Sapo fillon Top Magazine, të premteve apo të mërkurave (kur të premten e zë Ledioni), atë e shikon të ulur në kolltukun e tij, me një buzëqeshje që nuk e heq nga fytyra. Nga ekrani është djali më i mirë që çdo nënë do ta donte për dhëndër. Por nuk është gjithmonë ashtu. Ose më mirë, nuk është asnjëherë kështu nëse Vini nis të hapë thesin e sekreteve. Ervin Kurti, ai që të gjithë njihni nga ekrani, është gazetari më i dashur dhe njëkohësisht më i rrezikshëm i showbiz-it shqiptar. Jo vetëm sepse nuk ka thathethem që nuk kalon më parë nga ai, por edhe sepse të gjithë VIP-at e duan. Sidomos kur nuk ua përton dhe ua nxjerr të palarat sapo t’i vijë rasti. I bie telefoni nga të gjitha anët e botës, i hyjnë mik për lajmet e fundit, e pyesin për atë lajmin që kanë dëgjuar për X-in, është i vërtetë apo jo, ose i kërkojnë të mos e bëjë publike atë që mësoi para pak orësh….

Të gjitha këto i ndodhin Ervinit, por ai nuk i prish kurrë miqësitë, as nuk nxjerr njeri nga zemra. Vitet në gazetari, por sidomos jeta afër VIP-ave e ka bërë të kuptojë se personazhet e njohur dhe artistët e vërtetë janë shumë pak. Ata, ai do të donte të mos i ndante kurrë nga vetja. Sepse miqësitë, pavarësisht kushteve dhe rrethanave nga të cilat lindin, janë afër shpirtit. Dhe nëse është kështu, Ervini, atë ndjesinë për të cilën i pyet të gjithë të ftuarit, lumturinë, e ka prekur dhe e shijon deri në pikën e fundit.

Por, për fat të keq, rruga është ende e pashtruar deri tek ajo.  

Edhe pse prej vitesh në një ekran të madh dhe mes personazheve që në fëmijëri i ka konsideruar të paarritshëm, Ervini nuk e ka pasur rrugën të shtruar deri këtu, përkundrazi. Pas studimeve për gazetari, i është dashur që t’i përkushtohet profesionit duke provuar veten në disa programe televizive, derisa e gjeti aty ku e shihni sot. Edhe në showbiz dhe mes VIP-ave nuk shkon gjithçka vaj, por është një punë që ka gjithmonë adrenalinë. Ka edhe presion, në fakt, por këtë Ervini arrin ta menaxhojë me armët e tij të forta. Mjafton të nisë “kërcënimet” dhe gjithçka shkon në vend…

Për jetën pas studios televizive, për prapaskenat e personazheve të njohur, për miqësitë, dashuritë dhe thashethemet që lindin kur kamerat janë të fikura, Ervini rrëfehet në këtë intervistë të sinqertë për Class, ashtu siç di ai të jetë: as i vështirë, as interesant, as delikat, por i vërtetë.

 

Nga Top Magazina, menjëherë në Top Arena, ku të pëlqen më shumë të punosh?

Janë dy gjëra krejt të ndryshme. Jam munduar që edhe në Top Arena të mos heq dorë nga showbiz-i, sepse ishte një nga arsyet kryesore që më bënë pjesë të këtij projekti. Top Show është dashuria e parë. Showbiz-i dhe sporti duken sikur s’kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin, por, në fakt, vitet e fundit showbiz-i po e shet më shumë futbollin.

Çfarë të shijon më shumë kur merresh me showbiz?

Fakti që merrem me ato që dikur i shihja nga ekrani i TVSH-së dhe i imagjinoja të paarritshëm, që u zbuloj i pari anë që shumica e publikut do të donte t’i dinte dhe unë jam aty në çdo hallkë të këtij procesi. Këtu unë ngarkohem me përgjegjësi, pasi jo të gjitha detajet që të bien në vesh, duhet t’i bësh publike. E them ndonjëherë me shaka, që mos më jepni të pi verë, sepse do hap thesin dhe do plasë lufta (qesh).

Cili është ai personazh që i përmbush “kriteret” e VIP-it shqiptar?

Janë disa. Përmendja e emrave do më dukej mungese etike, por do i mëshoja faktit që këto personazhe janë kaq pak, po kaq pak, sa hera-herës trishtohem për këtë gjë.

Bëhen xhelozë ndonjeherë VIP-at kur i jep më shumë vëmendje njërit sesa tjetrit?

Ta thonë më shaka, por edhe ndodh. Nuk mund të shkosh mirë me të gjithë, sepse kjo është e pamundur. Me dy komplimente e kalon lumin, por me rëndësi është që t’ua shpjegosh që secili ka vendin e vet. Me thënë të drejtën, edhe unë ndonjëherë bëhem pak “xheloz” për to, kur i bëjnë komplimente dikujt tjetër, por më tepër i ngacmoj sesa ndihem i tillë. Kështu që, me pasime shkon kjo punë, një herë ata e një herë unë. E dua shumë këtë marrëdhënie, sepse ka adrenalinë dhe presion. 

Çfarë kanë VIP-at e huaj që shqiptarëve u mungon?

VIP-at e huaj kanë menaxhimin e duhur, lirshmërinë për të qenë vetja dhe jetojnë në një vend sa 10-fishi i Shqipërisë.

Ke zënë shok/shoqe të ngushtë nga showbiz-i?

Kam shumëëëëë, por marrëdhëniet tona janë edhe me sezone (qesh). Këto muaj, p.sh po takohem ose flas çdo ditë në telefon me Anxhela Peristerin.

Po pse, ka miqësi të vërteta në showbiz?

Edhe ka! Duke kaluar shumë kohë me këto personazhe, qan edhe halle, ndan edhe gëzime dhe është fantastike p.sh., kur të gjenden atëherë kur ti ke nevojë apo e kundërta. Megjithatë, nuk është gjithmonë kështu. Këtë herë po qëndroj te pjesa e mirë (qesh).

A ka nga ata që të marrin në telefon për të zbuluar ndonjë gjë prej teje?

Ufff mo, dhe unë bëj gjoja sikur e kam marrë vesh për herë të parë nga ai/ajo që më telefonon. Kjo është në rastet kur nuk njihemi shumë dhe bisedat mund të keqpërdoren. Në rastet e tjera japim dhe marrim informacione dhe kur është ndonjë detaj sekret që nuk duhet të dalë, i “kërcënoj” duke u thënë: “Nëse ti ma nxjerr këtë sekret, dije se edhe unë e kam në majë të gjuhës atë që më ke thënë për fistekun” (qesh). Ka dhe shumë raste kur ne të gjithë e dimë një gjë për njëri-tjetrin, por bëjmë sikur s’e dimë, se nuk duam të nxjerrim emra. Halle showbiz-i! (qesh)

Duket që të bezdisin shumë personazhet që nuk duan të rrëfejnë atë që të gjithë e shohin (ose e kuptojnë), si ia bën derisa ua nxjerr “të palarat”?

Duke ua shpjeguar se nuk është fundi i botës nëse ata e hapin zemrën e tyre. Unë nuk abuzoj as me sinqeritetin, as me hezitimin e tyre për të mos folur për një gjë për të cilën ata nuk ndihen mirë në një moment të caktuar. Ka pasur raste që i kam thënë: "Këtë mos e thuaj se nuk të bën mirë", ashtu siç edhe u kam thënë që "këtë duhet patjetër ta bësh publike, sepse "shet" në portale".

Ke marrë ndonjë kërcënim për diçka që ke zbuluar pa dëshirën e personazhit në program ose edhe jashtë tij?

Kërcënim, kurrë! Mund të kemi pasur ndonjë këqkuptim, por që me kalimin e kohës është sheshuar dhe mirëkuptuar. Siç nuk ma përtojnë disa syresh, që kur u preket interesi të nxjerrin thonjtë, ashtu dhe unë ndaj tyre kur nuk tregohen korrektë. Preferoj t’ua them të vërtetën në sy, pa i lënduar, sesa t’u them “shpirti”, “zemra” dhe nga ana tjetër të provoj një ndjenjë të kundërt. Kjo nuk i bën mirë asnjërës palë. Ndonjëherë edhe gëlltisim ca gjëra, se është papjekuri të kapesh pas çdo detaji. Po nuk pati pak luftë në showbiz, nuk shtyhet (qesh).

Si i bind personazhet kur refuzojnë të të japin intervistë ose të vijnë në program?

Receta s’mund të të them dot, por logjikën që përdor po. Së pari, është logo e një televizioni prestigjioz si Top Channel. Së dyti, emri i Alban Dudushit, i ndjekur nga eksperienca e suksesi 15-vjeçar i Top Show-t. Së treti, unë si Ervin, në raport profesional me ta, tregohem shumë i duruar dhe empatik. Ata janë njerëzorë si ne. Nëse do t’i marrësh me zor në intervista dhe ata s’do të ndihen rehat, nuk do ta japin kurrë maksimumin e tyre në emision. Ka edhe disa personazhe që p.sh., e shtyjnë ardhjen çdo muaj dhe një ditë, sezoni mbaron. Epo dhe durimi e ka një kufi!

Je ndier ndonjëherë i provokuar nga ndonjë bukuroshe e showbiz-it (emër këtu)?

Më shumë provokohen ndjekësit e mi në rrjetet sociale kur bëj ndonjë foto me Rike Roçin p.sh., sesa vetë unë. Habitem ndonjëherë (për keq) se si reagojnë meshkujt shqiptarë kur shikojnë foto provokuese të personazheve të tyre të preferuar. E theksoj, më tmerron forma e reagimit, asgjë tjetër. Aty kuptoj që ka ende shumë punë bërë të bërë, po shumë...

Të lodhin personazhet e showbiz-it?

Me thënë të drejtën po, siç edhe unë i lodh ato. T’i telefonosh çdo ditë, t’u bësh presion, t’u kërkosh orë e minutë të të japin ekskluzivitetin, sepse mund të ta marrë dikush tjetër, është një proces shumë i lodhshëm, acarues dhe ndonjëherë dhe pa rezultat. Edhe ato nuk kanë faj, që me raste s’kanë besim tek ne, por edhe ne s’kemi faj, që suksesi i punës sonë është kapja e lajmit i pari. 

Kur fillojnë dhe si janë pushimet për ty pas Top Arenës?

Nga fundi i korrikut. I bëj kryesisht vetëm dhe jashtë shtetit. Jam shumë i lodhur për të duruar tekat e njerëzve edhe në ditët e pushimit. I kam provuar dhe me miq dhe kam përfunduar duke u zënë, sepse jam në një pikë të jetës sime që nuk bëj më kompromise. Dua që për pushime të bëj ato që dua dhe kur të dua, pa i mbetur hatri asnjërit.

Je i lumtur Ervin, nga puna dhe jeta që bën?

Fakti që kjo pyetje është bërë HIT dhe ka shumë personazhe që ma kërkojnë t’ua bëj, e ka arritur qëllimin (qesh). Për mua lumturia është njohja e vetes dhe e limiteve të tua. Unë këtë proces mendoj e kam arritur, por fatkeqësisht, unë nuk funksionoj dot pa të tjerët. Kam një rreth të ngushtë miqsh me të cilët, për hir të së vërtetës, nuk po takohem më si dikur. Me ta ndihem mirë, por s’mjafton. Mentaliteti, botëkuptimi, habitati shqiptar është shumë larg parimeve të mia. Kjo më lodh dhe çastet e lumturisë mezi i mbledh që t’i shijoj. Puna më jep lumturinë të bëj atë që unë kam dashur në vogëli, por Shqipëria ma shkërmoq. E dua vendin tim, por jo kështu, andaj jam ende në kërkim të një lumturie me doza më të larta.

 

Të flasësh duke menduar se e ke përballë bashkëbiseduesin është një mjeshtëri që shumë njerëz e flasin, por pak e kanë. Ervini e ka shumë të rëndësishme këtë pjesë. Nuk është nga ata që flasin për veten në vetën e tretë, sikur të jetë në kontinent tjetër, por as nga ata që të duket i mirë në sytë e të gjithëve. Por pas kësaj bisede, a nuk është vërtet djali më i mirë që çdo nënë do ta donte për dhëndër? Mjafton të mos i japë të pijë verë… :)