Kantautori Elton Deda ka reaguar ashpër pas denoncimit të emisionit “Fiks Fare” një natë më parë për një “shoqatë artistike” që mban emrin e të atit, “Shoqata Artistike Ferdinand Deda”. Pas investigimit të programit investigative, rezultoi se shoqata rekrutonte vajza për prostitucion.

Në një reagim në rrjejtet sociale ka reaguar me një status public duke u zotuar se do ta heqë përjetësisht fytyrën e të atit “nga ajo vulë dhe nga ai aktivitet i ndyrë”.

I dashur Baba, Nder i Kombit dhe muzikanti gjeni. Më në fund të erdhi edhe ty radha që në 15-vjetorin e vdekjes, të dalësh në televizion, jo me baketen tënde në dorë, por fytyra jote e pashme e stampuar në një vulë shoqatë, e cila merret me prostitucion dhe eskorta. Se si është legalizuar kjo shoqatë në gjykatë, nuk e di, por me siguri kanë harruar të kërkojnë pëlqimin tënd, meqenëse ti ke lëvizur për pak kohë jashtë shtetit. Gjithashtu, edhe për ne familjarët e tu, harruan të na kërkojnë një autorizim të përkohshëm derisa të vije ti. Meqë të erdhi shpirti në majë të hundës dhe vendose të mos ktheheshe, këta vendosën të të kujtojnë duke të respektuar dhe duke i vënë emrin tënd të nderuar një shoqate. Mbase po të kishe vendosur të rrije, edhe mund të kishe përfituar diçka nën dorë, pa zhurmë, dhe mbase kishe mbyllur ndonjë vrimë në portofol. Të premtoj që do bëj ç’është e mundur (pasi e di që shumë pak prej baballarëve të kombit do t’u interesojë ta ndjekin këtë çështje), ta heq përjetësisht fytyrën tënde të hijshme nga ajo vulë dhe nga ai aktivitet i ndyrë. Nuk mund të rri pa falënderuar Fiks Fare që e solli në vëmendje këtë fenomen. Do flasim prapë Babi, qëndro i fortë!