Natyra po na dënon dhe kjo është e dukshme sa herë na godet me fenomente të njëpasnjëshme. Vetëm brenda pak minutave, pasditen e kësaj të marte, kanë ndodhur disa fenomene. Pak pas orës 15:00, kryeqyteti, por edhe Durrësi e Kavaja, u goditën nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 4.7 ballë. Vetëm pak minuta më pas, Tirana u përfshi nga një rrebesh shiu, që zgjati pak minuta. Dhe sapo shiu pushoi, menjëherë pas tij u shfaq ylberi, si për të na siguruar se gjithçka kishte ndodhur më herët ishte kalimtare (foto e siguruar nga Top Channel).

Po çfarë do të ndodhë me motin ditët e ardhshme?

Sipas Meteoalb, pjesa e dytë e javës, pas shirave të kësaj të marte, risjell dominim të motit të kthjellët thuasje në të gjithë vendin. Temperaturat do të pësojnë rënie të lehta dhe graduale deri të enjten, më e ndjeshme rënia gjatë së mërkurës, por sërisht fundjava do të sjellë rritje të temperaturave duke bërë që maksimumi të kapërcejë vlerën 36°C.

Kështu, kush do të niset për plazh këtë fundjavë, nuk ka vend për panik.