Prej kohësh, Televizioni Klan po përgatitet për një spektakël gjigant, i cili jo vetëm që nuk është transmetuar ndonjëherë në ekranet shqiptare, por është edhe një produksion i gjallë që mban pezull publikun nga njëra seri në tjetrën.

Fillimin e këtij programi në Klan, Aleksandër Frangaj na e zbuloi që vitin e kaluar. Nga produksioni është mësuar se reality show, ku protagonistë do të jenë personazhe të njohur që provojnë veten duke jetuar në një fermë dhe duke luftuar për një çmim të majmë, do të nisë sezonin e ardhshëm, por detajet nuk janë konkretizuar ende.

Edhe një herë tjetër, mbrëmjen e sotme nga skena e DWM, Alketa Vejsiu konfirmoi reality show-n që mban sërish firmën e saj dhe të Vera Grabockës.

Pasi ftoi në skenë dy binjakët Romeo dhe Donald Veshaj për “t’i vënë përballë njëri-tjetrit”, Alketa i pyeti nëse mund të ishin bashkë me të në drejtimin e një prej formateve që pritet të marrë jetë së shpejti, siç është “The farm”: “Një produksion si “The farm”, p.sh, do ta pranonit ju ta prezantonit me mua?” – i pyeti ajo Donaldin dhe Romeon.

A do ta pranonim?” – pyeti Romeo, por pa pritur përgjigje: “Presim vizitorët…” – tha pas kësaj duke nënkuptuar se kurrsesi nuk do ta refuzonin.

Drejtori i programacionit në Tv Klan, Allbert Dumani, zbuloi ekskluzivisht për revistën Class pak kohë më parë se projekti është drejt finalizimit dhe shumë shpejt do të nisë transmetimin.

“The farm” është një formulë që pritet të tërheqë vëmendjen e të gjithëve. “The Farm” (Ferma) është një format mjaft popullor që mban firmën e kompanisë suedeze Strix dhe është shitur në më shumë se 40 vende të botës. I prezantuar edhe si  ‘Survivor’ , ‘The Bar’ ose ‘Fame Factory’ në shumë ekrane, në bashkëpunim me kompaninë ndërkombëtare mjaft të njohur Endemol, formati do të jetë së shpejti edhe në ekranin shqiptar.

Fillimisht lajmin e bëri publik në një dokumentar për ABC News Aleksandër Frangaj, po pa dhënë shumë detaje për mënyrën se si do përshtatet një program i tillë në Shqipëri.

Po ç’do të ketë të veçantë ky program?

Si asnjëherë më parë, kamerat do të montohen në një fermë me kafshë. Ashtu si në Big Brother, edhe në Fermë do të vendoset një grup prej 12-15 personash që do të jetojnë bashkë për një kohë relativisht të gjatë. Të gjithë konkurrentët do të garojnë mes tyre duke bërë të gjitha punët e bujqësisë dhe blegtorisë. Në fermë duhet të punojnë si çdo fermer normal, duke ushqyer kafshët, duke u shërbyer atyre, por edhe duke bërë të gjitha punët që kërkon toka dhe jeta në një fermë.

Për një periudhe kohe të vendosur nga drejtuesit, një nga “fermerët” do të largohet nga ferma, zakonisht pas një ceremonie që njihet si “Duel”. Në këtë fazë, konkurrentët garojnë jo vetëm për faktin sa janë përshtatur me fermën, por edhe për rezistencën e tyre fizike gjatë një kohe të caktuar. Në fund, është publiku që vendos se cili personazh do të largohet nga ferma.