Të ecësh dhe të jesh për të lënë gjurmë… Nuk është një shprehje klishe apo një mesazh që vjen nga njerëzit që kanë provuar e janë sprovuar në jetë, por një qëllim më vete që duhet ta ketë secili nga ne. Sado transparente ta kesh rrugën në jetë, në çdo hapësirë që do të shkelësh, ke lënë gjurmë, në çdo hap që hedh lë gjurmë dhe në çdo gjë që prek bën gjurmë.

Me një filozofi kaq të thellë e me një koncept aspak të zakontë u nis edhe Prof. asoc. dr. Roberta Mone, kur ideoi shfaqjen së cilës i vendosi këtë emër “Gjurmë”, së bashku me kursin II të koreografisë, pranë sallës “Black Box” në Universitetin e Arteve: “Mjafton të kthesh kokën pas dhe ato janë aty... momente! Sado të përpiqesh të largohesh, ato janë pjesë e jotja, sepse kanë lënë GJURMË të padukshme në trupin, shpirtin dhe rrugën tënde... Të gjithë ne lëmë gjurmët tona, të gjithë ne jemi "gjurmë"…

Kështu nisi shfaqja e fundit e këtij kursi, e cila, më shumë se gjithçka tjetër, u mbështet pikërisht në këtë bosht – në atë që jemi dhe atë që të gjithë ne lëmë pas. Në rrugëtimin e tyre të gjatë e të mundimshëm, në një prej fushave më të bukura e më të vështira të artit, këta studentë triumfin e tyre e treguan me këtë shfaqje, e cila i kaloi përmasat e një provimi. Ata, që në një të ardhme të afërt do të jenë koreografët e shumë veprave skenike, treguan me lëvizjet dhe gjuhën e trupit të tyre sa e rëndësishme është të jesh dhe sa të rëndësishme janë gjurmët që lë pas.

Që nga nisja e deri në fund, për plot një orë e gjysmë, në një sallë minimaliste, të errët, me një dritë që shkëlqen çdo lëvizje e me disa “aksesorë” skene që vijnë në ndihmë të performancës, të gjithë këta studentë krijuan një film të vërtetë duke rrëfyer rrugëtimin e tyre deri në këtë fazë të jetës. E gjithë koreografia u vu në jetë me një mori teknikash e lëvizjesh që jo vetëm nxirrnin në pah plastikën, energjinë dhe aftësinë interpretuese të studentëve, por njëkohësisht të mbushte me një emocion e me një mesazh të madh reflektimi: “Po unë ku i kam “gjurmët” e mia?” Nëse është kjo pyetja, profesoreshë Roberta e ka një përgjigje: “Të gjithë ne lëmë gjurmët tona, të gjithë ne jemi "gjurmë"…

Çdo interpretim i kuruar deri në detaje edhe me kostumografinë, pati për qëllim të shpaloste para publikut ndjesitë e njeriut, qëllimit të tij në jetë dhe universit që e rrethon. Duke eksperimentuar me zhanre e teknika të jashtëzakonshme, studentët nuk nxorën jashtë vetes vetëm ndjesitë e tyre, por në të njëtën kohë përcollën edhe te publiku një emocion të gjallë.

Kostumografia, një element që nuk mund të anashkalohet në shfaqje të këtyre përmasave, fliste gjithashtu në përputhje të plotë me performancën. Veshjet dhe detajet me të cilat qëndiseshin, ngjyrat e larmishme dhe çdo aksesor ishin menduar për të qenë unikë. Pas çdo performance, një “Bravo” e fortë që vinte nga salla ishte vlerësimi më i mirë nga një juri e ftohtë, siç është ajo e publikut… 

Maksim Gorki, dikur do të thoshte: “Edhe gurët e rrugës, po t’i shtrydhësh, janë të mbushur me kujtime”… Ashtu si e gjithë jeta jonë, çdo moment i saj që lë gjurmë e kthehet më pas në kujtim… Kujtimet janë gjithmonë aty. Nëse e kthen pak kokën, i sheh. Sepse kujtimet janë GJURMË.

Roberta Mone, profesoresha që i jep shpirt kërcimit

Koreografja Roberta Mone është pedagoge prej 7-vitesh në Shkollën e Baletit dhe prej 18-vitesh e në vazhdim në Universitetin e Arteve, por ka plot një jetë që i është kushtutar baletit dhe kërcimit. Qysh në moshë fare të vogël, sinjalet e para të profesionit të jetës, ia dhanë gjymtyrët, por edhe këmbëngulja e mësueses së saj, që e nxiti drejt jetës profesionale. Edhe pse në familje nuk ishte askush balerin, madje as ndonjë i afërm, kjo nuk ishte aspak pengesë që Roberta ta ushqente pasionin me shumë punë e përkushtim për pasionin e saj të madh.

Në Universitetin e Arteve, Roberta ka pritur e ka përcjellë breza të tërë ndër vite, një pjesë të mirë prej tyre edhe pasi kanë dalë nga ky universitet. Studente dhe më vonë kolege e nderuar krah emrave si Agron Aliaj dhe Skënder Selimi (të cilit i ka kushtuar edhe një monografi), Roberta dhe brezi i saj u përkushtuan me dinjitet ndaj një profesioni që më shumë si i tillë, për ta ishte pasioni i madh i jetës. Por nuk bënë asnjë kompromis, nuk vunë asnjë kusht, as nuk u tutën përpara pengesave, sepse qëllimi ishte një dhe i vetëm: të përcjellin art të pastër.

Roberta nuk përkujdeset vetëm për çdo lëvizje dhe për mesazhin që përcjell ajo, por është e kujdesshme për të gjitha detajet që arti i kërcimit përcjell te publiku. Pas më shumë se një çerek shekulli punë me studentët, koreografja e njeh mirë mjeshtërinë që i duhet një të riu në zotërimin e skenës dhe aftësinë për ta bërë publikun për vete. Ndaj, ajo nuk njeh kompromise kur është fjala për një profesion si baleti. Jo vetëm sepse ka studiuar dhe punuar krah emrave më në zë të baletit shqiptar, por sepse është ushtruar pa bërë as më të voglën “marrëveshje” për shkëlqimin e vet dhe më pas të të gjithë brezave që i kanë besuar edukimin e tyre.

Koreografia dhe arti i kërcimit, për profesoreshë Robertën, është një dimension i gjallë dhe i tillë duhet të vijë edhe te publiku – si një ndjenjë unike që mbetet e bëhet njësh me trupin, por, mbi të gjitha, me shpirtin.