“Rastësisht!”, “U gjenda rastësisht…”, “Erdha rastësissht…” “Nga rastësia…” Nga rastësia kanë përfituar me qindra artistë në botë, sa edhe shumë vite më vonë, kur kujtojnë fillimet, me të qeshur tregojnë se mirënjohës i janë rastësisë. Nuk thonë kot “rastësia është mbreti i botës”, por rastësia, po ta vësh re me kujdes, di edhe të zgjedhë. Zgjedh të bukurit, të talentuarit, ambiciozët, shpeshherë zgjedh më të mirët. Ose ata që janë në rrugë të drejtë për t’u bërë më të mirët…

Fare rastësisht u gjend edhe Demir Çulli në rrugën e artit. Nëse jeni fansë të Dhurata Dorës, pa dyshim që e keni vënë re modelin që shoqëron videon e saj, tiparet, trupin e bukur dhe shikimin e thellë. Nuk ka bërë shumë përpjekje për të qenë pjesë e klipeve të disa këngëtareve të njohura të skenës, as u përfshi në audicione për t’u përzgjedhur. Por ia doli që të tërheqë vëmendjen pas disa klipeve, aq sa të gjithë pyesin “Kush është ky?”

Nuk është turk. Nëse ju duket kështu, keni shokë (shoqe, më mirë) plot. Megjithëse bën shaka kur thotë se për këtë duhen pyetur të afërmit, është shqiptar 100 për qind dhe krenar, madje. Pastaj të mos flasim për vendin e origjinës, Sarandën, qytetin të cilin nuk do ta ndërronte me asnjë qytet tjetër jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.

Burak dhe Tolga janë vetëm dy personazhe të cilët i njihni mirë, por pasi të shikoni fotot e Demirit dhe të zbuloni pasionet e tij, do të kuptoni, ndoshta, që krahasimi fizik mbetet vetëm i tillë. Demiri, jo vetëm që është origjinal në gjërat që thotë e ambiciet që shfaq, por më shumë se kaq, i ka të qarta objektivat që i ka vënë vetes. Është në përfundim të studimeve për drejtësi dhe këtë do të vazhdojë të bëjë edhe në të ardhmen: të investojë për këtë profesion, i cili, sido të jetë, ka nevojë të ketë edhe pak aktrim brenda (si modelingu).

Në një intervistë ekskluzive për revistën Class, Demir Çulli rrëfen më shumë për jetën e tij në fushën e artit, për pasionet e mëdha, por edhe për profesionin, që për asnjë arsye nuk do ta braktisë, sado të majme të jenë ofertat, edhe ato më joshëset e më “normalet” për çdo lloj modeli.

Si u gjende dhe u bërë pjesë e klipeve muzikore, të pëlqen bota e modelingut?

Ka ndodhur krejt rastësisht përmes një mikeshës sime që punon në një kompani videoklipesh. Le të themi që aktualisht është kompania më e madhe e videoklipeve të këngëtarëve shqiptarë. Një falënderim shkon sot për të, por edhe për stafin, edhe drejtuesin e kompanisë. Janë të palodhur dhe tepër profesionistë.

Ishte hera e parë që e gjete veten si model në një vodeoklip?

Jo, nuk është se s’kam qenë i ekspozuar edhe më parë, sepse kam pozuar edhe më herët dhe aktualisht po pozoj për një dyqan online veshjesh. Kjo e fundit shërbeu edhe si një trampolinë që të spikatem nga agjencitë e videoklipeve. Për këtë i jam mirënjohës mikeshës që drejton këtë faqe online.

Nga Saranda në Tiranë, nuk është një rrugë e gjatë për të qenë menjëherë pjesë e artit?

Le të themi që nuk kam qenë menjëherë pjesë e artit, ndoshta e kam nisur shumë vonë, sepse një vit kam që jam pjesë e projekteve të artistëve. Në Tiranë kam ardhur me studime, tani jam në përfundim dhe do mbetem këtej, duke qenë se Saranda, si vend i vogël, nuk të ofron shumë mundësi. Por për muajt e verës dhe për pushime, nuk e ndërroj me asnjë qytet tjetër, qoftë të Shqipërisë, ose më gjerë. 

Ç’lidhje ka drejtësia me modelingun dhe aktrimin?

Edhe në drejtësi duhet të jesh pak aktor, hahaha. Jo, le të themi që modelingu edhe aktrimi janë pasionet e mia, ndërsa drejtësia është profesioni im në të ardhmen. Më shumë e shikoj veten te kjo e fundit.

Ku të pëlqen më shumë të eksperimentosh?

Më pëlqen të eksperimentoj tek fotografia, një pasion imi i hershëm me fotot e vjetra. Më pëlqen të bëj foto me aparatët fotografikë të vjetër, me të cilët mund ta shikoje veten si kishe dalë vetëm pas një muaji kur laheshin fotot. Më pëlqejnë fotot e veçanta në vende të veçanta. Jam shumë detajist, kujdesem për çdo detaj tek një foto, ndaj kjo e bën edhe më të bukur një foto. 

 

#dajt

A post shared by D E M I R ↔ Ç U L L I (@demir_culli) on

Nga videoklipet e këngëtareve të njohura, me cilën do të doje të kishe bashkëpunime të tjera?

Të gjitha këngëtaret kanë të veçantat e tyre, stilin e tyre, pse jo, me të gjitha? Varet çfarë roli më përshtatet, se në fund duhet të jetë një produkt i mirë. Ka shumë elementë që ndërlidhen bashkë.

Cili është sekreti i Dhurata Dorës që ne duhet ta dimë? Po i Manjola Nallbanit?

Sekreti është sekret, nuk thuhet, hahaha. Dhuratën e vlerësoj për atë që është dhe atë që bën. Shumë profesioniste, ka stilin e vet të të kënduarit dhe mjaft e suksesshme dhe e pëlqyer nga publiku. Sekreti i Manjolës është që nuk mban sekrete, hahaha. Manjola Nallbani është ikona e muzikës shqiptare, me një zë brilant. Kam shumë respekt. Mbi të gjitha, me mua është treguar shumë e sjellshme, shpirt njeriu. Vërtet e vlerësoj për atë çka është.

Zeshkan, me sy të shkruar e të thellë, kujt i ke ngjarë? Je i sigurt që nuk ke asnjë lidhje me Turqinë?

Shumica e shqiptarëve jane zeshkanë, kjo është karakteristike e jona, jemi mesdhetarë. Jam mishërim i të dy prindërve. Kam marrë tipare nga të dy. Ndoshta kemi edhe ndonjë damar turk, nuk i dihet asnjëherë. Marrëdhëniet tona me Turqinë kanë qenë intensive. Për këtë duhet të pyes, ndoshta, të parët e mi, hahaha. Jo, shaka. Unë origjinën e kam nga Tepelena, zona e Labërisë. Jam rritur në Sarandë, kështu që kam marrë edhe nga mali, edhe nga deti. Por nuk kam asnjë lidhje me Turqinë, edhe pse, në pamje të parë mund të dukem ashtu. Ma thonë shumë këtë, në fakt, por duhet ta besoni që jam 100 për qind shqiptar. Lab, me një fjalë.

Cili është komplimenti më i bukur që ke marrë nga një vajzë?

Marr shpesh komplimente dhe mundohem t’ua kthej. Por nuk është se më pëlqen shumë të më komplimentojnë, s’jam fans i komplimentit, por ata që m’i bëjnë, i respektoj. Zakonisht, komplimentet, në shumicën e rasteve më vijnë për tiparet, për trupin, këto në përgjithësi. Kështu që nuk ka ndonjë kompliment të veçantë që mund të kem marrë.

Është bela e madhe të jesh çun bukurosh? Si e përballon këtë “peshë”?

Jo, s’është aspak bela. Unë jam njeri i thjeshtë, jetoj thjesht. Bukuria s’të fut në bela, varet si e menaxhon. Nëse e keqmenaxhon, atëherë do futesh në bela, flas për bukurinë e femrës në këtë rast. Ndërsa tek mashkulli, nuk është se vihet shumë re kjo pjesë.

Çfarë synon më shumë një 25-vjeçar, suksesin në art apo karrierën në fushën e drejtësisë?

E thashë edhe më lart, arti për mua mbetet vetëm një pasion, ndërsa drejtësia është profesioni që kam zgjedhur dhe shpresoj të bëj karrierë të mirë me të.

Të është propozuar ndonjë rol në ndonjë projekt në kinema apo tjetër jashtë klipeve?

Rol jo, nuk më është propozuar, por mbetem gjithmonë në zgjedhjet e regjisorëve. Nëse ka një rol që mua do të më përshtatej, pse jo, do ta pranoja me kënaqësi. Por kinemaja në Shqipëri nuk ka shumë prodhim. Ndërsa për të qenë pjesë e teatrit duhet një formim profesional i lartë. Por, gjithsesi, s’do t’i thoja JO.

Cili është projekti i radhës?

Këtë javë do mbyllim xhirimet për klipin dhe këngën me të re të Artiola Toskës. Uroj të dalë diçka e bukur.

A fiton para një model në Shqipëri? Bëhet i pasur?

Në shumicën e rasteve, fatkeqësisht jo. Nuk bëhet fjalë të bëhet i pasur. Në qoftë se nuk ndërkombëtarizohet, nuk mund të bëhet dot i pasur në Shqipëri. Kështu që është i nevojshëm një profesion i dytë.

Cilat janë synimet që i ke vënë vetes, përtej shkollës?

Aktualisht, synimi im janë studimet. Më tej, le të shpresoj të më ecë mbarë për ato objektiva që synojmë në profesionin tonë dhe të afirmohemi sa më shumë. Të bëhemi të parët në atë që duam të bëjmë.

Në klipin e cilës këngëtare nuk do të mendoheshe dy herë për të shkuar?

Tek Dhurata, nuk u mendova fare, hahaha. Por e thashë edhe me lart, çdo këngëtare ka vlerat e veta, stilin e vet. Deri tani nuk kam refuzuar asnjë këngëtare. Do mendohesha, ndoshta, tek Dua Lipa, hahaha.

Po nëse të propozohej të pozoje nudo, do pranoje? Për cilën shifër?

Jo, s’është në shijet e mia kjo lloj metode. Kam bindjen se nuk do ta bëj ndonjëherë, sepse më karakterizon serioziteti. Më kanë propozuar për reklamim të brendshmesh, por s’kam pranuar. Nuk i ka hije një juristi të dalë nudo, hahaha.

 

Një jurist më shumë apo një model më shumë? Më mirë një jurist model, i cili, më shumë se gjithçka, kërkon që të ardhmen ta ndërtojë duke investuar te studimet dhe tek ajo që do më shumë të bëjë në jetë. Në art, ashtu si shumë të tjerë, mund të gjendesh rastësisht, por në drejtësi kurrsesi. Demiri ka zgjedhur rrugën më të vështirë për të qenë dhe për të pasur sukses. Ai do të bëjë drejtësi dhe arti, pastaj, le t’i vijë pas si pasion. Nëse shumë të rinj të tjerë do të bënin të njëjtën zgjedhje, me siguri, arti do të ishte më i bukur… Sepse do të kishte brenda tij njerëz të bukur. Në shpirt! Jo vetëm si Tolga dhe Burak. Më shumë se ata … Si Demiri!