Pushuesit e shumtë që janë dynduar këtë fundjavë në jug të Shqipërisë, por edhe vendasit, me siguri që janë çuditur sot nga një vizitor i pazakontë. I pari, ka qenë kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili e ka përcjellë këtë ngjarje përmes instastory-t, ndërkohë që shumë gazetarë dhe media u vendosën në "sulm" për të zbuluar se kujt i përkiste jahti luksoz që vizitoi sot qytetin bregdetar të Sarandës.

Mund të themi pa drojë që kjo ishte ngjarje e pazakontë, pasi nuk ndodh përditë që sarandiotët apo pushuesit vendas dhe turistët e huaj të shohin të tillë jahte që të vizitojnë qytetet tona bregdetare. Por, misteri më në fund u zbulua. Super jahti luksoz është në pronësi të miliarderit rus Andrey Melnichencko.

Jahti është 143 metra i gjatë dhe 91 metra  i lartë i njohur si “Selling yaht A”  dhe kap vlerën e 400 milionë eurove. Ai është ndërtuar në afërsi të Hamburgut në Gjermani, peshon 12.600 ton, dhe brenda tij ka pishinë dhe pistë për uljen e avionëve të vegjël. 

Përtej kostos së jashtëzakonshme, luksit dhe teknologjisë që ka brenda, ky jaht tërheq vëmendjen për pamjen e tij të jashtme e ngjashme me një anije lufte.