Ronaldo ka qenë, është dhe do të jetë, pa dyshim, burim të ardhurash të majme. Sapo është zyrtarizuar ardhja e një prej futbollistëve më të paguar në botë në klubin e Juventusit, kostot nën emrin e tij kanë shtuar zerot çdo ditë. Përvec çmimit që i ka ofruar Juventusi, 30 milionë euro në sezon, janë të shumta të ardhurat që po siguron edhe fanella e tij e re me ngjyrat bardhë e zi. Sipas mediave italiane, gjatë orëve të fundit, janë krijuar radhë të gjata në Torino për blerjen e një fanelle. Deri tani, në Milano, një fanellë e Ronaldos blihet për cdo minutë që kalon. Në dyqanin e Juves në Milano janë krijuar radha të gjata, por edhe porositë online zënë një numër të madh.

E njëjta situatë është edhe në Torino. Mëngjesin e sotëm, dyqanet e bardhezinjve “J Museum” dhe dyqani zyrtar i bardhezinjve u rrethuan nga tifozë nga e gjithë bota. Një familje daneze, e cila ka ardhur me pushine në Itali, ka shkuar në Torino për të blerë fanellën e Ronaldos: “Ne jemi tifozë të Juves që nga koha e Laudrup, por ardhja e Ronaldos sigurisht forcon çdo gjë”,- rrëfyen ata për mediat italiane.

Kërkesat për të blerë fanellën e re të Ronaldos vijojnë të shtohen, madje mësohet se ka mbaruar edhe letra për ta stampur dhe deri nesër do të jetë e pamundur për të blerë fanellën e yllit portugez.

Mbrëmjen e djeshme, nga Top Arena, duke përcjellë lajmin e përhapur për fanellën e Ronaldos, Edi Manushi, tha se burime pranë tyre kanë rrëfyer se është vendosur që një numër i konsiderueshëm fanellash të stampohen në Shqipëri për shkak të vonesës së letrës.

Ronaldo “Made in Albania” nuk tingëllon keq apo jo?