Fatkeqësisht është ndarë sot nga jeta, Kofi Annan ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së. Ai ishte i vetmi afrikan me ngjyrë që arriti të drejtonte këtë post. Annan ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare, si pasojë e një sëmundjeje. Lajmin për ndarjen nga jeta të Annan, e ka bërë me dije BBC.

Annan ka shërbyer në dy mandate si shef i OKB-së nga viti 1997 deri në vitin 2006. Më vonë ai shërbeu si i dërguari special i OKB-së për Sirinë, duke bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje për konfliktin. Kofi Annan mori çmimin Nobel për paqen dhe punën e tij humanitare. Vendlindja e tij, Gana, ka shpallur një javë zi kombëtare.

Kush ishte Kofi Annan?

Kofi Atta Annan i lindur në Ganë në vitin 1938 është një diplomat ganez që ka qenë sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara që nga dhjetori 1996.

Annan karrierën e tij e filloi në vitin 1962 në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Nga viti 1972 deri në 1974 ishte drejtor i turizmit në Gana. Nga viti 1987 ka ushtruar disa nga funksionet më të rëndësishme në OKB, duke përfshirë edhe postin e asistentit të sekretarit të përgjithshëm. Në vitin 1990 ishte ngarkuar në operacione paqësore, ndërsa nga tetori i vitit 1995 u zgjodh për përfaqësues të posaçëm të OKB-së për ish-Jugosllavinë.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së më 13 dhjetor të vitit 1996 e emëroi Annan për Sekretarë të Përgjithshëm të OKB-së, kurse në vitin 2002 fitoi një mandat të dytë në po këtë pozitë. Ai ishte sekretar gjeneral i OKB-se deri në dhjetor 2006. Gjatë mandatit të dytë, Annan është akuzuar për korrupsion, pasi u bë e ditur se djali i tij Kojo Annan kishte pranuar të holla nga një kompani zvicerane, në lidhje me ndarjen e kontratave në programin për Irakun “Naftë për ushqim”.

Në vitin 2001 Kofi Annan mori çmimin Nobel për paqe. Annan ka qenë sekretar i përgjithshëm gjatë luftës së Kosovës, dhe luftës në Irak. Ai e ka quajtur të paligjshëm pushtimin e Irakut.