Nuk është hera e parë që këngëtarja Albërie Hadërgjonaj flet për ndërhyrjet estetike që ka bërë në fytyrë. Por, edhe pse shpehshherë ka thënë se i pëlqen të duket më bukur dhe të përmirësojë pamjen, komentet nuk e kanë lënë të qetë. Ndoshta, edhe për faktin se Albërien publiku e njeh prej vitesh. Ajo ka shoqëruar breza të tërë me muzikën e saj, ndaj edhe profili skenik që ka krijuar për publikun, me kalimin e kohës ka ndryshuar. Por nuk e ka mohuar asnjëherë siç, në fakt, shumë kolegë të tjerë të saj guxojnë ta bëjnë çdo ditë.

Sot, e ftuar në “Rudina”, Hadërgjonaj tregoi, ndër të tjera, edhe për ndërhyrjet estetike për të cilat është penduar. Me humor, Albëria tha se ka zgjatur hundën si pinoku ndërsa rrëfeu se është pro ndërhyrjeve kur ato ndihmojnë në përmirësimin e imazhit, por sugjeroi se është shumë e rëndësishme zgjedhja me kujdes e mjekëve që kryejnë ndërhyrjen.

Njerëzit e kanë komentuar pamjen time shumë dhe kanë të drejtë. Unë kam pasur një hundë të bukur, ka qenë pak e gjatë, por në rini njeriu gabon. Po ta kisha ende atë hundë, do isha me fat, do isha në karakter. Tani nuk kanë faj që thonë se janë bërë të gjitha njësoj, buzë e hundë të gjitha njësoj, por unë e kam zgjatur pak si pinoku, më duket.

Këngëtarja, në lidhje me këtë temë ka folur shpesh dhe gjithmonë e më shpesh i ka mëshuar faktit që “për të bërë ndërhyrje, duhet të shkojmë tek mjekë që janë të specializuar, që e dinë se çfarë i shkon portretit tënd. Por tani kanë dalë shumë gjëra që të mund të ruhesh pak nga plakja. Mua më vjen keq për ata që duan t’i bëjnë dhe s’kanë mundësi t’i bëjnë. Unë i bëj, se më pëlqen. Është gabim, hunda ime duhet të ishte ashtu siç ka qenë, por nuk është keq tani, i kam bërë ndërhyrje të tjera në Amerikë, e kam mbushur pak. Ndërhyrjen e parë e kam bërë në Shqipëri. Njeriu duhet të ketë shumë kujdes kur të ndërhyjë në fytyrë.