Vetëm pak metra larg restorant Umami në Tiranë, të duket sikur ndjen së largu erën e pastave dhe të ëmbëlsirave. Është një ndjesi psikologjike që më shumë vë në provë stomakun, madje edhe sikur ta kesh mbushur disa minuta më parë që të refuzosh me forcë çdo gjë që të ofrohet këtu. E mban veten dhe hyn brenda. Nuk ka shumë filozofi, po gjithsesi është e papritur ajo që kishe imagjinuar me atë që gjen. Sido që të jetë, realiteti të “zhgënjen” gjithmonë, por këtë herë zhgënjimi është pozitiv. Pak para orarit të drekës, të gjithë lëvizin me shpejtësi nëpër punët e tyre. Ka ardhur shefi dhe çdo gjë duhet të jetë në vendin e vet. Nëse nuk është kështu, nga brenda dëgjohet qartë një zë i njohur: “Po çfarë po bën? Çfarë po bën?” Është zëri i Renatos. Pas tij, një zë i mbytur, që thuajse nuk dëgjohet fare, përpiqet të sqarojë atë që po bën dhe pas tij, edhe një pyetje tjetër: “Po pse?”… Pastaj hapet një derë. Pak i skuqur, me një damar që përpiqet më kot të fshihet nën ballë, por i qeshur (shyqyr që edhe nervin e shoqëron me buzëqeshje). Pas përshëndetjes, për mirësjellje, pyet ndoshta nuk është momenti i duhur dhe mbase do të ishte mirë një kohë tjetër… “Jo, jo, mos u shqetëso. Jam pak i nxehur, por gjithçka është në rregull”, – përgjigjet shefi si për të justifikuar “ulërimën” e disa minutave më parë. Ai, por edhe pjesa tjetër pas tij, e di mirë që është gjithmonë kështu, ndaj ai momenti tjetër do të jetë gjithmonë i njëjtë.

 

Kështu është çdo ditë në Umami Tiranë, në një vend ku shija është e papërshkrueshme, ashtu siç Renato Mekolli i ka vendosur edhe emrin pasionit të tij të madh. Ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga koha e hapjes dhe ky vend, për shefin e njohur të kuzhinës, është kthyer në shtëpinë e parë. Është piku i verës, por Umami vazhdon të jetë plot, të presë e të përcjellë jo vetëm klientët besnikë, por edhe të tjerë, rastësorë, që kanë dëgjuar për atë shijen që nuk e përshkruan dot njeri dhe që e gjen vetëm këtu.

Me prenotime, me dreka dhe darka miqsh e familjarësh, si edhe me organizime më të mëdha si ai i pak javëve më parë në Class Events, ku Umami ishte i ftuar special për shërbimin catering dhe finger food. Eventet vazhdojnë edhe gjatë sezonit veror, veçse përqëndrimi i Umamit gjatë kësaj periudhe të nxehtë është në Umami Beach, në Karpen. Siç rrëfen Renato, që nga fillimi i qershorit e deri në fund të shtatorit (përfshirë edhe fundjavat e para të muajit tetor), gjysma e stafit nisen për plazh – aty ku të gjithë duan rreze dielli, det të pastër, shërbim të mirë e, mbi të gjitha, shije unike.

Në verë, drejt plazhit

Ky është viti i dytë për resortin Umami në Karpen. Nga viti i parë, i cili i kaloi pritshmëritë e organizatorëve, ky vit vjen si një paketë e vërtetë duke plotësuar çdo nevojë të çdo vizitori që vjen këtu; ai që e njeh dhe ai që vjen rastësisht: “I gjithë përqëndrimi ynë tani është në Umami Beach, në Karpen, në Kavajë. Puna atje ka nisur që në fillim të qershorit. Stafi është ndarë në dy dhe pas pak javësh, pasi Umami në Tiranë të jetë mbyllur, do të transferohemi të gjithë atje”, – thotë Renato duke shtuar se interesi për zonën e plazhit, këtë vit është më i madh. Ka nga ata që janë klientë të rregullt të Umamit në Tiranë dhe duan që çdo gjë që kanë provuar aty ta gjejnë edhe atje, por ka edhe të tjerë, të cilët duan të provojnë shije të reja, të freskëta: “Një pjesë që vijnë në Karpen, ia dinë shijen Umamit të Tiranës. Kanë provuar këtu më parë dhe vijnë edhe në plazh, por ka edhe njerëz të tjerë që sjellin grupe miqsh. Mjafton të ketë ardhur njëri dhe të tjerët vijnë pas tij. Na ka ndodhur që rastësisht ka ardhur dikush që ka një angjenci turistike dhe të gjitha herët e tjera, akoma edhe sot, vjen me të gjithë grupin.”

Një interes në rritje për plazhin ka edhe nga të huajt, të cilët, kanë kulturë tjetër shërbimi dhe janë më të mirorganizuar. Kryesisht, ata prenotimet i bëjnë me booking. Kjo, shton Renato, ishte diçka e papritur dhe mjaft e mirë për restorantin, sepse përmes interesit të tyre dhe përmes booking, zgjerohet harta e të huajve që duan të vizitojnë restorantin. Nga të huajt, nga interneti, por edhe nga të gjithë klientët që e kanë vizituar Umamin në Tiranë, është e thjeshtë të kuptosh se në Karpen, gjen atë që nuk e ke gjetur në Tiranë – një ambient me të gjitha kushtet dhe një vend me ushqim të mirë:

Pas një sezoni veror të suksesshëm në Karpen, ne kuptuam që njerëzit kanë nevojë që gjatë verës, të qëndrojnë në një vend në të cilin nuk kanë nevojë të bëjnë sakrifica për t’u argëtuar, por, mbi të gjitha, për t’u ushqyer. Karpen ishte një sukses i vërtetë në këtë drejtim, sepse Umami Beach ishte ajo që i mungonte Tiranës. Le ta themi, Umami Tiranë është një restorant dimëror, sado që ka sukses edhe në verë. Por nuk ka kopshtin e vet, nuk ka ambient jashtë që njerëzit të rrinë gjatë verës. Në Karpen, ne kemi vendin tonë, kemi fermën, nga e cila i marrim të gjitha perimet dhe zarzavatet që na duhen. Dikush që vjen, mund edhe ta zgjedhë në bahçe atë që do të hajë…

Menuja verore është ajo për të cilën Renato dhe stafi punojnë më shumë gjatë kësaj periudhe. Ushqimet e verës duke nisur që nga pastat, rizotot, frutat e detit, peshku, mishi,  perimet dhe zarzavate të stinës; të gjitha janë të siguruara nga bahçja në çdo lloj menuje. Por nuk mungojnë as ëmbëlsirat, të freskëta edhe ato: “Shumica e klientëve tani janë fiksuar pas ëmbëlsirave të Umamit në Tiranë dhe kur shkojnë në Karpen, thonë “Uaaa, s’ka ëmbëlsira këtu? Kështu që na është dashur të mendojmë njëlloj për të gjitha, edhe pse përqëndrimi kryesisht është te ushqimet më të freskëta”, – shton Renato.

Resorti ofron gjithçka, përveç një dreke apo një darke të mirë më familjarët apo me miqtë. Është si një paketë e plotë turistike që veç dhomave luksoze me të gjitha kushtet (kryesisht funksionojnë me prenotime, sepse zihen shpejt dhe janë me numër të kufizuar), gjen edhe kënde sportive, kinema verore, kënde lojërash për fëmijë e gjithçka ke nevojë ta gjesh në një resort turistik. Çka është më e rëndësishme, natyra është treguar shumë bujare me këtë vend. Investimi është bërë pa e prekur aspak mrekullinë që të fal deti dhe dielli. Si me të gjitha gjërat e tjera, Renato tregon se para se të nisë një projekt të ri, ai mendon fillimisht për vete: “Mendoj se rehatia ime nuk ka kompromis. Sa herë bëj diçka, unë nisem nga vetja. Në radhë të parë, e bëj për veten time, pastaj dua që ta shijojnë atë edhe të tjerët.”

Nëse gjatë gjithë bregut të Adriatikut, mund të shohësh e të gjesh shumë plazhe të cilat të joshin në pamje të parë, në Karpen joshja fillon nga shija e mirë dhe e papërshkrueshme. Këtu është punuar duke pasur parasysh nevojën e secilit, ndaj edhe zgjedhja, për këtë arsye duhet të përqëndrohet vëtëm në këtë vend. Pastaj, nëse e thotë Renato, pas fjalës së tij, mirë është të mos kesh dyshime:

Sepse aty do ndihesh sikur të përkëdhelin, aty do ndihesh mirë me ushqimin fantastik që do hash, si në shtëpinë tënde, do të ndihesh sikur je në një resort jashtë Shqipërisë jo për luksin, por për rehatinë që ke, zhezlonet e mira, të rehatshme, dhomat shumë të rehatshme, me restorantin dhe ushqimin shumë të mirë, me beach bar-e, është një paketë e plotë e cila nuk të lë pa të plotësuar asnjë detaj. Uji dhe dritat nuk të mungojnë, ke kinemanë verore, pasdite dhe në darkë. Ka gjithçka që kushdo do ta shijonte.

Perëndimi i diellit në Umami Beach është një parajsë më vete. Këtë verë, këtu do të organizohen edhe dy-tri dasma. Akoma? “Po, e kemi marrë përsipër ta bëjmë edhe këtë. Na janë ofruar dhe kemi pranuar, sepse perëndimi aty është si parajsë, vendi që të argëtohesh është i mrekullueshëm. Ka shumë evente që ne i mbyllim, por i kemi të kufizuara, në mënyrë që t’i organizojmë në mënyrë perfekte. Sepse kur situata menaxhohet mirë, çdo gjë ecën mirë…”

Çmimet, pika e fortë e restorantit

Meqenëse Umami është një restorant aspak i zakontë, që ofron produkte aspak të zakonta, mund të të shkojë lehtësisht në mendje se çmimet janë të larta. Po të shtosh edhe emrin e Renatos si personazh publik, fatura bëhet edhe më e shtrenjtë, në dukje. Por Renato rrëfen se çdo muaj, ai dhe stafi i tij ndryshojnë menunë, pasojë e së cilës është edhe ndryshimi i çmimeve:

Çmimet në Karpen janë shumë të ulëta. Janë më të ulëta se në çdo pjesë pjesë tjetër të sezonit veror që mund të shkosh. Sallatat, pastat fillojnë nga 400 - 500 lekë, mishi dhe peshku janë shumë më të lira se kudo. Çmimet janë ulur, sepse tani ne punojnë me produktet shqiptare, me produktet e vendit, një pjesë të të cilave i kemi në bahçe; pataten, domaten, majdanozin, kungullin, të gjitha, kështu që kostot ulen natyrshëm.

Gjatë këtij muaji, Umami ka shoqëruar edhe ndeshjet e Botërorit me çmime speciale. Shefi thotë se kanë qenë plot 15 pjata të ndryshme që u janë servirur klientëve dhe të gjitha me 400 lekë: “Për restorantin tonë, është e pabesueshme. Menuja e Botërorit, së cilës unë i kam vënë emrin street food, nis që nga burgerat, ëmbëlsirat, pjatat e mesme, pjatat e para e me radhë. Dhe çdo gjë është me 400 lekë.”

Kështu që nuk ka vend për “panik” çmimesh të larta. Renato, për asnjë arsye nuk do të shfrytëzonte emrin e tij për më shumë fitim, përkundrazi. Ai jeton, punon, madje edhe fle vetë në këtë vend që më shumë se çdo emër tjetër, meriton të quhet “rehatllëk”, kështu që për rehatinë e vetes, nuk do të bëjë kurrë asnjë kompromis. As me profesionin, që është pasioni i tij më i madh.

Surprizat e sezonit të ri

Përpiqu sa të duash, ndërto sa të duash pyetje “pikante”, Renato tregon ato që do të tregojë. Përballë pyetjes “Ku do ta gjejë sezoni i ri?”, e ka një përgjigje: “Në Umami, Umami do të zgjerohet…” – thotë ai me të qeshur, sepse e ka kuptuar shumë mirë që nuk ishte kjo përgjigjja që pritej. Megjithatë, ka plane të tjera, të cilat do t’i vërë në jetë shumë shpejt:

Burgeri im është dashuruar shumë. Basha s’ka ditë që të mos vijë të hajë burger. Njerëzit kur vijnë, kërkojnë shumë burger. Armina Mevlani e shumë të tjerë e kanë fiksim. Kjo gjë më ka bërë të kuptoj që njerëzit e kanë qejf ushqimin e rrugës, por kur ke një ushqim rruge i cili gatuhet shumë mirë, me produkte të freskëta e të sigurta dhe, mbi të gjitha, është i shëndetshëm e i shijshëm, atëherë pse të mos e ofrosh edhe këtë?

Kështu, në një vend tjetër të Tiranës, së shpejti, do të ketë një Umami të ri, më afër të rinjve dhe më afër njerëzve të shpejtë, që ditën e kanë dinamike.
Por nuk mbaron këtu. Meqenëse recetat janë gati, fotot dhe videot gjithashtu, Renato ka gati edhe librin tjetër me receta, që do të publikohet në fund të tetorit. Do të jetë më i thjeshtë se “Sekretet e shijes”, sepse në fokus janë pastat:

Këtë herë, recetat do të jenë shumë të thjeshta. Libri do të përmbajë sekrete për pastat, detaje, ku duhet të bësh kujdes, çfarë duhet të kesh parasysh, histori për Puttanesca-n Arrabbiata-n ose diçka tjetër. Të gjitha gjërat për të cilat njerëzit kanë interes. Pse më pëlqejnë mua pastat, pse u pëlqejnë italianëve, pse i pëlqejnë të gjithë botës. Libri, gjithashtu, ka edhe studime që janë bërë për pastat. Do të jetë interesant.

Qëllimi i Renatos është që libri të bëhet leckë nga përdorimi. Edhe shpërndarja këtë herë do të jetë më e gjerë. Libri do të jetë në çdo restorant, në çdo bibliotekë, në çdo librari, gjithandej.

Dhe pas librit, edhe një web me receta që do t’i dedikohet të gjithë këtij aktiviteti ushqimor. “Po bëhet gati edhe faqja online e cila do të ketë 3-4 persona staf që do të merren me recetat, por që do të kenë gjithçka gati. Unë kam recetat, kam fotot, videot, i kam të gjitha, kështu që çdo gjë është gati… “

Biseda nuk mbaron këtu, as Renato me të rejat. Për atë emisionin gjigant nuk tha gjë, po kush ka më vend në kujtesë për të mbajtur mend çfarë do të ndodhë me Renaton sezonin e ri, kur ai, sado ta pyesësh, ka të njëjtën përgjigje: “Jam në Umami, në verë, në vjeshtë dhe në dimër. 24 orë në 24…” E beson apo jo, nuk është problem i shefit. Pas këtyre minutave, ai vazhdon me përkushtimin maksimal t’i dedikohet pasionit të tij të madh – kuzhinës. Dhe ulërimave aty brenda… (që ta kuptoni një herë e mirë se nuk është vetëm në ekran ai Renato që njohim. Këtu qenka edhe më i keq)