E ka lënë për disa ditë Tiranën për t’u zhvendosur në breg, si të gjithë. Edhe pse, as që andej kryetari i bashkisë së Tiranës nuk mund të rrijë pa bërë diçka. Qoftë edhe një takim me të rinjtë e Tiranës të zhvendosur në jug, qoftë edhe një intervistë.

Erion Veliaj është turist në Jalë këto ditë të nxehta të korrikut, por bën edhe ndalesa. E fundit ishte ajo e pasdites së sotme për “Pushime on Top”, nga ku Veliaj, veç projekteve të reja që pritet të konkretizojë në të ardhmen, rrëfeu edhe për emocionet e pritjes së ëmbël të bashkëshortes së tij. Gjininë e fëmijës, Lali Eri e ka bërë publike para disa javësh, por këtë herë tregoi si reagoi kur mësoi se do të vinte në jetë një djalë:

Isha në shtëpi kur Ajola më dha lajmin dhe ishte shumë qejf”, – kujton Veliaj momentin kur Ajola i tha se do të bëhej baba. Ndërsa kur mësoi se do të bëhej baba i një djali, reagimi ishte i pritshëm – shqiptarçe: “U lumturova jashtë mase kur mësova që do bëhem me djalë, si një shqiptar i vërtetë. Ajola donte gocë, unë doja çun, por tani jemi super të lumtur edhe thamë sa mirë që është çun, sepse tani e ka radhën një gocë…”

Jeta aktive dhe hallet e Tiranës e kanë bërë Veliajn të reflektojë gjatë kësaj faze të pritjes së fëmijës së parë. Siç tha ai, tani është koha të qëndrojë më shumë kohë me familjen: “Kam humbur shumë kohë që duhet të isha pranë familjes dhe tani që presim një çun të vogël, një Lali të vogël, më ka bërë të mendoj se ca gjëra mbeten gjithmonë, familja mbetet gjithmonë”.