Shamitë e kokës u rikthyen? Nuk na kishte shkuar mendja, por pasarelat në javën e modës në New York, sapo na e vërtetuan! Kate Spade ka sjellë bashkë me prezantimin e koleksionit të ri edhe këtë trend që mesa duket e kishim harruar… Nuk bëhet fjalë vetëm për to, ka disa aksesorë që markat e njohura i kanë sjellë në pasarela për të na treguar edhe një herë se moda ndryshon vit pas viti.

Syzet e mëdha janë një tjetër tendencë e sezonit të ri, Tory Burch e Tom Ford na e kanë treguar këtë me modelet e reja që kanë prezantuar në shfaqjet e tyre të modës në New York duke na bërë edhe një herë të qartë se syzet-maskë duhet të jenë zgjedhja e goditur e sezonit të ardhshëm.

Një tjetër trend flet për aksesorët voluminozë si vathët e mëdhenj, rrumballakë e me gurë, varëset rreth qafës apo edhe kapelet e mëdha. Mendonit se kapelet i latë së bashku me të ngrohtin e verës? Gaboheni, kapelet dimërore do të jenë “gjithçka” në lidhje me look-un tuaj të vjeshtës e të dimrit.

Ngjyrat neon i kemi përmendur si tendencë e sezonit të ri dhe java e modës nuk kishte si ta linte në hije edhe këtë trend. Aksesorët në ngjyra neon të tillë si ora ngjyrë lime nga Milly janë një “must have” i stinës së vjeshtës. Guxoni edhe ju në mënyrë që look-u juaj të jetë i kuruar me shijen e javës së modës.