Nëse e pyet sot, janë më shumë se 102 vende në të gjithë botën, të cilat gazetari dhe moderatori i njohur i “Opinion” i ka vizituar dhe mund të flasë për orë të tëra për secilin prej tyre. Pasionin për udhëtimet, Fevziu e ndan gjithmonë me të gjithë jo vetëm nga studio e tij, me programe të veçanta, por edhe nga fotot e videot në rrjet apo edhe kur rrëfehet në intervista.

Nëse një ditë nuk do të ishte në Tv Klan apo në "Opinion", një punë që Blendi do ta bënte me dëshirë, është ajo pranë një agjencie udhëtimi për t’u treguar dhe për t’i orientuar njerëzit drejt destinacioneve pak më larg Europës, me pasuri të jashtëzakonshme natyrore e kulturore, me terrene mahnitëse e, ç’është më e rëndësishmja, me shumë pak para.

Nëse e pyet për mbresat që i kanë lënë udhëtimet, edhe ato janë të panumërta, por udhëtimi të cilin nuk do ta harrojë kurrë është pikërisht ai i pari, në Itali, në vitin e largët 1991. Asokohe, Blendi ishte vetëm 21-vjeçar dhe së bashku me Armand Shkullakun, mikun e tij më të mirë edhe sa u përket udhëtimeve, fluturuan për herë të parë me avion. Ishin të shokuar pranë gjithçkaje të re që bota jashtë, ndryshe nga ne, e kishte pjesë jete prej vitesh, shekujsh ndoshta.

I ftuar në “Pushime on Top”, në Top Channel, nga Drimadhes, aty ku moderatoro i “Opinion” po kalon disa ditë me familjen, Blendi ndau me publikun, mes shumë kujtimeve, edhe udhëtimin e tij të parë për në Itali me Mand Shkullakun: “Atë udhëtim nuk do ta harroj asnjëherë. Isha vetëm 21 vjeç dhe bashkë me Mand Shkullakun, u përballëm me ndryshimin e madh midis dy botëve. Ne as nuk kishim hipur ndonjëherë në avion, as nuk kishim hipur në ashensor, as nuk kishim marrë ndonjëherë shkallët lëvizëse….” – tha Blendi me të qeshur.

Megjithatë, nuk ishte kjo më e keqja. Sa lekë në xhep kishin pasur për këtë udhëtim? Të gjitha kursimet e familjes – kursimet 30-vjeçare, që të mbledhura bashkë (edhe me ndonjë borxh të vogël brenda) shkonin në 50 dollarë.

Me kaq, dy miqtë mendonin se do të bënin namin në Itali, por e vërteta ishte se nuk siguronin dot as një natë gjumë: “Ishin kursimet e familjes prej 30-vjetësh. 50 dollarë që mendonin se ç’do na bënin, por në të vërtetë, nuk flinim dot as një natë, kështu që kemi fjetur jashtë….” – shton Fevziu, por, megjithatë, do të mbetet një ndër udhëtimet më të paharruara. Jo vetëm sepse pa dhe kuptoi sa larg botës ishim, por edhe sepse sapo kishte kuptuar një dashuri të madhe që vite më vonë do ta ushqente - atë për të udhëtuar dhe për të mësuar kultura të reja nga çdo cep i botës.