Një nga programet më të gjatë politiko-socialë nën drejtimin e Sokol Ballës, do të rikthehet në Top Channel sezonin e ri televiziv. Pas largimit të gazetarit dhe moderatorit të njohur nga Top Channel dhe mbylljes së “Top Story”, Ylli Rakipi me “Të paekspozuarit” ishte “zëvendësimi” i shpejtë në të njëjtën fashë orari, por ende nuk ka asnjë konfirmim për fatin e këtij programi në sezonin e ri.

Televizioni, një ditë më parë, ka lajmëruar se së shpejti në ekranin e Top Channel do të rikthehet “Top Story”, por pa dhënë më shumë detaje; kush do ta drejtojë apo në ç’ditë a orë do të shfaqet.  

Largimi i Sokol Ballës nga Top Channel qe një prej lëvizjeve më të komentuara sezonin e kaluar, madje u shoqërua edhe me shumë polemika për programin që ai drejtoi për shumë vite, “Top Story”. Pas largimit të tij në Vizion Plus, Top-i zëvendësoi shpejt orën 21.00 të së enjtes me “Të paekspozuarit.”