Ibuprofeni ka një ndikim negativ në testikujt e të rinjve, ka zbuluar një studim i ri i publikuar tek revista “Proceedings of the National Academy of Sciences”. Nëse të rinjtë marrin ibuprofen në doza që zakonisht përdoren nga atletët, ata mund të zhvillojnë një gjendje hormonale që ul pjellorinë.

Ibuprofeni, një ilaç që lehtëson dhimbjet, shitet me dy markat kryesore Advil dhe Motrin.

Studimi i ri është vazhdim i kërkimeve shkencore që kanë nisur me gratë shtatzëna, shpjegon Bernard Jégou, bashkautor dhe drejtues i Institutit të Kërkimeve në Shëndetin në Punë dhe Mjedisor në Francë.

Jégou dhe një ekip shkencëtarësh nga Franca dhe Danimarka kanë hulumtuar mbi efektet shëndetësore të përdorimit të 3 ilaçeve për lehtësimin e dhimbjeve, aspirina, acetaminofen (njohur ndryshe si paracatamol) dhe ibuprofen, te gratë shtatzëna.

Eksperimentet e tyre të para, të publikuara në disa dokumente, treguan se nëse merren gjatë shtatzënisë, të tria këto ilaçe ndikojnë në testikujt e bebeve të gjinisë mashkullore.

Testikujt dhe testosteroni

Testikujt nuk prodhojnë vetëm spermë, ata sekretojnë gjithashtu edhe testosteron, hormoni kryesor i seksit mashkull.

Të tria këto ilaçe janë “anti-andorgjenike”, që do të thotë se përçajnë hormonet mashkullore, shpjegon David M. Kristensen, bashkautor dhe drejtues i Departamentit të Neurologjisë në Spitalin Universitar të Kopenhagës.

Këto 3 ilaçe madje rrisin rrezikun që bebet e seksit mashkull të lindin me defekte kongjenitale, thekson Kristensen.

Ekspertët rekomandojnë gratë shtatzëna që të konsultohen gjithmonë me mjekun para se të përdorin ilaçe për lehtësimin e dhimbjeve. Duke marrë parasysh këto konkluzione, shkencëtarët vendosën të vazhdojnë kërkimet shkencore tek të rriturit. Ata u fokusuan më shumë te ndikimi i iboprofenit te shëndeti riprodhues i të rinjve, duke qenë se ka efekte më të forta.

Ibuprofeni, një ilaç jo-steroidal anti-inflamator, përdoret shpesh nga atletët dhe futbollistët para një ndeshje për parandalimin e dhimbjeve.

Shkencëtarët rekrutuan 31 vullnetarë të moshës 18-35 vjeç. Nga këta, 14 morën çdo ditë një dozë të ibuprofenit që shumë atletë përdorin: 600 miligramë dy herë në ditë. 17 vullnetarët e tjerë morën placebo.

Të rinjtë që morën ibuprofen, brenda 14 ditësh, hormonet e tyre luteinizues – që sekretohen nga gjëndra hipofizë dhe stimulojnë testikujt të prodhojnë testosteron – filluan të barazohen me nivelin e ibuprofenit që qarkullon në gjak. Në të njëjtën kohë u ul edhe raporti i testosteronit me hormonet luteinizues, një shenjë kjo e disfunkionit të testikujve.

Ky çrregullim hormonal çon në zhvillimin e hipogonadizmit (nivel i ulët i testosteronit), një gjendje kjo që shkakton probleme me fertilitetin, depresion dhe rrit rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, si atak në zemër dhe goditje në tru.

Këta të rinj e përdorën ibuprofenin për një kohë të shkurtër, prandaj edhe efektet “mund të përmbysen”. Megjithatë, nuk dihet akoma nëse ndodh e njëjta gjë edhe nëse ibuprofeni përdoret për një kohë të gjatë.

BURIMI: GAZETA SHËNDETI