Merrni frymëzimin që ju duhet këtë fillim jave dhe bëni gati listën e dëshirave për të shtuar “çmendurinë” e radhës… Njihuni me këpucët “must” nga java e modës në Paris dhe zbuloni të veçantat e tyre duke parë një nga një detajet që dizenjuesit më të famshëm në botë, sjellin në pasarelat e pranverë-verë 2019.

Këpucët e balerinave, çizmet “cowboy” apo edhe ato me pupla janë elementet që kanë rënë më shumë në sy nga pasarelat e fundit… Kush tjetër përveç nesh do t’i adhurojë?

Christian Dior
Duke qenë se kryefjala e sfilatës së fundit të Dior ishte vetë performanca e baletit për gjatë gjithë shfaqjes, nuk kishte si të mungonte edhe ky detaj… Pupat e baletit! Mes petaleve dhe tingujve të muzikës së lehtë, Dior na ka përcjellë një modë të re, atë të këpucëve me lidhje te kyçi i këmbës, të frymëzuar drejtpërdrejt nga baleti klasik!
Balmain
Çmenduni edhe ju së bashku me markën tuaj të preferuar! A janë këto çizme një element që do t’i shtonte vlerë veshjes tuaj? Mendoni pak në lidhje me këtë… E bardha nuk është kurrë “out” dhe stili tipik që Balmain propozon është përshtatur më së miri me modën që pritet të na sjellë pranvera e vitit 2019.
Isabel Marant
Stili “cowboy” u rikthye, a jeni gati për ta veshur? Hidhini një sy sfilatës së fundit të Isabel Marant dhe merrni frymëzimin që ju duhet për të kombinuar me shije këtë tendencë të re.
Saint Laurent
E kemi thënë vazhdimisht gjatë këtij sezoni dhe po e përsërisim dhe tani, lëkura e gjarprit është një “must”. Ecni në ujë njësoj si në pasarelat Saint Laurent në Paris dhe dukuni bukur me çizmen më stil të momentit!
Dries Van Noten
Deri më sot, puplat i kemi parë në çdo koleksion Haute Couture, fustanet me pupla kanë qenë “hit” i sezonit të fundit dhe tashmë i shohim edhe në dizajnin e këpucëve. Dries Van Noten sjell puplat ashtu siç nuk i keni parë, ç’mendim keni?