E ndërsa shtatori njihet si muaji i konkretizimit të lëvizjeve të bujshme nëpër media dhe televizione të rëndësishme, duket se një e tillë sapo është konfirmuar zyrtarisht. Rudina Xhunga, gazetarja dhe moderatorja e njohur nuk do të jetë më pjesë e "Vizion Plus", por prej muajit të ardhshëm atë do e shohim në "News24".

Lëvizja e saj e mundshme po përflitej prej kohësh në media, ndërsa vetëm sot ajo ka konfirmuar vendimin e saj. Duke folur për Class, ajo tha se: "Emisioni quhet Dritare me Rudinën. Do të jem çdo të martë në News24, ndërsa do të bashkëpunoj edhe me BalkanWeb, Gazeta Shqiptare dhe Panorama. Nuk do të ndryshoj së qeni fytyra e Dritare.net, portali online që drejtoj me bashkëshortin Dritan Hila, i cili ndërkohë shfaqet të mërkurave në ekran në Ora News në prime time. Unë nuk do të heq dorë kurrë së hapuri dritare", theksoi gazetarja e njohur.

Prej muajit tetor, Rudina Xhunga do të jetë përballë audiencës masive dhe teleshikuesve të News24 në formatin e njohur "Dritare", një emision ky që ka rezultuar i suksesshëm gjatë gjithë ekzistencës së tij që prej fillimit. Formati sjell përballë shikuesve personalitete dhe emra të rëndësishëm nga bota e medias, politikës, e jetës sociale në vend.

Shumë suksese për Rudinën!