Sot janë plot 14 vjet në Top Channel dhe janë mjaftueshëm për të mos mbajtur mend shumë çfarë ka ndodhur para tyre, ndaj edhe Beti Njuma, gazetarja dhe spikerja e njohur e lajmeve në Top, me humor thotë që fillimet në gazetari i duken shumë të lashta. Megjithatë, janë disa detaje mes tyre që nuk harrohen, sado vite larg të jenë…

Ka disa javë që Beti ka dalë paska nga korniza e lajmeve dhe dokumentarëve në Top Channel për t’u marrë me Top Talent, spektakli më i ri në këtë ekran, në të cilin Beti është pjesë e jurisë. Ndoshta është programi më “rozë” që ka bërë pothuaj në gjithë karrierën e saj, edhe pse ajo vetë nuk do ta quajë kështu, sepse e vlerëson shumë faktin që të gjithë të rinjtë që prezantohen para jurisë e kanë marrë shumë seriozisht konkurrimin dhe janë të angazhuar maksimalisht për të dhënë më të mirën e tyre.

Kjo është një periudhë e bukur që e ka kthyer paska edhe Betin në fillimet e veta në gazetari dhe në vitin e largët 1997 – atëherë kur Shqipëria sapo kishte dalë nga ngjarjet e tmerrshme të marsit. Kështu rrëfeu sot për Pop Culture, duke kujtuar fillimet që paskëshin pasur lidhje me Adi Krastën. Në atë kohë, Beti shkoi në radio Koha, ndër të parat radio private asokohe, ku ishte drejtor Krasta: “Adi Krasta ishte drejtor në radio Koha. Unë i propozova një emision dhe pasi lamë takimin, më tha: “Më binde!” Bëmë një bisedë edhe i pëlqeu fakti që unë kisha zgjedhur një format që ai e kishte bërë disa vite më herët, në vitin  ‘93 ose’ 94”,- kujton Beti.

Por Adi, gjithsesi, nuk është nga ata që binden lehtë, sado të duket ndryshe: “Pastaj më bëri një pyetje: “Kush ka qenë atentatori i Papa Vojtilës?” Unë, fare natyrshëm dhe pa u menduar, i thashë Ali Agca…” – dhe pas kësaj, u bind me të vërtetë.

Duke kujtuar veten, Beti u jep në këtë mënyrë edhe një këshillë të gjithë të rinjve që duan të jenë pjesë e televizionit: “Nuk mjafton të kesh rrjedhshmëri në të folur dhe të flasësh bukur, duhet të dinë pak a shumë gjithçka, të lexojnë dhe të kenë informacion nga të gjitha fushat.”

Me Adin, lidhet edhe një herë tjetër e parë për Betin. Siç rrëfen ajo, edhe kur ka realizuar dokumentarin e parë, kishte lidhje Adi Krasta. Asokohe, ai ishte drejtor në Telesport: “Me Adi Krastën lidhet edhe diçka tjetër, dokumetari im i parë që kam bërë për Telesportin. Adi ishte drejtor i Telesportit. Pastaj unë iu përkushtova dokumentarit, u bëra autore dokumetaresh. Kështu që Adi ka ndikuar dy herë tek unë.”