atë që do, pa e vrarë mendjen se çfarë thonë të tjerët. Mendon se kjo gjë të penalizon apo të ndihmon në karrierën tënde?

Absolutisht jo. Njerëzit, fansat dhe publiku në përgjithësi, sot janë më të zgjuar dhe emancipuar sesa “thashethemet” e gazetave. Ata  kanë google, kanë instagram dhe gjërat mund t’i verifikojnë dhe t’i gjykojnë vetë mbi atë që shohin, jo mbi bazën e “portreteve false” apo “skandaleve false” që ndërton media për të bërë para.

Ti nuk flet shpesh për jetën private, por të gjithë janë kureshtarë të dinë nëse je e dashuruar apo jo?

Jo. Momentalisht jo. Para 10 vjetëve, kur iu futa seriozisht karrierës sime ndërkombëtare, thashë me vete: “Do jap 100 përqindëshin tim. Dhe, sigurisht, 100 për qind në punë, nuk mbeti asgjë përqindje për jetën private dhe sakrifikova jetën private. Tashmë që kam hyrë në sistem, ka ardhur koha që të vë balance me jetën time private. “I would like to fall in love get married and have a kid” (dua të bie në dashuri, të martohem dhe të kem fëmijë)

Nëse do të bëje një këngë për jetën tënde, cili do të ishte titulli i saj? Po fabula?

Këtë do ta lë surprizë për librin.

Do kemi një libër autobiografik?

PO.

Ke në rrjet dhe një grup “haters” që të ndjek vazhdimisht, pse mendon se e bëjnë?

Kjo vjen me territorin e të qenit me të vërtetë I FAMSHËM. Siç dihet, ata thellë-thellë më adhurojnë, po nuk ua bën zemra ta thonë, sepse ngushëllojnë jetën e tyre mizerabël dhe mospasjen e pikës së idesë si t’i krijojnë vetes mundësinë që i kam krijuar unë vetes për jetën që kam, kështu që i fusin “një mendje të lehtë”. “I feel sorry for them, but i am very proud for my VERY LOYAL group of fans that i have” (më vjen keq për ta, por jam shumë krenare për grupin e fansave “mbretërorë” që kam.)

Ke ndonjë mesazh për t’u dhënë?

“My fans are better than yours” (Fansat e mi janë më të mirë se fansat tuaj).

Cili është personi i parë që takon sapo vjen në Shqipëri?

Gjyshja ime, Blendi Fevziu dhe Vera Grabocka.

Ke menduar ndonjë bashkëpunim me ndonjë këngëtar shqiptar? Cili do të ishte nëse do ta realizoje një ditë?

Nëse më ofrohet një këngë e bukur, pse jo? Ka ardhur koha, mendoj.

Si  është Bleona në këtë pikë të karrierës, a mund ta përshkruash me tri epitete?

Happy, Free and In Control (e lumtur, e lirë dhe nën kontroll)

Historia e ngrirjes së vezëve të tua tronditi web-in. Si e imagjinon veten si nënë?

Unë do jem mami më i mirë në botë, sepse kam mamin më të mirë në botë dhe nuk di tjetër përveçse t’u jap dashuri pa kompromise atyre që vendos t’i dua dhe, sigurisht, me zor po pres të më vijë bebi në jetë.

Cilat janë tiparet e burrit që do të të rrëmbente zemrën?

I gjatë, i suksesshëm, me zemër të madhe, jo egoist. BURRË, që merr përgjegjësi për veprimet e veta), jo bur, që pi bira….

Burri ideal për ty nga cili vend i botës duhet të vijë? Apo do preferoje një planet tjetër?

Shqiptar.

Pse shqiptarët çmenden për ty? Në çdo program televiziv ku ti jep intervista, klikimet çmenden...

Kjo vjen prapë me territorin e të qenit me të vërtetë I FAMSHËM!

Duhen shumë para që të jetosh i lumtur në Los Angeles?

Po, nëse do të jetosh tamam.

Ti ke një aftësi të spikatur për të depërtuar në rrethet më të larta të shoqërisë amerikane. Cili është sekreti?

Ka të bëjë me personalitetin tim, me karakterin dhe të qenit “jo copë e lehtë”.  Suksesi i arritur vetë dhe respekti që automatikisht krijohet kur mësojnë historinë time që çdo gjë e kam arritur vetë, pa ndonjë skuadër të madhe, është pikërisht çelësi i hyrjes sime në këto rrethe.

S'lë tapet të kuq pa shkelur, si ke arritur aty? Si është të parakalosh krah më të mëdhenjve të Hollywood-it?

I feel home (Jam si në shtëpi).

A ke një menaxher të mirë?

E mira nuk ka fund asnjëherë, por unë jam e kënaqur me zgjedhjet e mia.

Je autoritare apo je "sweetheart" me stafin tënd?

Më shumë autoritare dhe më shumë sweetheart seç duhet. I kam të dyja (fatkeqësisht dhe fatmirësisht.)

Sa orë në ditë punon?

48 në 24 (lol).

Dashuria është një shkëndijë në zemër apo një projekt në tru?

Një shkëndijë në zemër.

Cili është vendi më i bukur në botë për të jetuar?

Kalifornia.

Tre burrat më të rëndësishëm për ty…

Babi, vëllai dhe gjysma tjetër (që nuk është akoma).

Tre gratë modele?

Gjyshja, mami… e treta jam vetë.

Mendon që seksi shet?

Jo, mendoj që seksi krijon interes fillestar, zgjuarësia dhe markertingu dhe mënyra si e trajton brandin tënd shet.

Pse zhveshja është pjesë e konceptit tënd për sukses?

Nuk është. Unë jam njeri i lirë dhe kam liri të vishem dhe të them çfarë të dua dhe mosha për mua është një numër.

A pi verë kur bën darka pune?

Unë nuk pi. Shumë rrallë në ndonjë event, thjesht pi sa për të bërë gëzuar. Nuk kam marrë asnjëherë drogë në jetën time të çfarëdolloji qoftë dhe nuk marr ilaçe.

Lëkura jote është e mrekullueshme: janë gjenet e arta apo kujdesi?

Të dyja, po më shumë e para.

Vanity, kit-i yt?

Jetë e shëndetshme dhe ushqim i mirë, jo drogë, jo ilaçe, fitness dhe yoga dhe sigurisht, kozmetikë.

Vanity, kit-i yt pa të cilin nuk udhëton kurrë?

Listerine, furçë dhëmbësh, fije dhëmbësh, krem sysh dhe fytyre.

Çfarë ke ti ndryshe nga artistët e tjerë?

Unë jam artiste maratone dhe jo sprinti.

Pse e do Shqipërinë?

Sepse është vendi im.