Megjithëse është tërhequr prej vitesh për t’i dedikuar të gjithë kohën e saj rritjes së fëmijëve dhe familjes, Ledina Çelo nuk është ndalur për asnjë çast së ndjekuri muzikën shqiptare. Vlerëson këngëtarët e rinj, ambiciozë e të talentuar, ashtu si edhe ata që, ndonëse nuk kanë shumë talent, ia dalin të jenë të suksesshëm, sepse punojnë fort. Në këtë grupin e fundit (ata që punojnë shumë) është për Ledina Çelon edhe Elvana Gjata, ndaj ajo e vlerëson shumë si artiste.

Por ishte e vetmja që, pas koncertit recital të Elvanës, në shkurt të këtij viti, postoi një foto në profilin e saj me mbishkrimin “Po pse playback o yllo?” Kaq u desh që zhurma të plaste. Në rrjet, fansat u ndanë në dy, por edhe këngëtarë, kolegë të dy artisteve, të cilët e ndoqën nga afër koncertin recital. Besa ishte njëra prej atyre që foli menjëherë pas statusit të Ledinës, ndërsa vetë Elvana, si shpeshherë në të tilla raste, nuk reagoi.

Megjithëse debati virtual vazhdoi për pak kohë, sot, Ledina e sqaroi edhe atë situate (megjithëse e kishte harruar). E ftuar në mikrofonin e “Pushime on Top”, Ledina zbuloi disa projekte që ka në plan t’i vërë në jetë së shpejti, rrëfeu për jetën familjare, pushimet çdo vit në jug të Shqipërisë, por u ndal edhe tek ajo çka tha për Elvana Gjatën disa muaj më parë.

“Elvanën e kam shumë xhan, është një vajzë shumë punëtore dhe e përgëzoj për gjithçka që ka arritur. Ka shumë këngëtare që punojnë shumë, edhe pse nuk kanë vokal, por kanë ambicie dhe për këtë i përgëzoj. Këtu e kam fjalën edhe për këngëtare si Rihanna. Beyonce, pastaj është on top për mua. Por ka edhe shumë të tjera që punojnë shumë. Elvana është një prej këtyre dhe për këtë e përgëzoj”.

Në lidhje me deklaratën për të kënduarin live të Elvanës, Ledina nuk komentoi më gjatë, madje për një moment, me të qeshur tha: “Ajo ka kaluar tashmë…”