“Njeriu i vetëm që mund të dizenjojë për Chanel pasi unë mos të jem më…” Kështu është shprehur Karl Lagerfeld për Jeremy Scott, drejtorin artistik aktual të markës Moschino. Super vlerësim për të apo jo?

43 vjeçari nga Missouri ishte shumë  i ri kur nisi rrugëtimin e tij drejt një suksesi të sigurtë dhe është e vërtetë, askush s’mund t’i shpëtojë fatit të tij… Jeremy e nisi duke kaluar netë të tëra i shtrire në stacionet e trenave dhe duke iu mbyllur shumë dyer nga shtëpitë e modës por sërish ai nuk u dorëzua. Në vitin 1997 Jeremy Scott organizoi “shfaqjen” e parë të modës në një bar, veshjet e tij ishin të realizuara me material të riciklueshëm dhe vetëm dy sezone më pas, fama trokiti! Koleksioni i tij bardhë çuditi të gjithë ata që kuptonin nga moda dhe pikërisht aty, Jeremy Scott nisi të bëhej pikë referimi në këtë fushë.

Që nga ajo kohë, Jeremy dizenjon për yjet e muzikës, për të preferuarat tuaja. Katy Perry, Madonna, Nicki Minaj dhe Lady Gaga i kanë besuar veshjet e tyre vizionit të Jeremy, i cili sot drejton Moschino-n pas një bashkëpunimi të suksesshëm me Adidas në vitin 2013.

Sezon pas sezoni Jeremy Scott vazhdon të “shënojë” suksese me idetë e tij brilante, me ngjyrat dhe referencat e një stili pop që e dallon nga të tjerët.

Jeremy është konsideruar si dizajneri i njerëzve të thjeshtë dhe në këtë titull mund të gjeni edhe dokumentarin që i është dedikuar nën titullin: “Jeremy Scott: Dizajneri i njerëzve”, një film “must” për të gjithë të apasionuarit pas modës!